Tiranë, vdes në punë babai i katër fëmijëve
Një tjetër punëtor ka gjetur vdekjen teksa saldonte në një godinë. Reshit Saliu ka qenë në katin e parë të godinës së ish-fabrikës së mishit në Tiranë, kur është shkëputur ashensori dhe i ka rënë përsipër. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme, ndërkohë që punëtori ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Burimet nga policia e kryeqytetit bënë të ditur se rreth orës 14:00 janë njoftuar se një punëtor kishte gjetur vdekjen, pasi ishte rrëzuar nga kati i parë i një ndërtese. Njoftimi është dhënë nga disa punëtorë që po kryenin punime në godinën katërkatëshe të ish-fabrikës së mishit, që ndodhet në rrugën "5 Maji", afër tregut të madh. Me t‘u njoftuar në vendin e ngjarjes kanë shkuar uniformat blu të Komisariatit nr. 4, që janë ndihmuar edhe nga seksioni i krimeve kundër jetës dhe shëndetit. Në vendin e ngjarjes është ngritur një grup hetimor që ka bërë rrethimin e skenës së krimit dhe ka nisur punën për dokumentimin e kësaj ndodhie. Sipas të dhënave nga policia, fillimisht punëtorët kanë treguar se punëtori i aksidentuar me vdekje quhet Reshit Saliu, 48 vjeç, me banim në Tiranë. Kolegët e viktimës kanë treguar se ai ka qenë duke punuar në katin e parë të godinës së lartpërmendur, kur aksidentalisht është shkëputur ashensori i vjetër, që i ka zënë këmbën 48-vjeçarit. Nga përplasja, punëtori Saliu ka rënë nga kati i parë i ndërtesës, duke u rrëzuar përdhe. Por, rënia e tij ka qenë fatale, pasi nga humbja e ekuilibrit, Reshit Saliu është përplasur me kokë. Kjo ngjarje i ka sjellë vdekjen e menjëhershme punëtorit 48-vjeçar, trupi i pajetë i të cilit është dërguar në morgun e Tiranës për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore. Nga ana tjetër, policia ka shoqëruar punëtorët e tjerë në vendin e ngjarjes, të cilët janë marrë në pyetje në lidhje me rrethanat e vdekjes së kolegut të tyre. Ata kanë rrëfyer versionet e tyre për policinë, ndërkohë që në pyetje janë marrë edhe sipërmarrësit e punimeve. Sipas të dhënave, deri në orët e vona policia nuk kishte marrë ndonjë masë për përgjegjës të kësaj ngjarjeje, por ka shtuar edhe një tjetër viktimë në bilancin e të vdekurve në punë. Reshit Saliu, babai i katër fëmijëve dhe me banim në Tiranë, kishte disa kohë që punonte si saldator dhe kohët e fundit po kryente punime në godinën e ish-fabrikës së mishit.