E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga Rusia me dashuri (për Obamën)

Nga Elona Bano, Moskë

Këtë javë e gjithë bota u njoh me fytyrën e re të Amerikës, e cila si shtet demokratik e si gjithmonë disa hapa më përpara se të tjerët dhe kësaj radhe diti si të tregojë veçorinë e saj.

Barack Obama tashmë është kryefjala e diplomacisë botërore dhe shpresa e zgjidhjes së krizës ekonomike. Deri në prill të këtij viti, të paktë ishin ata që mendonin se Obama do të ish i zgjedhuri i popullit amerikan. Asokohe, kundërshtarja e tij nga i njëjti kamp, Hillary Klinton, dukej se kishte të gjitha shanset për të fituar. Madje, vetë kryetari i Partisë Demokratike amerikane, Goward Dinn, shprehej se “shanset e Klintonit për të mundur McCain-in janë më të shumta sesa ato të Obamës”. I po këtij mendimi në prill ishte dhe opinioni publik, kështu dëshmonin atëherë rezultatet e statistikave të shërbimit hetimor IPSOS.

Edhe pse në pamje të parë dukej thuajse e pamundur zgjedhja e Obamës president, madje e padëshiruar, kemi parasysh këtu tentativën për atentat të bërë në shtëpinë e tij, apo dhe ironinë e përfaqësuesit të “Associated Press” në Uashington, Dinn Singlinton, i cili “gabimisht” e quajti Osama Bin Laden, Obama Bin Laden, ky njeri të cilin “Uashington Post” e karakterizoi si person që ka potencialin intelektual e politik të Klintonit plus vetëdisiplinën e Putinit, arriti që një të pamundur ta bëjë të mundur.

Por tashmë, pasi kanë kaluar 3 ditë që nga shpallja e fitores së tij dhe euforia e çasteve të para është qetësuar, të gjithë faktorët ndërkombëtarë mundohen të parashikojnë sjelljen e tij ndaj tyre.

Analisti amerikan David Epstein deklaron se “nuk do të ketë ndonjë ndryshim të madh në rrugën politike ndërkombëtare me zgjedhjen e Obamës. Obama do të vazhdojë zhvillimin e raporteve transatlantike dhe sistemin antiraketë, ndërkohë që me Rusinë do të mbajë po të njëjtin pozicion si dhe paraardhësit e tij.”

Por, me sa duket, Obama ka gjasa të jetë njeriu i kompromisit dhe për hir të daljes nga ky depresion ekonomik, të cilin rëndom e kemi quajtur krizë, ai do të shtrëngojë miqësisht dorën e Medvedev dhe Putin. Momentalisht Rusia është një nga faktorët kryesorë ndërkombëtare politikë dhe ekonomikë, të cilët mund t’i gjejnë një zgjidhje të shpejtë kësaj situate, dhe kjo për faktin se shumica e rezervave financiare të Rusisë janë në ar.

Këtë gjë e kanë kuptuar më shpejt liderët evropianë, të cilët e kanë ftuar dhe Rusinë në Komisionin Financiar evropian dhe janë duke gjetur zgjidhje të vlefshme dhe të përbashkëta.

Por dhe Obama ka planin e tij kundër krizës së madhe ekonomike, ai propozon të rrisë taksat e amerikanëve që kanë të ardhura mbi 280.000 $ dhe do të kontrollojë në mënyrë strikte bankat, të cilat japin kredi shumë herë me të mëdha sesa fondi rezervë i tyre.

Obamën të gjithë e shohin si imazhi i ri, si shpresa e re, si ndryshimi, të cilin e kërkonin të gjithë amerikanët. Pikërisht këtë argument përdor dhe ultra-nacionalisti rus Zhirinovski, i cili mendon se Obama do të kthehet në një Gorbachev ose Pinochet. Kjo, pasi, sipas tij, liderët, të cilët hipin në pushtet në momente të tilla, dhe pse në mënyrë demokratike siç është për t’u nënvizuar rasti i Obamës, gjithsesi janë më shumë të prirur të kthehen në liderë totalitarë. Por Zhirinovski është vetëm një zë i pakicës ruse, pasi shumica e politikanëve rusë besojnë se Obama do të jetë një lider i ekuilibruar, por dhe në të njëjtën kohë me mendime të qarta dhe pozicione politike të mirëpërcaktuara.

Stefen Flangan, zv/president i Qendrës Strategjike për Studimet Ndërkombëtare (CSIS), deklaroi se lideri i ri i Shtëpisë së Bardhë do të ri-vitalizojë lidhjet me evropianët dhe Rusinë, si në nivel politik, po ashtu dhe në atë ekonomik.

Po të bëjmë një retrospektivë në një nga ballafaqimet televizive, të pyetur të dy kandidatët për presidentë për Rusinë, McCain, të cilit i mungon vetë-disiplina apo dhe vetëpërmbajtja, të cilën nga ana tjetër e përdorin mjeshtërisht liderët rusë, përgjigjet: “Kur shoh sytë e Putinit, shoh në mënyrë të qartë KGB”.

Kur Obamën e pyetën, nëse është dakord me frazën e ish-presidentit amerikan, Ronald Reagan, që e klasifikon Rusinë si “Perandoria e së keqes”, ai përgjigjet: “Duhet të kemi parasysh se Reagan fliste për USSR, kurse ne kemi përpara një shtet demokratik si Federata Ruse, por në vazhdim mendoj që ata kanë reflekse nacionaliste, të cilat janë të rrezikshme”.

Nga ana tjetër, presidenti rus Medvedev deklaron: “Rusia shpreson që Obama do të ketë një politikë më të ekuilibruar në lidhje me Irakun dhe sistemin e raketave”. Rusia shpreson që administrata amerikane nën drejtimin e Obamës do jetë më e ekuilibruar. Zv/presidenti i Komisionit për Mbrojtjen në Dhomën e Deputeteve të Dumës Ruse, Igor Barinov, deklaroi se është i mendimit se administrata e Obamës do të ndryshojë politikën në lidhje me misionet ushtarake në Irak dhe sistemin amerikan antiraketë, të cilin planifikohet ta vendosin në Evropën Lindore. Andrey Klimov, zv/presidenti i Komisionit të Punëve të Jashtme në Dumën, ruse deklaron se Obama do të përplaset me një mision politik të vështirë dhe duhet t’i bëjë ballë realitetit të vështirë prezent në SHBA. “Kjo është një krizë financiare globale, flas për humbjen e resurseve amerikane dhe nënndarjet në shoqërinë amerikane. Nëse dhe Obama do të bëjë gabimin të vazhdojë të thotë se Amerika është lideri i botës, s’do bëjë tjetër veçse do të shterojë burimet amerikane dhe do të ndajë shoqërinë amerikane”, - thotë ai.

Duhet të themi se të këtij mendimi janë dhe liderët evropiane, të cilët nën përfaqësinë e presidentit francez, Nicolas Sarkozy, deklaruan njëzëri se: “mbaroi epoka e ekonomisë njëpolare, por duhet të reagojmë të gjithë së bashku të ekuilibrojmë tregun dhe bursat ndërkombëtare.”

Gjithsesi vlen për t’u përmendur fakti se politikanët rusë janë të mendimit se fitorja e demokratëve do të determinojë një afrim dhe ngrohje të lidhjeve SHBA- Rusi.

Por rusët gjithsesi mendojnë se ka ardhur momenti që të jenë faktor vendimtar në arenën ndërkombëtare, që dhe ata të marrin vendime dhe jo vetëm t’iu nënshtrohen atyre. Duhet respektuar principi i së drejtës ndërkombëtare “pares inter pares”, ku Rusia, SHBA dhe BE do të bashkëpunojnë në mënyrë që t’i japin botës një fytyrë të re botës.

Rusët e komentojnë kështu thënien se ata kanë reflekse nacionaliste. Mironov: “Ne jemi faktor me një potencial të pamohueshëm dhe realpolitika, duke pas parasysh territorin dhe resurset e tjera natyrore, na e ka dhënë me të drejtë titullin e të qenit një nga liderët politikë. Fati i Rusisë është i parashkruar, pasi me gjithë këtë shtrirje dhe influencë çdo vendim që do të marrë Rusia, dhe pse nënvizojmë në frymën më humanitare dhe demokratike, do të duket si një kërcënim për disa nga faktorët e tjerë ndërkombëtarë.”

Ndërkohë, vetë Rusia po përballet me krizën ekonomike globale, dhe pse ajo i ka ardhur dhe vazhdojë t’i vijë në ndihmë shumë bankave irlandeze apo gjermane. Gjithsesi, Rusia ka marrë masa të shumta për të përballuar këtë depresion financiar si në projektet e brendshme federale, po ashtu dhe në ato të jashtme. Këtu duhet përmendur marrëveshja e bashkëpunimit dhe mbështetjes mes Rusisë dhe Azerbajxhanit.

Kemi akoma dhe më shumë se dy muaj kohë për të parë me të vërtetë Barack Obamën si president, pasi momentalisht ai është vetëm president i zgjedhur. Do të kemi deri atëherë kohë të shohim, nëse ai do të harrojë historinë e hidhur që e lidh personalisht me Rusinë, kur disa vite më parë ka vizituar këtë shtet dhe është ndaluar për një kohë të shkurtër nga autoritetet ruse. Deri atëherë do të na jepet shansi të shohim se si do të reagojë Shtëpia e Bardhë në lidhje me rrjetin e antiraketave, pasi autoritetet ruse po presin qëndrimin amerikan për të ditur a të reagojnë apo jo në të njëjtën mënyrë duke vendosur sistem antiraketë në Kalingrad.

Por tashmë “zaret u hodhën” dhe s’ka ngelur gjë tjetër veçse të shpresojmë dhe të besojmë se zgjedhja e bërë nga populli amerikan ishte e duhura, jo vetëm për amerikanët, por për të gjithë shoqërinë ndërkombëtare.

Shpresojmë që data e 4 nëntorit të jetë një ogur i mirë për shtetin amerikan dhe vetë Obamën. Kjo datë në Rusi përkon me festën zyrtare të bashkimit të kombit. E japim këtë argument për të uruar që prognoza e politikanit rus Klimov të mos vërtetohet. Por, derisa Barack Obama të marrë zyrtarisht postin e presidentit, ai ka aq kohë sa t’i lejojë vetes luksin e të dhuruarit vajzës së tij për sjellje të mirë gjatë fushatës një qen race të pastër dhe për të folur për këtë dhe në konferencën e tij të parë për shtyp.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›