E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma në arsimin, dështim apo risi?

Një miku im më thoshte se në këtë kohë i ka rënë në sy fakti, që shumë njerëz llafollogë, të paaftë, po përpiqen të përfitojnë nga punët dhe investimet e realizuara nga të tjerët. Shumë nga këta kanë pasur shanset për të realizuar reforma në interes të vendit, por, pavarësisht nga shanset që u janë dhënë, nuk i kanë realizuar ato. Këta llafollogë gjuajnë punët e mira që ndërmarrin të tjerët dhe turren të bëjnë rolin e "kritizerit", ndryshe oponentit pa alternativa dhe, meqë edhe për këtë nuk janë të zot, kalojnë shumë shpejt në pozicionin e nihilistit, me qëllimin e vetëm të përfitojnë vlera nga vlerat e të tjerëve. Në këtë mënyrë, ata mendojnë se po lartësohen si ato bimët parazitare që i qepen lisit të lartë dhe të fuqishëm, që synon dhe arrin lartësitë, me qëllimin e vetëm që në këtë mënyrë të lartësohen edhe ata.

Gjatë kësaj prag-fushate, shumë nga këta llafazanë kanë rrëmbyer lapsin e shkruajnë në rolin e kritizerëve. Kapin ndonjë fakt negativ, që natyrshëm shoqëron ndryshimet e mëdha të ndërmarra në fushën e arsimit, mundohen ta përgjithësojnë atë, ta paraqesin si dukuri tipike dhe dështim. Reformat e ndërmarra në fushën e arsimit kanë shënuar arritje dhe konsolidim nga viti në vit si ajo e Maturës Shtetërore, e altertekstit e cila këtë vit bëri të mundur shpërndarjen, shitjen dhe pajisjen e nxënësve me tekste si asnjëherë tjetër, reforma e strukturës së re arsimore, kurrikulës së re, teknologjisë së informacionit, ajo e arsimit të lartë etj.

Këto kohë, këta kalemxhinj po grijnë për rezultate dhe pritshmëri negative në arsimin bazë (kjo ndodhi dhe me altertekstin, parashikimi i radhëve, mungesës së teksteve etj. Parashikime dhe pritshmëri që nuk u realizuan).

Reforma e ndërmarrë në arsimin bazë është një reformë e suksesshme, jo se kështu do z. Pollo, që e ideoi dhe e zbatoi, porse ajo ka të gjithë kushtet për të qenë e tillë. Kuadri arsimor është përmirësuar. Në arsimin e mesëm kishte shumë mësues, të cilët kanë mbaruar universitetet e rretheve dhe janë diplomuar si mësues për arsimin bazë. Edhe formimi i tyre është për këtë nivel arsimi. Këta mësues zbritën në arsimin bazë. Në arsimin bazë u larguan mësuesit pa arsim përkatës. Pra, kemi një përmirësim të kuadrit arsimor në të gjitha hallkat e arsimit parauniversitar.

Gjatë kësaj periudhe në arsimin bazë po zbatohen programet e reja, të cilat janë më mirë në përshtatje me zhvillimin psikomotor të fëmijëve dhe përmbajnë edhe shumë elementë të tjerë në kërkesat e tyre si barazia gjinore, kërkesat për bashkëjetesë me popujt fqinjë etj., kërkesa që nuk i kanë pasur më parë.

Tekstet janë më të arrira. Larmia e tyre jep mundësi zgjedhjeje sipas nevojave. Këto tekste nuk kanë më mbingarkesat e deritanishme të trashëguara nga sistemi i mëparshëm. Eshtë ngritur tregu i teksteve shkollore, i cili është mekanizmi që do të çojë në përmirësimin e vazhdueshëm të teksteve. Investimet për bazë materiale dhe teknologjitë moderne kanë qenë më të mëdha dhe në përshtatje me programet e miratuara. Shkollat janë furnizuar me laboratorët e fizikës, kimisë, biologjisë, hartat, baza materiale për ciklin e ulët etj. E gjithë kjo është një premisë për pritshmëri më të mëdha pozitive në fushën e arsimit.

Gjatë kësaj periudhe janë ndërmarrë shumë trajnime për të ndihmuar mësuesit në përvetësimin dhe zbatimin, sipas kushteve të shkollës, të programeve dhe vendimmarrjes që ata duhet të marrin në interes të shkollës dhe fëmijëve. Kalimi i vendimmarrjes në shkollë për shumë probleme të menaxhimit të shkollës. Kalimi i vendimmarrjes te mësuesit për probleme të realizimit të mësimit, si përzgjedhja e tekstit, vendimmarrja për shpërndarjen e 10% të orëve të mësimit etj., kanë rritur përgjegjësinë e mësuesve dhe njëherazi edhe angazhimin e tyre në punë.

Gjatë kësaj periudhe janë bërë investimet të mëdha për rikonstruksionin e shkollave dhe ndërtimin e shkollave të reja në mbarë vendin, të cilat kanë përmirësuar ndjeshëm kushtet në shkollë. Rrija e ndjeshme e pagës së mësuesit gjatë kësaj periudhe ka rritur njëherazi interesin për të punuar në arsim. Janë të gjithë këta faktorë dhe të tjerë që e kanë bërë këtë reformë të suksesshme.

Llafollogët, me moralizimin e tyre, shterp u ngrenë më shumë vlerat individëve që ndërmorën këto hapa dhe risqe të mëdha për të lulëzuar moçalin, ku e kishin katandisur po këta llafollogë arsimin në Shqipëri. Ka ardhur koha që individët dhe në radhë të parë politikanët, të vlerësohen nga kontributet dhe produkti që japin dhe jo nga fjalët, lumi i të sharave dhe nihilizmi pa cak në drejtim të alternativës dhe punës së kolegëve të tyre. Këto vite treguan që në pellgun e politikës ka politikanë, të cilët treguan vlera dhe vetëm vlera në drejtimin e vendit. Do të dëshiroja të falënderoja ish-ministrin e Arsimit dhe Shkencës, z. Pollo, për kurajën, inteligjencën, përkushtimin e pafund dhe përgjegjësi që mori përsipër për të përballuar riskun e madh të ndryshimeve rrënjësore dhe reformave në sektorin e arsimit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›