Heshtja sundon Athinën,mijëra pranë vendit të vrasjes
Dhuna në Greqi vazhdon dhe dje u pasua edhe me shpërthime në protestat e të rinjve të nisura më 6 dhjetor, kur policia vrau të shtunën në mbrëmje një 15-vjeçar. Ngjarja ka përhapur një valë të gjerë dhune në Greqi, dhe demonstruesit i kanë bashkuar kësaj proteste edhe kërkesat e tyre për kushte më të mira jetese. Protesta kundër dhunës së policisë në shumë qytete greke, kryesisht në Athinë dhe Selanik, është binjakëzuar edhe në vende të tjera të botës. Protesta të së rinjve dhe të grupeve majtiste ka pasur në Londër, Berlin, Frankfurt, Paris, Romë, Danimarkë, Spanjë, Shkup e Moskë. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në kryeqytetin grek janë dëgjuar tetë shpërthime të vogla të përgatitura nga bomba të bëra me dorë, të cilat nuk kanë shkaktuar viktima. Autorët e shpërthimeve nuk janë mundur të identifikohen. Shpërthimet kanë ndodhur në dy lagje të Athinës dhe kanë pasur si objektiv zyra të partisë konservatore në fuqi, banka dhe supermarkete. Shpërthimet janë pasuar me zjarre të vogla, të cilat janë vënë menjëherë nën kontroll. Dy makina të parkuara në rrugë janë djegur, ndërsa policia greke nuk raporton asnjë incident mes të rinjve dhe forcave të saj pas më shumë se një jave tensionesh, që pasuan vdekjen e 15-vjeçarit, Alexis Grigoriopoulos, të vrarë nga një agjent policie. Protestuesit nuk kanë dashur t’ia dinë nëse ka qenë ftohtë apo shi. Marshet e tyre kanë vazhduar. Dje të rinjtë kanë deklaruar se nuk do të ikin nga sheshet e Athinës dhe të qyteteve të tjera, derisa kërkesat e tyre të realizohen. Në protesta janë lënduar 70 persona dhe qindra dyqane janë shkatërruar. Këto protesta kanë pasur aktivizimin e të rinjve më shumë se çdo herë tjetër në të kaluarën. Popullariteti i partisë së Karamanlis ka rënë në mënyrë të ndjeshme. Gjatë ditës së djeshme protestat në Greqi kanë qenë kryesisht të qeta. Mijëra persona u mblodhën në sheshin qendror Sintagma në Athinë dhe rreth 1 000 të tjerë në qytetin verior të Selanikut. Në orën 21:00 me orën lokale, Athina dhe vendet e tjera ku po protestohet ranë në heshtje, në shenjë përkujtimi për orën kur u vra 15-vjeçari një javë më parë. Në muret pranë vendit ku u vra Grigoropoulos ishin shkruar mesazhe si “Ata që mësuan vrasësit do ta paguajnë”. Mijëra njerëz kanë vendosur lule dhe kanë shkruar mesazhe në një tryezë shënimesh. Një tabelë rruge e përgatitur privatisht kishte të shkruar emrin e adoleshentit, duke e përdorur si emër të rrugicës ku ai u vra. Shitësit janë kthyer nëpër dyqanet e tyre me shpresën se do të shesin diçka për Krishtlindje, por nuk i kanë zëvendësuar xhamat e dyqaneve, i kanë mbuluar dritaret me dërrasa nga frika e protestave të reja të dhunshme. Policia greke ka deklaruar se po i përfundojnë rezervat e gazit lotsjellës, pasi gjatë kësaj jave kanë përdorur 4600 kuti dhe po përpiqen të sigurojnë të tjera nga burime të huaja. Vetëm në Athinë janë kryer 170 arrestime.
Moskë, arrestohen të rinj protestues
Për herë të parë në Moskë janë organizuar protesta kundër vrasjes së të riut grek, një javë më parë nga policia greke. Protestuesit, kryesisht të rinj, u mblodhën para ndërtesës së Ambasadës greke. Por protesta e tyre u ndalua nga policia ruse, e cila ka kryer edhe arrestime mes të rinjve, që gjithsesi protestuan në mënyrë paqësore. Policia në Moskë ka arrestuar dhjetëra anëtarë të një lëvizjeje të krahut të majtë të shtunën, pasi ata kishin organizuar një tubim ilegal përpara Ambasadës greke. Ata i përkisnin lëvizjes “Red Youth Vanguard” (pararoja e rinisë së kuqe), përfshirë edhe liderin e tyre, Sergei Udaltsov, të cilët thanë se po demonstronin kundër vrasjes së 15-vjeçarit më 6 dhjetor. “Anëtarët e “Red Youth Vanguard” janë përpjekur të mbajnë protesta të paautorizuara në Ambasadën greke në Moskë dhe pasi ne kemi përsëritur disa herë kërkesën tonë, që ata të shpërndahen, ata u arrestuan nga policia”, tha një zëdhënës i policisë. Të tetë u çuan në stacionin e policisë lokale për procedurat e mëtejshme.