E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heshtja që fsheh degradimin

Laureta Roshi/Gazetare

-Në karrierën time 20 vjeçare si gazetare kam jetuar kohë të arta të ndryshimeve demokratike dhe kohë të vështira nën plumba në vitet ’97-98. Kam raportuar për atë që shihja me germa, zë e figurë dhe jam ndier e çlirët se bëj për atdheun tim sa mundem dhe se ky është profesioni që zgjodha, por në Sarandë duket se rrymat përplasen për të humbur patriotizmin. Pas raportimeve dhe vëzhgimeve të mia mbi ndryshimin e kombësisë, meshat greqisht dhe në zonat jominoritare, pritjet greqisht në zyrat e shtetit shqiptar, servilizmi i zyrtarëve ndaj ambasadorit dhe konsullit grek që i bën qesharakë sa s’thuhet, keqadministrimin e fondeve për publikun mbi mua nisën presionet dhe shpifjet deri në mohimin e personalitetit tim. E trishtë. Trishtohem ndërsa shoh se mosha e gazetarëve mbetet mesatarja 45, në një treg kaq të vogël me një TV lokal e një radio normale që mundësitë e punësimit mbyllen në korrespodenca me honorare. Nëse fajin e mjekut e mbulon dheu, atë të gazetarit edhe deti e nxjerr në breg, në bregun ku shquhen inertet, tubacionet e çara, thasët me mbeturinat e mbledhura nga duart e fëmijëve që rihapen nga era nëpër plazh. Saranda është një qytet me plot energji, me shumë njerëz që vijnë nga emigracioni bashkë me kursimet e tyre dhe shpresojnë për një investim të sigurt e jetë sociale në norma. Për demokracinë, ripërtëritjen, ligjin, mirëqenien përpiqemi në ditën tonë, por sa arrijmë? Gjithë vitin punohet për të fituar diçka në muajt e verës nga pushuesit, por çdo vit reklama e keqe që i bëhet qytetit nga administratorët lokalë po i largon pushuesit ditorë. Nëse një mëngjes uji largohet në breg, e më tej do shfaqen gjithë mbetjet e fshehura e të derdhura në ujë, qyteti do ta humbas rolin e vet si qendër banimi..a thua se ashtu si jeta në ciklin natyror edhe trashëgimia e brezave në Sarandë mund të zhbëhet nga keqadministrimi. Si eksperte e jashtme në Gjykatën e Sarandës vëzhgoj çështjet që gjykohen, kam kontakte me një pjesë të çifteve që zgjedhin si zgjidhje divorcin, por për ata që kanë probleme ekonomike nuk ka asnjë strukturë sociale, asnjë përkujdesje apo vëzhgues ligjor për pasdivorcin. Dhjetëra konflikte të tjera mbërrijnë për pronësinë e shpesh dhe për shpifje. Mes kapitaleve të individëve që i investojnë me shpresën e ndryshimit dhe politikave të regresit lokalë në Sarandë është krijuar një ngërç institucional, i cili në mungesë të transparencës mediatike rrezikon ta penalizojë qytetin.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›