Hetim parlamentar, Meta e Gjinushi kundër
Opozita duket unike për të mos pranuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për prokurorinë. Pas socialistëve, dje edhe Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Socialdemokrate dhanë të njëjtat qëndrime. Ilir Meta dhe Skënder Gjinushi e konsideruan të panevojshëm hetimin për përplasjen midis prokurorisë dhe qeverisë. Dy liderët opozitarë shprehen të shqetësuar për reagimin e mazhorancës për komision hetimor, duke e cilësuar atë si antikushtetues dhe absurd. Meta dhe Gjinushi konfirmojnë se në këtë komision nuk do të marrin pjesë përfaqësues të LSI dhe PSD-së. "Mazhoranca shqetësohet më shumë për një serb sesa për vdekjen e 26 personave të pafajshëm", nënvizoi Meta. Socialistët më parë kishin deklaruar se nuk do të bëhen pjesë e kësaj nisme të ekzekutivit.