Vrasjet e para me leje të shtetit
Vdekja e tre qytetarëve në Gjirokastër nga shembja e një ndërtese është çmimi i parë që po i paguajmë papërgjegjësisë shtetërore për kontrollin mbi territorin. Deri më sot agresioni urban ndaj territorit, legjitimitetit dhe pronësisë së të tjerëve ka qenë vetëm dëm fizik dhe financiar. Tashmë kemi një bilanc të hidhur me jetë njerëzish. Është kjo arsyeja që brenda 24 orëve në Gjirokastër mbërritën gjithë drejtuesit më të lartë të shtetit dhe politikës shqiptare. Secili prej tyre kërkon të duket pjesë e fatkeqësisë dhe aleat i viktimave dhe jo pjesë e përgjegjësisë që ka shkaktuar tragjedinë. Në të vërtetë ata nuk janë aleatë me qytetarët, nuk janë aleatë me viktimat, por janë përgjegjës realë të asaj tragjedie që mund të përsëritet në çdo qytet të Shqipërisë, dhe ndoshta më shumë se kudo në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Shkodër, aty ku agresioni urban është dhe më i madh.
Agresioni urban në Shqipëri nisi pas vitit 1992 dhe thelbi i tij ishte oferta e lartë në treg për ndërtimin. Shteti shqiptar nuk arriti në asnjë rast dhe asnjë periudhë t’iu përgjigjej ritmeve të zhvillimit urban dhe kështu oferta për të ndërtuar jashtë ligjit u bë më e lirë dhe më e shpejtë se oferta për të ndërtuar brenda ligjit. Nga ana tjetër, fuqizimi i industrisë së ndërtimit bëri që ajo të kapë politikën dhe të diktojë rregulla të reja që prishin normat dhe standardet e zhvillimit urban. Qytete të tëra si Tirana, Durrësi, Vlora apo plazhe bregdetare si ai i Golemit, janë shfytyruar falë kësaj oferte dhe presionit të ndërtuesve mbi politikën. Këtu vërtet nuk kanë vdekur ende njerëz, por mijëra fate njerëzish janë shkatërruar, qindra, mijëra njerëz janë privuar nga e drejta për ajër të pastër, hapësirë sociale, parqe pushimi dhe sipërfaqe të gjelbra. Qindra njerëz janë privuar nga vija bregdetare dhe kushtet higjienike normale. Brezat e ardhshëm janë privuar nga e drejta për të pasur dhe ata pjesë në zhvillimin normal të vendit. Ky krim kolektiv, pa gjak, por që ka shkatërruar jetën normale të qindra-mijëra njerëzve, ka ndodhur po këtu, në këtë vend, nga këta drejtues politikë.
Trashëgimia e keqe urbane e kohës së komunizmit është po ashtu një problem i paparashikuar në plan-bizneset e reja të qeverive të viteve të pluralizmit. Shembja e ndërtimeve të pasigurta të asaj kohe, dhe korrigjimi i standardeve që prodhojnë siguri nuk është përfshirë në asnjë strategji qeveritare apo opozitare. Problemi real që ka politika shqiptare sot është se ajo nuk udhëheq asnjë politikë urbane, por udhëhiqet nga grupet e interesit në politikat e saj. Ajo është një hap mbrapa tregut, një hap mbrapa atyre që diktojnë fitimet dhe dhjetëra hapa mbrapa interesave të qytetarëve dhe komunitetit në Shqipëri.
Ngjarja e Gjirokastrës nuk është një rast që dikush prej tyre të krekoset dhe të tregojë me gisht nga të tjerët. Natyrisht, Flamur Bime është përgjegjës, jo vetëm si drejtues i bashkisë, por dhe si ndërtuesi kryesor në atë qytet. Ai ka një monopol të qartë mbi lejet e ndërtimit dhe grupet e interesit. Ai ka imituar në pashallëkun e vet, atë që paraardhësit e tij kanë bërë në Tiranë, Durrës, Golem apo Vlorë. Por tragjedia e Gjirokastrës është një rast që duhet t’i detyrojë ata t’iu kërkojnë falje qytetarëve për papërgjegjësinë me të cilën trajtojnë jetën e tyre dhe standardet e sigurisë së tyre. Ata kanë vrarë një fëmijë duke parë televizor dhe një nënë duke përgatitur drekën, pa ditur se vdekja po u sillej rrotull. Kjo është një dramë e madhe, një faj i madh dhe mbi të gjitha një përgjegjësi e madhe që duhet të bëhet shembull ndëshkimi.
Nga ana tjetër, politikanët kryesorë të vendit duhet të fillojnë prej sot të mendojnë se si të bashkohen për të mbrojtur qytetarët përmes ligjeve dhe infrastrukturës shtetërore. Marrëveshja për politikat urbane, hartimi i Kodit Urbanistik të vendit, dhe një legjislacion i hekurt që garanton kontrollin mbi territorin duhet të jenë pikë e parë e marrëveshjeve mes Sali Berishës dhe Edi Ramës, para marrëveshjeve që garantojnë ndarjen dhe garantimin e pushtetit mes tyre. Të sjellit si viktima para kamerave, dhe shfaqja e tyre në çdo mort gjatë kësaj kohe, nuk e zbut dot përgjegjësinë e tyre. Janë të lutur të mos na vijnë për ngushëllime, kur na ndodhin fatkeqësi. Le të rrinë në zyrat e tyre, në karriget e tyre, aty ku e kanë vendin për të na shpëtuar nga fatkeqësitë. Dhe pa qenë prezentë në vdekje të tilla, neve na dalin parasysh. Dhe, natyrisht, nuk i përfytyrojmë dot duke qarë për ne.