Aksidentet, plagosen tri persona
Tri aksidente të shënuara në Tiranë kanë sjellë plagosjen e tri personave, ndërkohë që policia po punon për kapjen e njërit prej drejtuesve të mjeteve që shkaktuan aksidentet. Burimet policore thanë se nga Shërbimet e Policisë Rrugore janë kryer veprimet procedurale dhe dërguar materialet në prokurori për 3 aksidente të ndodhura në qytetin e Tiranës. Në Rrugën e Durrësit, pranë selisë së Komunitetit Evropian, një automjet i paidentifikuar ka aksidentuar një 22-vjeçar. Policia tha se po punohet për identifikimin e mjetit dhe kapjen e autorit. Po në Rrugën e Durrësit, pranë kryqëzimit të Laprakës, rreth orës 11:00, automjeti tip "Mercedes Benz", me targë TR3916K, ka aksidentuar një kalimtare. Drejtuesi i mjetit, Altin Z., 27 vjeç, është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale të "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor". Gjithashtu, rreth orës 16:30, në rrugën "Ali Demi", pranë shkollës "Kushtrimi i Lirisë", automjeti "Opel Corsa", me targë TR9127N, ka përplasur motorin "Zonkshem", duke aksidentuar pasagjerin e motorit. Drejtuesi i mjetit, Skënder Gj., 44 vjeç, është proceduar në gjendje të lirë. Të tre të aksidentuarit janë dërguar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.