E Diel, 1 Nëntor 2026

ZMQ: Grosistët e naftës, kompromise abuzive me çmimet

 

Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve proteston për çmimin e lartë të naftës në tregun shqiptar. Ndërsa në tregun ndërkombëtar, kuotat e karburanteve kanë pësuar një rënie të thellë, tek ne ato  vijojnë të jenë të palëvizshme. Gjithçka për arsye përfitimi nga një grup grosistësh. “Kompanitë e naftës  në Shqipëri bien dakord me njëra-tjetrën për çmimet. Kjo marrëveshje shprehet qartë në uljen dhe ngritjen të njëtrajtshme dhe të njëkohshme të çmimit të naftës dhe nenprodukteve në të gjitha pikat e shitjes së këtyre kompanive” bën me dije ZMQ, pas një sondazhi në treg. Në këtë kuadër, kjo organizatë i kërkon qeverisë të marrë masat e duhura ligjore për shmangien e situatës, duke ulur akcizën në favor të konsumatorëve, madje që institucionet përkatëse të ndëshkojnë abuzuesit me gjoba të rënda. Ndërkaq, drejtuesit e saj kanë  bërë  bërë thirrje për bojkot të blerjes së karburantit. Sipas sondazhit të ZMQ-së, tre të katërtat e drejtuesve nuk kanë furnizuar dje makinat e tyre. Kjo është vetëm hallka e parë e protestës, ndërkohë që paralajmërohet se ajo do të përshkallëzohet  “Çmimet abuzive godasin xhepat e të gjithë shqiptarëve. Duhet të ndërhyjë qeveria për të zgjidhur këtë problem që rëndon të gjithë qytetarët. Nëse nuk ndryshon asgjë, ne do të protestojmë përpara institucioneve përkatëse. Kjo ishte vetëm hallka e parë dhe ka solidarizim të plotë”, pohuan drejtuesit e ZMQ. Kanë qenë ankesat e konsumatorëve shqiptarë në lidhje me çmimin tepër të lartë të naftës dhe nënproduktet e saj, që kanë shtyrë këtë organizatë të marrë një nisëm të tillë  “Çmimi ulet dhe ngrihet nga një dorë në të njëjtën orë në qindra pika karburanti në gjithë Shqipërinë”, thuhet në deklaratën për mediat. Sipas saj, situata që paraqitet në treg është skandaloze dhe po kontrollohet tërësisht nga kartelet që sot operojnë në këtë treg. “Po kështu organet shtetërore vazhdojnë të mungojnë në përmbushjen e detyrës së tyre thelbësore, atë të rregullatorit dhe të arbitrit në mbrojtje të interesave të konsumatorëve” - thonë krerët e ZMQ. Është evidentuar gjithashtu se mangësitë për këtë pasqyrohen dhe në ligjin aktual, gjë që sipas ZMQ favorizon mundësinë që shoqëri grosiste, të përcaktojnë me lehtësi edhe çmimet e pakicës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›