Pyeten punonjësit e mbijetuar të Gërdecit
Merren në pyetje të gjithë punëtorët e firmës së çmontimit të armëve, të cilët mbijetuan nga tragjedia e Gërdecit. Grupi hetimor, i ngritur për dokumentimin e kësaj ngjarjeje të rëndë tragjike, ka shkuar dje në fshatin Gërdec, ku ka bërë edhe këqyrjen e vendit të ngjarjes. Burimet nga prokuroria bënë të ditur se nga ana tjetër oficerët e policisë kanë marrë listën e gjithë punëtorëve të mbijetuar të firmës, e cila kishte marrë përsipër çmontimin e municioneve në fabrikën e ndërtuar në Gërdec. Këta punëtorë tashmë kanë nisur të merren në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore, në lidhje me të gjitha rrethanat që çuan në këtë ngjarje tragjike. Sipas të dhënave, grupi hetimor do të pyesë punëtorët në lidhje me shkakun që solli shpërthimin e fuqishëm të municioneve, me kushtet e punës dhe probleme të tjera që kanë lidhje me këtë tragjedi.