E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pengmarrje me lidhësen e këpucëve

 

Trazhgim Sokolaj

Një banor i fshatit Priskë në Tiranë përballet në Gjykatën e Krimeve të Rënda me akuzën e rrëmbimit dhe mbajtjes peng të personit me qëllime përfitimi.Saba Shkoza, 33 vjeç, është i pandehuri i dosjes penale që Prokuroria e Krimeve të Rënda dorëzoi së fundi për shqyrtim në gjykatë. I pandehuri nga periferia e kryeqytetit, banues në afërsi të Dajtit, akuzohet se ka konsumuar veprën penale “rrëmbim personi”. Sipas hetimeve të zhvilluara nga policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, ngjarja ka ndodhur më 9 shtator 2008. Atë mbrëmje, rreth orës 20:30, shtetasi Y.Seferi, pasi ka përcjellë dy punëtorë të lokalit ku punonte, ka parkuar makinën e tij pranë lokalit të quajtur “Dajti Park”. Më pas ai është nisur në këmbë për në shtëpi. Banesa ishte rreth 300 metra larg vendit ku ndodhej i dëmtuari. Rrugës, ai është ndeshur me pengmarrësin Saba Shkoza që mbante një armë automatik në dorë dhe ishte veshur me rroba kamuflazhi. Y.Seferi është urdhëruar nga pengmarrësi të ulej barkas në tokë. Pasi ka bërë kontrollin e rrobave, autori i ngjarjes i ka zbërthyer lidhëset e këpucëve pengut dhe me to i ka lidhur duart. Rrëmbyesi e ka detyruar pengun të ecte në këmbë, por me duar të lidhura. Pengu dhe rrëmbyesi i tij kanë ecur derisa janë futur në pyll. Lëvizja më pas ka vazhduar gjatë gjithë natës deri në orën 04:00 të mëngjesit, kur rrëmbyesi dhe i dëmtuari kanë arritur në fshatin Selbë. Më pas Saba Shkoza i ka kërkuar pengut numrin e telefonit të vëllait. Nëpërmjet celularit të personit që mbahej peng, rrëmbyesi ka marrë në telefon vëllanë e të dëmtuarit E. Seferin. I akuzuari ka kërkuar në telefon 100 mijë lekë të reja, duke i thënë bashkëbiseduesit se nëse paratë nuk dorëzoheshin “vëllain nuk do ta shikosh të gjallë”. Paratë do të dorëzoheshin pas 30 minutave në vendin ku do të kërkonte rrëmbyesi. Pas gjysmë ore ecje në pyll, pengu dhe pengmarrësi kanë arritur në fshatin Percellesh, duke ndaluar në rrugën që lidh fshatrat Priskë dhe Percellesh. Në këtë kohë, Saba Shkoza ka marrë telefonin e pengut, e ka ndezur dhe me të ka telefonuar vëllain e të dëmtuarit, duke i thënë “të pres në fshatin Percellesh”. Vëllai i pengut së bashku me kushëririn e tij F.S., kanë shkuar me makinë në fshatin Percellesh dhe aty kanë dorëzuar 100 mijë lekë të reja tek Saba Shkoza. Ky i fundit, i pandehur për rrëmbim personi, i ka kthyer telefonin personit që kishte mbajtur peng dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë policia është lajmëruar për çka kishte ndodhur dhe menjëherë ishte nisur drejt vendit të ngjarjes, autori i të cilës ra në pranga një ditë më pas.
Gjurmët në shishe zbuluan pengmarrësin
TIRANE – Menjëherë pas lajmërimit për pengmarrjen, policia e kryeqytetit ka filluar hetimet për ngjarjen. Dy ditë pas rrëmbimit, oficerët e Policisë Gjyqësore kanë shkuar në vendin ku Y.Seferi ishte mbajtur peng nga autori i krimit. “Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes janë sekuestruar disa sende si dhe një shishe qelqi, në të cilën janë gjetur gjurmë papilare. Shenjat e gishtave në fjalë janë dërguar për ekspertim dhe sipas aktit shkencor ka rezultuar se ato i përkisnin të akuzuarit për ngjarjen Saba Shkoza. Prokuroria tha se ai fajësohet gjithashtu nga dëshmitë e dhëna prej të dëmtuarit që është mbajtur peng, prej vëllait të tij që dorëzoi paratë si dhe prej mikut të personit që bëri pagesën e kërkuar te pengmarrësi. Dëshmitarët, sipas akuzës, kanë identifikuar të pandehurin gjatë sqarimeve që kanë dhënë për hetuesit.

Gjurmët në shishe zbuluan pengmarrësin

TIRANE – Menjëherë pas lajmërimit për pengmarrjen policia e kryeqytetit ka filluar hetimet për ngjarjen. Dy ditë pas rrëmbimit, oficerët e policisë gjyqësore kanë shkuar në vendin ku Y.Seferi ishte mbajtur peng nga autori i krimit. “Gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes janë sekuestruar disa sende si dhe një shishe qelqi, në të cilën janë gjetur gjurme papilare. Shenjat e gishtave në fjalë janë dërguar për ekspertim dhe sipas aktit shkencor ka rezultuar se ato i përkisnin të akuzuarit për ngjarjen Saba Shkoza. Prokuroria tha se ai fajësohet gjithashtu nga dëshmitë e dhëna prej të dëmtuarit që është mbajtur peng, prej vëllait të tij që dorëzoi paratë si dhe prej mikut të personit që bëri pagesën e kërkuar tek pengmarrësi. Dëshmitarët sipas akuzës kanë identifikuar të pandehurin gjatë sqarimeve që kanë dhënë për hetuesit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›