Heshtje në BDI për ministrat
BDI akoma nuk ka dhënë asnjë informacion zyrtar lidhur me mundësinë e nominimeve të sigurta për ministra të kabinetit të ri qeveritar të Maqedonisë.
Në selinë e kësaj partie po mbretëron heshtja dhe se nuk jepen detaje të negociatave, por edhe propozimeve për formimin e koalicionit dhe caktimin e kandidaturave për ministra.
Një zyrtar i lartë i “integristëve” deklaroi se kryesia e ngushtë po shqyrton kandidaturat dhe se gjithçka do të jetë transparente në momentin kur përfundon procesi i nominimeve dhe miratimit nga ana e kryesisë partiake.
“Së shpejti do të jenë detajet dhe se deri në fund të javës do të përfundojë gjithçka”, theksoi zyrtari i lartë i BDI-së.
Sipas burimeve partiake, emrat e përmendur për ministra të rinj nga disa media pjesërisht janë të vërteta, por sipas tyre, shumë kandidatura janë në shqyrtim e sipër, duke i dhënë përparësi siç thuhet kuadrove të reja të profilizuara dhe profesionale.
Deri tani për zëvendëskryeministra për Marrëveshjen e Ohrit janë përmendur Abdilaqim Ademi, Musa Xhaferi dhe Nevzat Bejta, ndërsa zëvendëskryeministre për euro-integrime Teuta Arifi dhe Ermira Mehmeti – Devaja.
Kandidaturat e tjera janë emra të ndryshëm brenda këtij subjekti politik.