E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionet, kategoritë që përfitojnë kompensime

Autori i Lajmit: red.
Formulari 50, 34

Baza e vlerësueshme për llogaritjen e pensioneve llogaritet si raport i shumës së pagave, për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën që njihet si periudhë sigurimi. Për periudhën e sigurimit, nga data 01.01.1994 e në vazhdim, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merret shuma e pagave për të cilat janë paguar kontributet nga data 01.01.1994 deri në fund të periudhës së sigurimit. Për periudhën e sigurimit para datës 01.01.1994, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merren pagat referuese, të përcaktuara me vendime të Këshillit të Ministrave. Në rastet kur personi i siguruar ka periudhë sigurimi para dhe pas datës 01.01.1994, baza e vlerësuar llogaritet si mesatare aritmetike e ponderuar e bazës së vlerësuar të të dyja periudhave.
Koeficienti
Çdo vit, duke filluar nga data 1 janar, baza e vlerësuar individuale indeksohet me koeficientin, që llogaritet si raport i kontributit mesatar për çdo person të siguruar, të mbledhur në vitin e fundit kalendarik, kundrejt të njëjtit tregues të vitit pararendës. Koeficientet caktohen me vendime të Këshillit të Ministrave. Shuma e pensionit të shtetit llogaritet me 75 për qind të pagës neto mesatare mujore të 3 vjetëve rresht, në 10 vitet e fundit të punës, sipas nenit 32 të Ligjit të Sigurimeve Shoqërore, (pagë të cilën e zgjedh vetë personi i interesuar që do të dalë në pension), por pa kaluar pensionin maksimal, sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave, pensioni maksimal i shtetit i pleqërisë është 16.480 lekë në muaj, pa kompensimet. Të ardhurat mujore të pensionistëve, që marrin pensione pleqërie, invaliditeti dhe familjare në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave përfshijnë dhe kompensimet deri në 5.000 lekë në muaj. Pensionistët që marrin pensione të pjesshme pleqërie, invaliditeti dhe familjar përfshi dhe kompensimet që para datës 01.01.2007 kanë marrë të ardhura mujore nën 4.310 lekë në muaj u është shtuar shuma deri 690 lekë në muaj.
Kompensimet
Përveç pensionit, pensionistët përfitojnë edhe kompensime për vete dhe personat në ngarkim nga ndryshimi i çmimit të lëndëve djegëse, energjisë elektrike, të bukës dhe të artikujve të tjerë ushqimorë sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave. Ndërsa gjatë kohës që nuk kanë dalë në pension, të punësuarit në sektorin buxhetor përfitojnë kompensime për personat në ngarkim, sipas Vendimit të KM, Nr.499 datë 13.08.1998 dhe vendimit të KM Nr.683, datë 28.10.1998. Sipas këtyre vendimeve, quhen persona në ngarkim të pensionistëve: Fëmijët nën moshën 18 vjeç, ose deri në 25 vjeç kur vazhdojnë shkollën ditën, nipat dhe mbesat, kur nuk i kanë prindërit, të cilët bashkëjetojnë me pensionistin dhe janë nën moshën 18 vjeç, ose deri në 25 vjeç kur vazhdojnë shkollën ditën, bashkëshorti, prindërit, njerku e njerka që nuk kanë të ardhura. Të punësuarit në sektorin buxhetor, që kanë në ngarkim të tyre personat e lartpërmendur kur janë të mitur, në shkollë, pa punë marrin nga 500 lekë në muaj, por jo më shumë se 1.500 lekë në muaj, pra përfitojnë nga 500 lekë në muaj shtesë, mbi pagë, personat e tretë, të katërt dhe të pestë në ngarkim, gjë që duhet vërtetuar me certifikatën e gjendjes familjare. Përfitojnë kompensime në masën 414 lekë në muaj për çdo person në ngarkim, personat që përfitojnë ose që do të përfitojnë sipas ligjit, "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", me banim të përhershëm në qytet dhe qendra të banuara të njohura nga organet e pushtetit vendor. Përfitojnë kompensime në masën 414 lekë në muaj për çdo person në ngarkim personat që kanë përfituar pension sipas Ligjit Lr.4976, datë 29.06.1972 "Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore" dhe ata që përfitojnë ose do të përfitojnë pension sipas paragrafit të dytë të nenit 96 të Ligjit Nr.7703, datë 11.05.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë" me banim të përhershëm në qytet. Nuk përfitojnë kompensime sipas këtij vendimi pensionistët që realizojnë të ardhura nga veprimtari, ekonomike (të punësuar, punëdhënës, të vetëpunësuar ose kur kanë tokë në pronësi, përdorim, pavarësisht nga vendbanimi). Ata ose ato që marrin pension të parakohshëm, sipas ligjit të Sigurimeve Shoqërore, me arritjen e moshës, përfitojnë pension të plotë.

Sipas rregullores së re…

Pagesa e përfitimeve mujore mund të realizohet edhe mbi bazën e listë-pagesave, të cilat hartohen nga Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Në këtë rast, akti që autorizon pagesën emërtohet “Urdhërpagesë e Listuar” dhe përmban nominalisht të evidentuar në rreshta, të gjitha të dhënat e urdhërpagesës individuale. Në këto raste, urdhërpagesat individuale, që autorizojnë pagesën e një përfitimi, mbahen në zyrën e Financës, evidentohen në një regjistër progresiv dhe shërbejnë si bazë për ndërtimin e urdhërpagesës së listuar dhe kontrollin e ligjshmërisë së pagesave të kryera. Pensionet e pleqërisë, të invaliditetit dhe familjar paguhen në Postën Shqiptare sh.a ose në bankat e nivelit të dytë. Pagesa e pensioneve bëhet sipas dispozitave ligjore në fuqi në fushën e pagesave dhe sipas rregullave të përcaktuara në marrëveshje të posaçme të lidhur midis ISSH-së dhe agjentëve pagues të zgjedhur. Pensionet e pleqërisë, të invaliditetit dhe familjar, të caktuara nga data 1.1.2006 e në vazhdim, me kërkesë të pensionistit, përveç postës, mund të paguhen edhe në bankat e nivelit të dytë me të cilat ISSH-ja ka një marrëveshje. Për rastet kur e drejta për përfitimin e pensionit apo përfitimeve të tjera fillon më vonë se data 1 e muajit, shuma e përfitimeve llogaritet dhe autorizohet për pagesë vetëm për ditët e tjera që mbeten nga data e caktuar deri në fund të muajit, p.sh. kur e drejta e pensionit fillon më datë 13 të muajit, atëherë pensioni llogaritet dhe paguhet për 18 ditë të muajit të parë, ndërsa për muajt e tjerë pensioni paguhet i plotë. Për efekt llogaritjeje, shuma e përfitimit mujor pjesëtohet me 30 ditë dhe shumëzohet me numrin e ditëve që duhet të paguhet. Kur pensioni mbyllet për shkak se pensionisti vdes ose i hiqet grupi i invaliditetit para kohe etj, nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore plotësohet urdhërmbyllja në tri kopje, nga të cilat një kopje mbahet në DRSSH dhe dy dërgohen zyrtarisht në qendrën paguese. Mbas konfirmimit zyrtar të periudhës së fundit të pagesave të kryera, në përputhje me kërkesat e përcaktuara në dokumentin “Urdhër Mbyllje”, qendra e pagesës mban vetë një kopje të tij, e lidh dhe e arkivon në arkivin e saj së bashku me urdhërpagesën e mbyllur, ndërsa një kopje e dërgon zyrtarisht në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, nga e cila përdoret për të llogaritur diferencat apo për të kryer veprimet administrative përkatëse të mbylljes së pensionit. Në të njëjtën mënyrë veprohet edhe në rastet kur pensioni paguhet nga ndërmarrjet, siç është rasti për invalidët e pjesshëm.

Ky lajm është publikuar: 19/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›