Hetim për çmimin e fishekëve

TIRANË - Një çështje që pritet të rëndojë ose të lehtësojë disi pozicionin e ish-drejtorit të ndërmarrjes “Meico”, Ylli Pinarit, së shpejti do të jetë pjesë e hetimit. Ky fakt konfirmohet nga burime pranë grupit hetimor, të cilat thanë se në kuadër të hetimit për evidentimin e elementeve të krimit ekonomiko-financiar do të hetohen dhe çmimet e municioneve. Kjo çështje është lënë për një fazë më të vonshme të hetimit, duke iu caktuar prokurorit të “Task Forcës”, i cili për shkak të kalimit të dosjes në Prokurorinë e Përgjithshme nuk mundi të kryejë asnjë veprim në fushën e krimit ekonomiko-financiar. Burime nga hetimi bëjnë me dije se është sekuestruar i gjithë dokumentacioni që ka të bëjë me sasinë, llojin dhe çmimin e shitjes së fishekëve të destinuar për demontim. Shitja i është bërë kompanisë amerikane “Southern Ammunition Company Inc” nga ndërmarrja shtetërore “Meico”. Paraprakisht, prokuroria dyshon se çmimi i fishekëve mund të jetë më i ulët se çmimi real i tregut, veprim i cili mund të ketë sjellë një dëm të konsiderueshëm financiar dhe, në rastin më të keq, diferenca mund të jetë ndarë mes personave të caktuar në formën e përfitimit. I gjithë dokumentacioni tashmë ndodhet në dorë të organeve hetimore, të cilët krahas pistave të tjera, do të përqendrohen edhe në vlerën e municioneve që u demontuan në fabrikën e Gërdecit. Duke iu referuar dy kontratave të lidhura mes ndërmarrjes “Meico” dhe firmës amerikane që nënkontraktoi Delijorgjin, “SAC”, rezulton se sasia e municioneve e destinuar për t’u demontuar arrin shifrën e rreth 160 milionë municione të kalibrave të ndryshëm, që nisin nga fishekët 7.62 mm deri tek predhat 152 mm. Ndërkohë që vlera e dy kontratave të firmosura nga “Meico” dhe “Southern Ammunition Company Inc” ishin përkatësisht ajo fishekëve, që kapte një vlerë prej 1 milion e 611 mijë e 200 dollarëve dhe ajo e çmontimit të predhave, e cila kapte vlerën prej gati 600 mijë dollarësh.