E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbrojtja e faunës dhe florës në Kukës. Kërkohet bashkëpunim me komunitetin

Gjuetia pa kritet në masivet pyjore të rrethit të Kukësit ka detyruar  drejtuesit e ndërmarrjes së shfrytëzimit pyjor e të shoqatës së gjuetarëve, të mblidhen sot për të vendosur masa të forta për të ndaluar këtë fenomen. "Edhe pse sezoni nuk ka nisur në masivet pyjore gjuetia thuajse nuk është ndërprerë, bile edhe me mjete shfarosëse,"- thotë kryetari i shoqatës së gjuetarëve Lulzim Lleshi. Të njëjtin shqetësim e shpreh edhe drejtori i ndërmarrjes së shfrytëzimit të rrethit Fatmir Gjana. "Sezoni i gjuetisë është në prag të fillimit, por në realitet ai nuk është ndërprerë për asnjë cast, duke dëmtuar ndjeshëm faunën e masiveve pyjore,e duke çuar drejt shfarosjes, banorë të pyllit si: kaprollin, derrin e egër, lepurin e egër, thëllënzën etj",- thotë Gjana. Ai thotë se për  ndryshimin e situatës është bërë e domosdoshme bashkëpunimi me komunitetin, aq më tepër kur rreth 60 për qind e sipërfaqes pyjore ka kaluar në përdorim të tij. Kjo edhe për faktin se gjuetia pa kriter kryhet kryesisht nga persona të ardhur nga rrethe të tjera të vendit që në çdo rast janë të shoqëruar nga banorë vendas kundrejt një shpërblimi. "Janë të shumtë persona nga rrethe të tjera të vendit, apo edhe të huaj që gjatë kësaj periudhe kanë ushtruar gjuetinë, ndonëse jashtë sezonit.Ka prej tyre që kanë edhe autorizimin e Ministrisë së Mjedisit, të cilët gjuajnë këtë periudhë kryesisht lepurin e egër e thëllënzën e fushës",- thotë Gjana. Ndërkohë, nga specialistët e ndërmarrjes së shfrytëzimit pyjor për muajin gusht janë proceduar për ndjekje penale dy persona nga Fushë Kruja që janë kapur duke ushtruar gjuetinë në masivet pyjore të këtij rrethi pa leje. Për kontrollin e situatës është e domosdoshme edhe evidentimi i saktë i përdoruesve të armëve të gjuetisë. Kështu në këtë rreth janë rreth 1300 persona që disponojnë armë gjahu, por vetëm 140 prej tyre janë të regjistruar në shoqatën e gjuetarëve të rrethit, ndërsa pjesa tjetër është krejtësisht jashtë kontrollit të shoqatës. Në realitet shoqata ka bërë përpjekje për ta vënë nën kontroll situatën përmes bashkëpunimit me specialistët e ndërmarrjes pyjore, por kjo nuk ka mjaftuar në kushtet kur banorët vendas janë ata që i shoqërojnë gjuetarët që vijnë nga rrethe të tjera të vendit, apo nga Kosova.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›