Hetim makinave të vjedhura, sekuestrohen 27 automjete, 4 persona në pranga
Strukturat e Policisë së Shtetit në kuadër të operacionit Vjeshtë 2011 II , i cili ka si qëllim bllokimin, sekuestrimin dhe nisjen e hetimeve për automjetet e vjedhura dhe të trafikuara, si dhe bllokimin apo marrjen e masave administrative ndaj automjeteve që rezultojnë me mangësi në dokumentacion, kanë ndërmarrë një sërë masash.
Gjatë dy ditëve të fundit, nga shërbimet e ngritura në shkallë vendi janë kontrolluar dhe janë kryer verifikimet përkatëse për rreth 432 automjete të ndryshme, nga të cilat janë bllokuar 27 automjete, pasi nga verifikimi në sistemin e Interpolit kanë rezultuar të vjedhura jashtë vendit. Për të gjitha këto raste janë kryer veprimet procedurale dhe materialet i janë referuar Prokurorisë.
Janë bllokuar dhe 25 automjete të tjera, të cilat nga verifikimet e kryera kanë rezultuar me mangësi në dokumentacion.
Gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë së Shtetit është bërë e mundur të bllokohen dhe 4 armë zjarri pistoleta të llojeve të ndryshme, si dhe një sasi e konsiderueshme municioni, për të cilat janë arrestuar në flagrancë 4 shtetas.
Nga verifikimet e kryera në sistemin e Interpol automjetet kanë rezultuar të vjedhura kryesisht në Itali, Kroaci, Bullgari, Serbi, Poloni, Afrikë e Jugut etj.