“Mësimet nga zgjedhjet në SHBA nuk iu pëlqejnë politikanëve shqiptarë”
Flet deputeti demokrat, Aleksandër Biberaj
Çfarë përbën në vështrimin tuaj fitorja e demokratëve në këto zgjedhje dhe ç’do të thotë kjo për Amerikën?
Fitoren e demokratëve në këto zgjedhje do ta quaja një zhvillim më se normal, një rotacion më se normal të pushtetit pas qeverisjes 8-vjeçare të republikanëve. Kurse fitorja e Obamës në vetvete, për shumë e shumë arsye, është një fitore historike. Obama deri tani e ka bërë punën e vet në mënyrë të shkëlqyer, pasi nëpërmjet një fushate brilante arriti të fitojë si brenda partisë së vet, ashtu edhe përballë republikanit McCain dhe sot është President i SHBA. Me fushatën e tij Obama arriti rrotacionin e pushtetit, arriti që t’i bëjë votuesit amerikanë që t’i besojnë atij Amerikën për 4 vitet e ardhshme. Faza e parë këtu mbaron me sukses, për t’ia lënë vendin fazës së dytë, realizimit të programit elektoral, realizimit të shpresës dhe besimit që amerikanët treguan për Obamën. Pritshmëria është shumë e lartë, sfidat janë të shumta. Këtu pastaj le t’ia lëmë kohën që të flasë.
Çfarë mësimesh diktojnë për politikën shqiptare këto zgjedhje?
Pyetje interesante, që mund të kërkojë përgjigje të gjatë, por do të përpiqem që të përgjigjem shumë shkurt. Këto zgjedhje i kanë dhënë një leksion shumë të mirë jo vetëm politikës shqiptare, por edhe asaj botërore. Natyrisht që për politikën shqiptare mësimet e zgjedhjeve amerikane janë të shumta dhe shumë të vlefshme, por nuk jam shumë i sigurt që klasës politike shqiptare i pëlqejnë këto mësime, pasi këto leksione demokracie të mësojnë që duhet të ndryshosh shumë gjëra dhe në shumë aspekte, gjë që druaj se politikanët shqiptarë nuk e kanë shumë qejf. Me sa duket, ata janë rehat me stilin shqiptar të të bërit politikë.
Le të kalojmë për një moment te gjendja në Shqipëri: Zgjedhjet janë në qershorin e ardhshëm, a është gati infrastruktura zgjedhore atje, apo sërish humbësja do të fajësojë fituesen?
Zgjedhjet janë shumë afër dhe mendoj se duhen bërë përpjekje maksimale që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme. Duhet miratuar sa më parë Kodi i ri Zgjedhor, si dhe duhet bërë pajisja e votuesve me karta identiteti përpara zgjedhjeve, hartimi i listave të sakta të votimit, si dhe përgatitja e të gjithë infrastrukturës së nevojshme për zgjedhjet.
Përse ka një lloj rebelimi nga partitë e vogla, me në krye LSI, që akuzojnë PD dhe PS për një lloj hegjemonie elektorale diktuese?
Vetë ndryshimi kushtetues në sistemin zgjedhor e ka bërë sistemin politik pak a shumë bipolar, gjithsesi mund të gjenden modalitete në Kodin e ri Zgjedhor që dhe partitë e vogla të jenë ta përfaqësuara në parlament në bazë të peshës së tyre elektorale.
* Marrë me shkurtime nga gazeta “Illyria” e Nju-Jorkut