E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata liron tre ambientalistët

Apeli lë me detyrim paraqitjeje përfaqësuesit e Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës

VLORË - Aleancistët e arrestuar dy javë më parë lanë dje qelitë e burgut të Rrogozhinës dhe iu rikthyen lirisë, edhe pse me kusht. Pas apelimit të masës së sigurisë së dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë, “burg pa afat”, Gjykata e Apelit u dha dje Sadrit Danajt, Eneid Hamzait dhe Besnik Lulës masën e lirisë me kusht, me detyrim paraqitjeje dhe garanci pasurore. Seancat gjyqësore në ngarkim të tre krerëve të Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës u zhvilluan të ndara, ndërsa mësohet se edhe prokurori i çështjes, Dorian Tafil,i pranoi kërkesën e mbrojtjes. duke motivuar se masa e sigurisë e dhënë më parë, është më e madhe nga ajo që parashikohet për veprat penale: “organizmit të tubimeve të paligjshme” dhe “bllokim të qarkullimit të automjeteve”. Duke qenë se Eneid Hamzai është student, në ngarkim të tij u la vetëm masa e sigurisë “detyrim paraqitjeje”, duke përjashtuar kështu shumën prej 200 mijë lekësh të reja, të propozuar fillimisht nga avokati mbrojtës për garanci pasurore. Ndërsa për Sadrit Danaj, masa e sigurisë së dhënë është “detyrim paraqitjeje dhe një garanci pasurore prej 1 milion lekësh të reja”. Edhe ndaj Besnik Lulës, avokati i tij mbrojtës kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë, që gjithashtu u pranua vetëm me “detyrim paraqitjeje”. Tre të pandehurit do të paraqiten pranë Gjykatës së Vlorës çdo të enjte në orën 13:00, deri në përfundim të hetimit dhe gjykimit të çështjes së tyre. Ndërkaq, kërkesa për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj Viron Ferhatit, i cili ndodhet aktualisht në “arrest shtëpie”, u shty për shqyrtim për ditën e enjte.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›