E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pezullohen "rojet" e Gërdecit

TIRANË - Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit i heq licencën “Vrana Security”, shoqërisë së punësuar nga “Albademil”, për të ruajtur fabrikën e Gërdecit. Vetëm tri ditë më parë, kjo drejtori ka marrë vendimin për heqjen e licencës mbi bazën ligjore të mungesës së kushteve të sigurisë në punë. Emri i Agim Vranës, drejtori i shoqërisë së policisë private “Vrana Security”, në fakt u lidh shumë shpejt me hetimet e kryera mbi tragjedinë e Gërdecit. Në kohën kur u bënë ndalimet e më pas arrestimet e para të tragjedisë, emri i tij u lakua si një ndër personat me përgjegjësi penale për ngjarjen e ndodhur, gjë që në fakt ngeli ende e paprovuar deri më tani. Shkak për t’u marrë fillimisht nën hetim u bë fakti se shoqëria “Vrana Security” ishte kompania përgjegjëse për sigurimin fizik të fabrikës së çmontimit të Gërdecit. Ndërkohë që duket paksa e çuditshme sesi “Vrana Security” kishte arritur si polici private të ruante një fabrikë çmontimi armatimesh, në një kohë që këtë “punë” duhej ta bënin struktura të ushtrisë, të cilat gjatë hetimeve të ditëve të fundit rezultoi se nuk ishin lejuar që të ushtronin kompetencat dhe detyrat e tyre në Gërdec. Ndërkohë që duket dhe po aq e çuditshme,sesi ka funksionuar kjo shoqëri në Gërdec, kur në vitin 2004 ajo ka qenë ndër të parat polici private e mirëpajisur me mjete speciale pune. Në një fjalim të fundvitit 2004, të mbajtur nga ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Drejtues Bajram Ibraj, thuhej se “Vrana Security” ishte një ndër shoqëritë e ruajtjes fizike që kanë investuar dhe kanë aplikuar teknika të reja, si p.sh. në ngritjen e sallave të drejtimit me sisteme vrojtuese, sinjalizuese, audiovizive, pajisje ndërlidhjeje etj. Në fakt, ende nuk është e qartë nëse kjo shoqëri i kishte vendosur dhe në fabrikën e tragjedisë këto pajisje, apo e kishte “mbyllur” njërin sy. Në ngjarjen e Gërdecit mbeti i vdekur edhe njëri prej punonjësve të kësaj shoqërie. Ndërkohë dje, burime zyrtare mohuan informacionet paraprake që qarkullonin “nën zë”, se Agim Vrana kishte qenë në rrethin e afërt të të njohurve të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dhe si i tillë kishte qenë kandidat ose për deputet, ose pushtetar vendor në zgjedhjet e viteve 2005 dhe 2007.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›