Tritoli makinës së deputetit Erion Braçe, dosja në polici
TIRANE – Prokuroria e Krimeve të Rënda pezulloi hetimet dhe i kaloi policisë për plotësim me prova, dosjen hetimore për shpërthimin e ndodhur në makinën e deputetit socialist Erion Braçe. Lajmi është konfirmuar nga burime zyrtare, sipas të cilave pas më tepër se dy vitesh hetime, zbulimi i autorëve të ngjarjes ka qenë i pamundur. Organi i akuzës ka kryer disa analiza të provave që ndodhen në dosje si dhe ka marrë në pyetje një sërë dëshmitarësh, përfshi edhe nënkryetarin e Grupit Parlamentar të PS-së. Megjithatë, sipas burimeve zyrtare, pak ditë më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur pezullimin e hetimeve dhe kthimin në dosjes në polici. Agjentët e sektorit përkatës në policinë e kryeqytetit, kanë marrë urdhër nga Prokuroria që të plotësojnë me prova dhe informacione dosjen në fjalë dhe më pas ta përcjellin në Prokurori, në rast të zbulimit të autorëve. Ngjarja e rëndë ndodhi në shtator 2007, kur makina e deputetit ishte parkuar në afërsi të ish-zyrës së Braçes, pranë gazetës “Zëri i Popullit” ngjitur me Ministrinë e Drejtësisë. Policia konfirmoi se sasia e tritolit të vendosur në makinë ka qenë e konsiderueshme, ndërsa automjeti pësoi dëmtime serioze. tr.so