E Shtunë, 31 Tetor 2026

Batanije, çarçafë, pizhame me vulën "Nënë Tereza"

Në Spitalin Universitar ka nisur të zbatohet "reforma" në sektorin e hotelerisë. Premtimi i drejtorisë së këtij spitali ka qenë sigurimi i bazës materiale për pacientët që trajtohen aty. Për këtë, dje zyra e shtypit në këtë spital ka njoftuar se të afërmit e pacientëve do të vijnë aty vetëm me rrobat e tyre, pasi të sëmurët që do të trajtohen tashmë kanë edhe çarçafë, edhe batanije, edhe ushqim me paketim. "Mbetet shumë për të bërë ende, megjithatë në QSUT kanë filluar të shpërndahen pajisjet e reja për shtretërit e pacientëve, dyshekë, çarçafë, jastëkë dhe batanije. Çarçafët, jastëkët dhe batanijet janë të gjithë me vulë të spitalit dhe të një cilësie shumë të mirë", njofton spitali "Nënë Tereza". Sipas njoftimit, në bazë të kontratës së lidhur me një firmë private, në këtë spital po pajisen me pizhame të gjithë pacientët, pasi në kontratë ishte parashikuar edhe ky detaj. Deri më sot ka përfunduar pajisja e shtretërve me materialet e reja te spitali i sëmundjeve të brendshme (6-katëshi), spitali francez, psikiatria, kirurgjia e përgjithshme dhe po vijon shpërndarja te pavijoni i djegie-plastikës, infektivi dhe onkologjiku. "Pas përfundimit të procesit të shpërndarjes së këtyre materialeve, nuk do të jetë më nevoja që familjarët të marrin çarçafë dhe batanije nga shtëpitë e tyre, siç ka ndodhur deri më sot". Sipas QSUT-së, edhe lavanteria e spitalit, pas privatizimit të saj siguron një pastrim dhe higjienë maksimale për dezinfektimin e materialeve të shtratit për pacientët. Pas përmirësimit të cilësisë dhe shpërndarjes së ushqimit, pajisja e secilit të sëmurë me materialet bazë hotelerike, ka nisur një erë e re në qendrën spitalore më të përfolur të vendit, në mënyrë të veçantë për kushtet e higjienës, mungesave dhe trajtimit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›