Një fitore e vogël shqiptare
Skënder Minxhozi
Në fillimet e fushatës elektorale amerikane, atëherë kur projektorët ishin të fokusuar në betejën brenda krahut demokrat mes Obamës dhe Klintonit, shumë shqiptarë (sidomos komuniteti ynë në SHBA) e shihnin të dyzuar këtë garë mes të resë intriguese që avanconte dhe “të vjetrës” që i mbante lidhur shpirtërisht për shumë arsye. E reja ishte padyshim senatori me ngjyrë nga Ilinois, që propozonte një kthesë radikale në politikën dhe lidershipin amerikan, pas tetë vjetësh administrate republikane të Presidentit Bush. “E vjetra”, nëse vërtet mund të quhet kështu, përfaqësohej nga senatorja e Nju Jorkut, ish-zonjë e parë e Amerikës, e cila synonte Shtëpinë e Bardhë në emër të eksperiencës dhe mbiemrit të saj të famshëm. Këto dy oferta e ndanë rrezikshëm jo vetëm votën e moderuar shqiptare brenda SHBA, por edhe humoret e simpatitë e disa miliona të tjerëve në Shqipëri e Kosovë. Sot ne e dimë sesi ka përfunduar kjo përballje emocionuese. Obama fitoi edhe mbi Klintonin, edhe mbi Mekejnin, duke marrë një lumë votash dhe një valë të madhe përkrahjeje popullore, jo vetëm brenda vendit të tij të madh, por edhe në pjesën tjetër të botës. Dikush shpejtoi të thotë se fitoi një modë dhe jo një propozim, dikush tjetër vazhdon të besojë se ka triumfuar një filozofi e re drejtimi në vendin më të fuqishëm të botës, e bazuar jo më tek “shembulli i forcës, por tek forca e shembullit”, siç deklaronte në mes të fushatës ish-presidenti Klinton.
Megjithatë, ne shqiptarët kemi arritur mesa duket një fitore të vogël në 24 orët e fundit, pikërisht sa i përket administratës së re Obama. Presidenti i zgjedhur njoftoi dje publikisht emërimin e Hilari Klintonit, rivales së tij të dikurshme, në postin e Sekretares së Shtetit. Obama veproi, sipas komenteve të shumë analistëve, ashtu siç kishte vepruar shumë kohë para tij, më 1861, presidenti Lin-koln, i cili pas fitores në zgjedhjet presidenciale, ftoi në administratën e tij rivalët e tij kryesorë.
I parë në mënyrën më pragmatiste, nga këndvështrimi i interesave aktuale dhe perspektive të shqiptarëve, ngjitja e Hilari Klinton në postin e shefes së diplomacisë amerikane është një lajm mjaft i mirë për Tiranën dhe Prishtinën. Guxojmë të themi, po nga i njëjti këndvështrim, se ky nuk mund të jetë një lajm po kaq i mirë për Beogradin dhe të gjithë ata faktorë diplomatikë që kanë tentuar gjatë muajve të fundit me të gjitha mënyrat, që t’i vendosin gurë në rrugën e avancimit të dosjes shqiptare në Ballkan.
Pozicioni i Klintonëve, i çiftit Klinton, ndaj shqiptarëve dhe interesave të tyre, nuk ka brenda kurrfarë misteri. Miq dhe mbrojtës të afishuar të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe të të gjithë shqiptarëve në Ballkan, Klintonët, si dhe personazhe të tillë Ollbrajt, Hollbruk e Biden, kanë qenë për shumë kohë armiqtë e pashpallur të palës serbe. Nga pozita e presidentit të SHBA, Bill Klinton kreu një akt historik në prill 1999, duke hedhur bomba në tokën europiane, gjysmë shekulli pas Luftës së Dytë Botërore, pikërisht për t’i dalë në mbrojtje një populli që po ikte nga shtëpitë dhe pronat, për shkak të një politike të pastër genocidi. Kemi parë të ndodhë një kasaphanë e ngjashme me atë të Kosovës të vitit 1999 në shumë pjesë të botës së djeshme dhe të sotme, por nuk kemi parë që të goditen qeveri dhe shtete brenda Kontinentit të Vjetër për këtë arsye. Ajo që bëri Bill Klinton dhe që shpresohet të bëjë sot e tutje bashkëshortja e tij, është një motiv i natyrshëm dhe i justifikueshëm shprese, se administrata e re e presidentit disi të çuditshëm dhe të pazakontë për shqiptarët, Barak Obama, do të dijë të marrë parasysh sensibilitetet dhe interesat historike e perspektive, edhe të kësaj pjese të botës. Kosova po kalon një moment delikat në rrugën e afirmimit të saj si shtet. Përçapjet diplomatike për të krijuar artificialisht një tjetër realitet brenda dhe rreth Kosovës, po prodhojnë një paqartësi të panevojshme lidhur me të ardhmen e shtetit më të ri të Europës. Vakumi i shpjegueshëm aktual në kokën e administratës amerikane, ka shtyrë jo pak njerëz që të besojnë se ky element e ka influencuar disi këtë ofensivë diplomatike ruso-serbe, në drejtim të devijimit të objektivave reale të Pakos së Ahtisarit. Marrja në dorë e situatës nga sekretarja e re e shtetit, konsiderohet si një prezencë e rëndësishme dhe vendimtare në këtë lojë force mes asaj pjese të komunitetit ndërkombëtar që mendon se Kosova e ka gjetur tashmë shtratin e saj si subjekt i të drejtës ndërkombë-tare dhe pjesës tjetër, që synon të bëjë disa lëshime të tjera ndaj Serbisë, për ta shkëputur nga influenca ruse. Duke mos e limituar padrejtësisht përkrahjen e pritshme të Sekretares së re të Shtetit ndaj shqiptarëve, vetëm tek çështja kosovare, mund të shpresohet me të drejtë se sekretarja Klinton do të dijë t’i japë stafit të ri të presidentit Obama, përfshirë edhe vetë presidentin amerikan, një vizion të drejtë mbi kauzën, apo më mirë, kauzat shqiptare në Ballkan. Diplomacia amerikane pritet të jetë sërish e fokusuar më së shumti në rajone larg gadishullit tonë. Në kushte të tilla, një sekretare shteti, e cila e ka të qartë thelbin e zhvillimeve në pjesën tonë të botës, do të ishte tejet e rëndësishme për ta mbajtur brenda axhendës amerikane edhe këtë cep të Europës. Një domosdoshmëri gjithnjë e mprehtë dhe aktuale, kur shihet se fitili në fuçinë ballkanike ende nuk është shuar një herë e mirë.