E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina rishqyrton ligjet e Pakos Ahtisari

 

Rreth 50 ligje të miratuara nga Kuvendi i Kosovës, të cilat burojnë nga pakoja e Ahtisarit, mund të kthehen sërish në rishqyrtimin parlamentar për harmonizim me Kushtetutën dhe aktet e tjera juridike. Sipas deputetëve kosovarë, ligjet e dala nga Plani i Ahtisarit janë miratuar në pako dhe pa ndonjë shqyrtim parlamentar, si pasojë e procedurave të shpejtuara. Por zyrtarët vendorë thonë, se ka raste kur nene të caktuara të këtyre ligjeve nuk janë në harmoni me Kushtetutën dhe aktet e tjera të larta juridike të Kosovës. Miratimi i dhjetëra ligjeve që burojnë nga dokumenti i Ahtisarit ishte pjesë e zbatimit të obligimeve që kishte marrë Kosova para bashkësisë ndërkombëtare. Këto ligje rregullojnë segmentet dhe fushat kryesore shtetërore. Miratimi i tyre në Kuvend, pa shqyrtim, ka anashkaluar të gjitha procedurat, me të cilat punon Kuvendi, por kjo është bërë në pajtueshmëri të plotë nga i gjithë spektri politik i Kosovës. Në hartimin e këtyre ligjeve, nuk kanë marrë pjesë vetëm autoritetet kosovare, por edhe ato ndërkombëtare, vendet më me ndikim në politikën kosovare. Po ashtu, edhe ndryshimi eventual i tyre kërkon përfshirjen dhe miratimin e të gjithë faktorëve, që i kanë hartuar këto ligje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›