E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimet e pronave në Kashar, sekuestrohet kadastra qendrore

Abuzimet e pronave në Komunën e
Kasharit në Tiranë kanë detyruar
hetuesit e çështjes që të kontrollojnë
zyrën e përgjithshme të kadastrave
në Fushë-Krujë, për të marrë prej andej
dokumente që hedhin dritë për mbivendosjet.
Burime të konfirmuara nga Prokuroria
e Tiranës thanë dje se disa hetues
kanë shkuar në Drejtorinë e Tokave dhe
kanë kontrolluar sipërfaqet në Komunën
e Kasharit. Dokumentet e marra në
Fushë-Krujë do të ballafaqohen me ato
në Komunën Kashar, pasi dyshohet se i
gjithë dokumentacioni i bllokua në këtë
komunë është i falsifikuar. Prokuroria e
Tiranës tha dje se, krahas dosjes së parë
të Kasharit, që është dërguar në gjykatë,
një tjetër material voluminoz, me 30 denoncime
të banorëve, gjendet në zyrat e
hetuesve, të cilët kanë shkuar në terren
për të verifikuar parcelat e tokës që pretendohet
se është mbivendosur. "Oficerët
e policisë gjyqësore kanë shkuar në terren
për të verifikuar çdo centimetër tokë,
e dyshuar si e mbivendosur nga krerët
vendorë, gjatë periudhës 2000-2007.
Pretendimet e banorëve po krahasohen
me të dhënat e marra në komunë. Nga
verifikimet e rastit, ka të dhëna se zyrtarët
e arrestuar, krahas abuzimeve të mëparshme,
kanë mbivendosur edhe dhjetëra
dynymë tokë truall me vlera të mëdha",
thanë burimet nga akuza. Sipas tyre, ndër
to është edhe denoncimi i familjes së Gani
Kamberit, sipas të cilëve, kryekomunarët
e Kasharit kanë mbivendosur 9 mijë metra
katrorë. Sipas njësisë antikorrupsion në
Prokurorinë e Tiranës, e pagëzuar Task-
Forca, dosja implikon ish-krerët e kësaj
komune, të cilët, gjatë mandateve të tyre
nga viti 2000-2007, kanë tjetërsuar pronësinë
e rreth 18 hektarëve tokë në pronësi
të rreth 60 banorëve të zonës. Kamberi
kishte pasur konflikte të ashpra me krerët
e komunës, madje edhe konfrontime
fizike me njerëz të afërt të drejtuesve të
pushtetit lokal. Ndërkohë, organi i akuzës
deklaron se së bashku me përgjimet
telefonike dhe denoncimet e banorëve
të zonës, edhe harta e sekuestruar do t‘i
nënshtrohet sërish një ekspertize në terren,
ku do të përcaktohen të gjitha trojet
e mbivendosura nga krerët dhe ish-krerët
e Komunës së Kasharit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›