Avokatët Zef Nikaj e genc Gjokutaj: Prokuroria ka shkelur funksionet kushtetuese, duke zvarritur hetimet për ministrin Basha

I paprecedentë akti i Prokurorisë së Përgjithshme, që kërkon me ngulm zgjatjen e hetimeve lidhur me akuzat për rrugën Durrës-Prishtinë. Ina Rama, për 2 vite me radhë, që nga ngritja e procedimit penal ndaj ministrit Basha, nuk ka kryer asnjë funksion hetimor, përveçse e ka zvarritur atë në mënyrë të pakuptimtë, duke rendur më tepër pas deklaratave apo presioneve me ngjyrime politike, që dalin nga zyra e Edi Ramës
Procedimi penal, ndaj ministrit të Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, përveçse po bazohet në akuza të frustruara nga opozita, Prokuroria e Përgjithshme, ka shënuar edhe një tjetër akt të paprecedentë, duke zgjatur hetimet deri në limitet e afatit maksimal, dhe njëherazi duke shkelur hapur funksionet e saj kushtetuese, pasi realisht afati normal i hetimit të një çështje është tre muaj. Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, për pushimin e çështjes, Prokuroria e Përgjithshme apeloi vendimin dhe tashmë, megjithëse e vonuar në kohë, pretendon se ka prova të mjaftueshme për të faktuar përgjegjësinë e ministrit Basha.
Proçes i montuar politikisht/Prokuroria e Përgjithshme nuk di të japë një argument konkret dhe serioz, për mënyrën se si po e zvarrit çështjen e hetimeve të rrugës Durrës-Kukës. Organi i akuzës, si organ tërësisht përgjegjës për çështjen në fjalë, zgjati përtej çdo norme të lejuar afati kohor, hetimet ndaj ish-ministrit të Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve, aktualisht ministër i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, pas akuzave politike të palës opozitare.
Përveç përgjegjësisë për ta trajuar këtë cështje dhe për ta marrë në shqyrtim, Prokuroria e Përgjithshme, i është nënshtruar ditëve të fundit presionit të opozitës, dhe kryesisht presionit verbal të Edi Ramës, duke iu referuar vetëm të dhënave mashtruese që dalin nga zyra e Partisë Socialiste. Dhe pikërisht kjo përbën “kapjen” e Prokurorisë nga opozita, përderisa sa ky institucion nuk po bën punën që ka në përgjegjësi, atë të hetimit dhe ngritjes së akuzave, por po abuzon me funksionin e saj Kushtetues, duke u bërë palë me opozitën.
Veprimet antiligjore të Prokurorisë/Pas deklaratës së Prokurorisë së Përgjithshme në kuadër të procedimit penal nr.1 të vitit 2007, ndaj ministrit Lulzim Basha dhe ish drejtorit të Përgjithshmë të Rrugëve, Andi Toma, dy përfaqësuesit ligjorë, Zef Nikaj dhe Genc Gjokutaj, deklarojnë se procedimi penal i lartpërmendur, është regjistruar që në muajin janar të vitit 2007. Në këtë kuadër, bazuar në ligjin procedural penal, dy avokatët nënvizojnë se afati normal i hetimit të një çështje është tre muaj. Brenda këtij afati duhet të përfundojë hetimin në një nga mënyrat që parashikon ligji: pushim ose dërgim të çështjes në gjyq. Nga ana e prokurorisë janë marrë zgjatje të njëpasnjëshme të afatit hetimor, duke e çuar hetimin në limitet e afatit maksimal 2 vjeçar, rast ky i paprecedent në historinë e drejtësisë shqiptare. Kësisoj, dy përfaqësuesit ligjor të z.Basha dhe z.Toma, vërejnë se Prokuroria e Përgjithshme, në shkelje të funksioneve të saj kushtetuese, në vend të hetimit të shpejtë dhe objektiv të çështjes, qëllimisht ka zvarritur përfundimin e saj. Sipas tyre, kjo zvarritje u vërtetua përfundimisht në rrugë gjyqësore me vendimin nr. 1495, datë 18.11.2008 të Gjykatës së Tiranës e cila urdhëroi mbylljen e hetimeve për këtë çështje. Si pasojë, çështja në fjalë, për shkak të mos ushtrimit të ndjekjes penale në kohë dhe brenda afateve, për motive qartësisht jo ligjore dhe me prapavijë politike, për faj tërësisht të prokurorisë ka dalë jashtë çdo lloj shtrati procedurial. E gjendur para kësaj situate prokuroria në vazhdën e saj antiligjore po tenton të mbrojë veprimet e saj thellësisht arbitrare dhe antiligjore.
Kodi i Procedurës Penale/Sipas kodit të Procedurës Penale, parashikohet se mund të ketë përfundim të hetimeve me vendim pushimi ose dërgimin e çështjes në gjykatë, ndërsa Prokuroria pretendon që njoftimi i akuzës është akt procedural dhe jo veprim hetimor dhe si i tillë mund të kryhet edhe jashtë afateve. Vendimi i pushimit ose dërgimi i cështjes në gjykatë, duhet të kryehet brenda afatit të hetimeve. Por që një vendim i tillë të merret, duhet që paraprakisht të jetë kryer njoftimi i akuzës së shtetasve, madje të jenë njohur ata paraprakisht. Kjo do të thotë që akti i njoftimit të akuzës duhet patjetër të kryhet brenda afatit të hetimeve.
Prokuroria duhet të kishte përfunduar hetimet para datës 6 nëntor/Bazuar dhe në vendimin e gjykatës së shkallës së parë, data e fundit në të cilën prokuroria mund të përfundonte veprimet ka qenë e enjte 6 nëntor 2008. Çdo njoftim akuze duhej të bëhej para datës 6 nëntor 2008. Tashmë që jemi jashtë afatit të hetimeve çdo vendim apo akt për njoftim akuze është në shkelje të ligjit dhe përbën një abuzim flagrant. Ndërsa, për sa i përket pretendimit që vendimi i gjykatës nr. 1495, datë 18.11.2008 nuk i shtrin efektet mbi z. Basha, ky është një pretendim absurd, jo logjik dhe jo ligjor. Gjykata ka vendosur të mos zgjasë afatin e hetimit për procedimin penal nr.1 të vitit 2007, pra gjykata i është referuar çështjes hetimore në tërësi dhe jo individëve. Ky vendim gjykate i shtrin efektet mbi procedimin në tërësi dhe mbi vetë organin e prokurorisë. Ky vendim ndalon kategorikisht organin e prokurorisë të kryejë çdo lloj veprimi hetimor ose akt procedurial që pasuron dosjen hetimore. Edhe pse prokuroria deklaron se ka bërë ankim në bazë të Kodit të Procedurës Penale ky ankim nuk pengon ekzekutimin e vendimit të gjykatës. Si përfundim, të dy përfaqësuesit ligjor të z.Basha dhe z.Toma, deklarojnë se çdo akt procedurial i ndërmarrë nga prokuroria pas datës 6 nëntor 2008 është në kundërshtim të hapur me ligjin dhe Kushtetutën. Ata theksojnë se këto veprime dhe pretendime antiligjore dhe antikushtetuese të prokurorisë manifestojnë në mënyrën më skandaloze dhe më të paprecedentë në historinë e drejtësisë shqiptare, se kemi të bëjmë me një proces të montuar politik.
...