E Shtunë, 31 Tetor 2026

NGA SERVILIZMI I DEMSHEM NE "REBELIM" TE RREZIKSHEM

Lajmet e fundit për iniciativën e Kombeve të Bashkuara për bisedime të reja në mes Kosovës dhe Serbisë për gjashtë pikat e njohura (policia, doganat, drejtësia, transporti, vija kufitare dhe trashëgimia serbe), apo për ndarje funksionale të Kosovës (propozim i Serbisë) nuk janë aspak të papritura. Përkundrazi. Ato janë rrjedhojë logjike e situatës në terren dhe zhvillim krejt normal i kësaj situate.

Që nga përfundimi i luftës, të gjithë e kanë ditur se strukturat serbe në veri të Kosovës (madje edhe në brendësi!), janë për çdo ditë duke u forcuar dhe duke lëshuar rrënjë në Kosovë dhe askush nuk është merakosur për këtë punë; askush nuk e ka bërë as hapin më të vogël për pengimin e tyre. Që nga përfundimi i luftës e deri më sot, jo vetëm që nuk është bërë asgjë për këtë problem, por ka munguar e po mungon edhe strategjia e qasje ndaj këtij problemi. Qeveritarët tanë, duke qenë bashkëfajtorë për këtë gangrenë, tërë vëmendjen e opinionit janë munduar e po mundohen ta kthejnë te pavarësia e Kosovës. Dje me shpalljen, sot me mbrojtjen e pavarësisë!

Opinioni i gjerë nuk guxon të gënjehet se pavarësia e Kosovës është në rrezik! Opinionit duhet t‘i thuhet e vërteta se nuk është në rrezik pavarësia e Kosovës (ajo tanimë ka marrë fund; këtë e di edhe Serbia dhe herët a vonë do ta pranojë), por në rrezik është territori i Kosovës.

Qeveria e sotme e Kosovës, edhe pse i ka si barrë mbi supe gabimet, servilizmin dhe paaftësinë e qeverive të kaluara, edhe pse po i shfaq edhe vetë të njëjtat simptoma, nuk guxon ta ndjekë një politikë të tillë çfarë është ndjekur deri më tani, për shkak se situata është tejet të rëndësishme dhe e rrezikshme.

Problemi i veriut të Kosovës (edhe i enklavave në brendësi) ekziston dhe nuk guxon të injorohet. Nuk mjafton dhe nuk zgjidh asgjë duke deklaruar se Kushtetuta e Kosovës e mbron integritetin territorial; nuk mjafton dhe nuk siguron asgjë deklarimi i një pjese të faktorit ndërkombëtar, se janë për ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës; nuk mjafton dhe është e dëmshme në këtë situatë të refuzohen bisedimet. Refuzimi i bisedimeve që ndodhi dje nga ana e përfaqësuesve institucionalë të Kosovës në këtë situatë nuk është asgjë tjetër pos shitje e patriotizmit nga ana e atyre që patriotizmin e kanë shitur me kohë; refuzimi i bisedimeve në këtë situatë nuk është asgjë tjetër pos vazhdim i gjendjes gangrenoze; refuzimi i bisedimeve nuk ka domethënie tjetër pos t‘u lësh duar të lira OKB-së dhe Serbisë ta zgjidhin këtë situatë dhe ata do ta zgjidhin; refuzimi i bisedimeve do të kishte pasoja shumë të rënda për popullin e Kosovës, përkundër "patriotizmit" të përfaqësuesve tanë. Dhe ato pasoja do të ishin:

1. Serbia do të merret vesh edhe pa përfaqësuesit e Kosovës me OKB-në për ndarjen funksionale të veriut (konfederalizim i Kosovës) dhe institucionet e Kosovës nuk kanë mekanizma t‘i kundërvihen një marrëveshjeje të tillë;

2. Problemi i enklavave (në mos qoftë subjekt i marrëveshjes OKB-Serbi) do të mbetej në stadin e tanishëm:

3. Problemi i Preshevës, Bujanocit e Medvegjës do të mbetej akoma i padiskutueshëm.

Pra, do të ndodhë ashtu siç ka ndodhur me Serbinë: shteti serb e pat sanksionuar në Kushtetutë sovranitetin e vet mbi Kosovën, kishte Rezolutën 1244 që ia njihte këtë sovranitet dhe gjithashtu kishte përkrahjen e një pjese të faktorit ndërkombëtar kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Por kur ajo ndodhi nuk e kishte dhe nuk e ka mekanizmin për anulimin e saj.

Në një situatë krejt identike gjendemi ne në raport me veriun e Kosovës. Prandaj, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, nëse duan ta mbrojnë seriozisht interesin e vërtetë të shumicës dërrmuese të popullsisë së Kosovës, në vend se të shesin patriotizëm e rebelizëm të paarsyeshëm, duhet që t‘i mbledhin të gjitha forcat politike në Kosovë, si dhe të gjitha forcat politike nga Presheva, Bujanoci e Medvegja e ta hartojnë interesin strategjik të Kosovës në situatën e dhënë.

Interesi strategjik i Kosovës kërkon zgjidhjen përfundimtare të problemit shqiptaro-serb. Kjo zgjidhje do t‘i kontribuonte të dy vendeve për një zhvillim normal.

Interesi strategjik i Kosovës do të duhej të mbështetej në realitetet e pamohueshme:

-Presheva, Bujanoci e Medvegja janë të banuara me shumicë shqiptare dhe kanë vazhdimësi territoriale më Kosovën;

-Veriu i Kosovës (pa Mitrovicën) është i banuar me shumicë serbe dhe ka vazhdimësi territoriale me Serbinë;

-Serbët në brendësi të Kosovës janë pakicë kombëtare dhe duhet t‘i gëzojnë të drejtat e pakicës sipas konventave ndërkombëtare.

Nëse ndonjëra palë nuk është e gatshme sot të bëhet zgjidhja më e mirë (ridefinimi i kufijve Kosovë-Serbi) në bazë të këtij realiteti, atëherë, si veriu i Kosovë, ashtu edhe Presheva, Bujanoci e Medvegja duhet të gëzojnë të drejta të njëjta.

Me një interes të tillë të qartë, i cili do të shqyrtohej dhe do të aprovohej nga të gjitha forcat politike të Kosovës, përfaqësuesit e Kosovës do të hynin në bisedime pa frikë dhe do të dilnin fitimtarë, pikërisht për shkak të drejtësisë së çështjes, ndërsa refuzimi sërish do t‘i mbetej Serbisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›