E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asma: Ja si do ta ndryshoj vendin

Të gjithë e dinë që Asma al-Assad, Zonja e Parë e Sirisë, ka famën e gruas moderne dhe dëshirën për të shkuar kundër rrymës. Ajo nuk mendon kurrë të tradhtojë personazhin e saj. Lëviz gjithmonë e hipur mbi një fuoristradë të mrekullueshme gri dhe pasi vendos kufjet në vesh, i jep gaz makinës dhe thotë: "Do të shkojmë në qytet pa eskortë. Askush nuk do të na kuptojë". Në krah mban gjithmonë Leyla-n, asistenten e saj të re. Al Aqilatua Rais, sirianët e thërrasin thjesht gruaja e Presidentit. Për të përditshmen izraelite, "Haaretz", është "Zonja e Parë që la në hije Karla Brunin, kur këtë verë shkoi në Paris me bashkëshortin Bashar al-Assad dhe shënoi rikthimin e Sirisë në arenën ndërkombëtare pas shumë vitesh izolim". Ndërsa për "Paris Match": "Asma evokon imazhin e një lady Diana nga Lindja". Për më tepër, prestigjiozja "Farward", një gazetë e hebrenjve të Nju Jorkut, shkruan: "Ajo që Mishel Obama duhet të mësojë nga Asma al-Assad, gruaja me personalitet të fortë, në një nga rajonet më të ashpra të botës". Janë komplimente befasuese, duke parë kontrastin e dukshëm që është krijuar për Sirinë në 40 vitet e regjimit bat‘athist dhe periudhën e tranzicionit në të cilin është përfshirë vendi. Por, pavarësisht hapave përpara dhe bashkëpunimit me shumë vende evropiane, Damasku mbetet ende në listën e shteteve që mbështesin terrorizmin. Sigurisht që shtypi ndërkombëtar nuk e ka aspak gabim kur shkruan për Asma al-Assad se "mbi takat e holla dhe të larta me trupin e një balerine, duket thjesht e mrekullueshme". Dhe në fakt ajo lëviz gjithmonë kështu: me pak tualet të lehtë, çizme me taka të larta deri në 12 cm dhe xhinse të ngushta. "Çfarë efekti më bën kaq shumë publicitet pas periudhës së izolimit të vendit? Mendoj se jashtë vendit nuk më njohin mirë, sepse tiparet e mia janë të ngjashme me ato të pjesës më të madhe të sirianeve dhe sirianëve", thotë shpesh. Megjithatë, që kjo zonjë e parë mishëron në vetvete një aspekt liberal, e tregon më së miri edhe CV-ja e saj. Asma al-Assad është 33 vjeçe, ka lindur dhe është rritur në Londër nga një baba me profesion kardiolog dhe një nënë diplomate. E diplomuar mes të tjerash edhe për shkenca informatike, e vetmja femër në një klasë me 25 meshkuj. Sipas asaj që tregoi para se të martohej në vitin 2000 me Presidentin Assad, ishte eksperte finance në Londër, Paris dhe Nju Jork, në selinë e "Deutche Bank" dhe më pas "J.P Morgan". Jo më kot, para pak ditësh gjatë vizitës së saj në Itali, iu dha medalja e artë nga Presidenti i Republikës për rolin saj si ambasadore e jashtëzakonshme e ndryshimeve dhe angazhimin për të siguruar që rritja e ekonomike e Sirisë të ketë rëndësi të madhe edhe për gjithë botën".

Zonja Al-Assad, nuk ju duket një detyrë shumë ambicioze kjo që keni?

Ajo që ka rëndësi është që të kërkojmë se ku jemi dhe cilën rrugë duhet të ndjekim. E këtu kanë rëndësi dy faktorë. Para së gjithash gjendja e brendshme. Me këtë dua të nënkuptoj se sa të përfshirë janë qytetarët në procesin e reformave, sepse në kohën e zhvillimit të vendit ka rëndësi edhe gjendja mendore. Faktori i dytë u përket rrethanave të jashtme. Jetojmë në një vend që nuk e ka njohur ende paqen.

Sa ndikoni ju në marrjen e vendimeve nga Presidenti?

Duhet ta keni parasysh se Presidenti mbetet President, domethënë në shtëpi jemi një skuadër e përbërë nga burri dhe gruaja, që shkëmbejmë vazhdimisht idetë tona për shumë gjëra. Kontributi im në këtë fushë lidhet edhe me eksperiencën që kam grumbulluar dhe nga iniciativat që mbështes. Unë mbledh vazhdimisht informacione në terren, nga kontakti direkt që kam me njerëzit.

Thuhet se pas kthimit tuaj në Siri keni shëtitur fshehurazi në vend. Përse?

E bëra për të vendosur me njerëzit një raport që të bazohej te komunikimi. Për shumë kohë projektet apo vendimet që u takojnë atyre hartohen në zyra larg realitetit. Për shumë kohë qeveria ka marrë përgjegjësinë për të udhëhequr zhvillimin, reformat, modernizimin e vendit. Por sektori privat, ashtu si shoqëria civile, luan një rol të rëndësishëm. Kur njerëzit e ndiejnë veten të përfshirë në vendimet që u takojnë atyre, pasionohen, bëjnë kritika dhe japin këshilla. Çdo individ, pa përjashtim, është një burim që duhet shfrytëzuar.

Presidenti i Sirisë është cilësuar nga Uashingtoni si një diktator, si kreu i një shteti promotor i terrorizmit. Cila është përgjigjja juaj?

Kjo nuk është e mundur. Si mund të shpjegohet që jemi një çift që bën jetë normale, që shkon me miqtë për darkë ose në teatër, që jeton në një lagje normale, që fëmijët tanë luajnë me ata të fqinjëve, kur Presidenti është një tiran, larg njerëzve dhe popullit të tij? Këtë nuk mund ta pranoj kurrsesi.

Si është Presidenti në jetën private?

Është një baba i dashur, që kujdeset gjithmonë për familjen e tij. Nëse do t‘u tregoja se çfarë më pëlqeu tek ai, do t‘u them se është shumë optimist, ka vizion të gjerë për jetën dhe gatishmëri për të eksploruar çdo mundësi. Këto cilësi janë të domosdoshme për të gjithë, aq më tepër në një moment si ky, historik për vendin. Megjithatë u martova me të për atë çka është, jo si President.

Ju jeni myslimane, por keni studiuar në "Church of England", një shkollë e besimit kristian, ndërsa këtu në Damask frekuentoni manastirin e murgeshave. Keni raporte të mira me të krishterët?

Më falni nëse do t‘ju korrigjoj. Unë nuk kam raporte të mira me kristianët, ashtu siç nuk mund të kem një raport të mirë me veten. Siria është ndryshe nga vendet e tjera. Këtu, kristianët dhe islamikët kanë një histori të ngjashme. Janë një familje e madhe.

Zonja Al-Assad, ju keni jetuar në Evropë, larg luftërave. A ju bën kjo t‘i shihni gjërat ndryshe?

Kultura e paqes që ekziston në Evropë nuk ekziston në Lindjen e Mesme. Unë kam qenë me fat. Shpresoj që ky brez të njohë paqen e vërtetë, ashtu siç e kam njohur unë gjatë kohës që jetoja në Angli. Nëse na duhet të tregojmë se edhe vendi ynë vlen, mendoj se e meritojmë edhe këtë të drejtë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›