E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama, fjalimi i parë si President

Nëse ka ende ndonjë mes jush që
ende dyshon se Amerika është
vendi ku gjithçka është e mundur,
që dyshon se ëndrra e themeluesve tanë
është ende gjallë, që vë në pikëpyetje fuqinë
e demokracisë, ai dikush do ta marrë
sonte përgjigjen.
Është përgjigjja që del nga radhët e gjata
të njerëzve nëpër shkolla e kisha, me një
pjesëmarrje të paparë ndonjëherë nga ky
komb, nga ata njerëz që qëndruan me orë
të tëra në pritje për të votuar, të nxitur nga
besimi se këtë herë gjërat duhet të jenë
ndryshe, se zërat e tyre do të jenë ndryshimi.
Është përgjigjja që jep plak e i ri, i
pasur e i varfër, demokrat e republikan, i
bardhë e i zi, hispanik, aziatik, amerikan
vendas, homoseksual, heteroseksual,
sakat, apo i saktë, është mesazhi që
përçojnë amerikanët në botë se ne nuk
kemi qenë kurrë thjesht një grup individësh,
apo grup shtetesh, ca të kuq e ca
blu. Ne jemi dhe do të jemi gjithmonë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është
përgjigjja e atyre që u është thënë për një
kohë të gjatë e me shumë ngulm të jenë
cinikë dhe dyshues ndaj asaj çka mund të
arrihet: vënies dorë në harkun e historisë
dhe përthyerjes së tij për kah shpresa dhe
ditët më të mira. U desh një kohë e gjatë
për t‘ia mbërritur këtij momenti, por sonte,
si rezultat i asaj çka bëmë në këtë datë,
gjatë këtyre zgjedhjeve në këtë moment,
ndryshimi ka ardhur në Amerikë. Në fillim
të kësaj mbrëmjeje mora një telefonatë
jashtëzakonisht të këndshme nga senatori
MekKejn. Ai punoi dhe dha shumë në
këtë fushatë. Në këtë mënyrë ka luftuar
gjithmonë për vendin që do. Për Amerikën
ka duruar sakrifica të përmasave të tilla,
që shumë prej nesh as që mund t‘i imagjinojnë.
Ne jemi mirë sot edhe falë shërbimit
të këtij lideri guximtar e altruist. Gjatë
telefonatës e urova, urova edhe guvernatoren
Sarah Palin për arritjet dhe pres që
në të ardhmen të bashkëpunoj me ta. Dua
të falënderoj edhe partnerin tim të këtij
rrugëtimi, një burrë që bëri një fushatë
nga thelbi i zemrës dhe foli për burrat e
gratë me të cilët u rrit në rrugët e Scranton,
zëvendëspresidentin e ri të Shteteve të
Bashkuara të Amerikës, Joe Biden. Nuk do
të isha sonte këtu para jush pa mbështetjen
e pareshtur të mikes sime të 16 viteve
të fundit, shkëmbit të familjes, dashurisë
së jetës sime, Zonjës së Parë të re të Shteteve
të Bashkuara, Michelle Obama.
Sasha dhe Malia ju dua fort të dyjave, më
shumë nga sa mund ta imagjinoni dhe keni
tani një qenush që do ta marrim me vete
në Shtëpinë e Bardhë. Edhe pse nuk është
më mes nesh, unë e di që gjyshja ime po
më sheh nga lart me gjithë familjen që më
bëri ai që jam sot. E di që borxhi im ndaj tyre
është i pamatshëm.
Motrën time Maya, motrën time Alma
dhe të gjithë vëllezërit e motrat, i falënderoj
shumë për mbështetjen që më
dhanë. Ju jam mirënjohës. Edhe menaxherit
të fushatës, David Plouffe, heroi i
heshtur i kësaj fushate, që bëri më të
mirën në të gjithë historinë e Shteteve të
Bashkuara të Amerikës. Shefit të
strategjisë, David Axelrod, që ka qenë
partner në çdo hap të kësaj rruge.
Skuadrës më të mirë të bërë bashkë në të
gjithë historinë e politikës, që bëri të mundur
këtë moment. Ju jam përgjithmonë
mirënjohës për të gjitha sakrificat. Por,
mbi të gjitha, nuk do të harroj ata të cilëve
u përket kjo fitore. Ajo u përket juve. Nuk
isha kandidati që kisha shanse fitoreje.
Nuk e nisëm me shumë para, apo shumë
mbështetje. Fushata jonë nuk u stis në
hollet e Uashingtonit. Ajo nisi oborreve të
Des Moines, kuzhinave të Concord-it, verandave
të Charleston-it. U formëzua nga
burra e gra punëtorë që gërmuan në kursimet
e pakta dhe ofruan ç‘kishin për
kauzën. Mori forcë nga të rinjtë që refuzuan
mitin e apatisë së breznisë së tyre,
që lanë shtëpitë e familjet për punë që u
ofronin pak para, e shumë më pak gjumë.
U forcua nga njerëzit e moshës së mesme,
që injoruan të ftohtin dhe trokitën në dyert
e botës për të formuar zinxhirin e miliona
amerikanëve që dolën vullnetarë
dhe organizuan e provuan se 2 shekuj më
pas, një qeveri e popullit, prej popullit dhe
për popullin, është sërish e mundur mbi
faqen e tokës. Kjo është fitorja jonë. Unë e
di që ju nuk e bëtë për të fituar një zgjedhje
dhe aq më pak për mua. E bëtë, sepse
kuptoni madhështinë e detyrës që na
pret. Ndërsa sonte festojmë jemi të
ndërgjegjshëm për sfidat e së nesërmes,
të cilat janë më të mëdhatë e jetës sonë:
dy luftëra, një planet në rrezik, kriza financiare
më e rëndë e shekullit. Ndërsa jemi
mbledhur sot këtu e dimë se ka amerikanë
trima që enden në shkretëtirat e Irakut
dhe malet e Afganistanit, duke rrezikuar
jetën për ne. E dimë se ka nëna e etër, që
pasi do të përcjellin për në gjumë fëmijët,
do ta kalojnë natën zgjuar, duke vrarë
mendjen se si do ta përballojnë pagesën e
kredisë, faturat e dritës, ilaçet, apo shkollën
e fëmijëve. Duhet të krijohet një
energji e re, duhet të hapen vende të reja
pune, të ngrihen shkolla, të përballohen
rreziqe e të ndreqen aleanca. Përpara na
pret një rrugëtim i gjatë. Do të ngjitemi
në rrëpira. Ndoshta nuk do t‘ia dalim për
një vit, apo qoftë edhe një mandat, por
Amerika, dhe nuk kam qenë kurrë më me
shpresë se sot, do t‘ia mbërrijë majës një
ditë. Ju premtoj se si popull do t‘ia dalim.
Do të ketë pengesa dhe fillime të vështira.
Ka shumë që nuk do të jenë dakord
me të gjitha vendimet, apo politikat që
do të ndjek si President. E dimë se qeveria
nuk mund t‘i zgjidhë të gjitha problemet,
por do të jem gjithnjë i ndershëm,
veçanërisht në rastet e mosmarrëveshjeve.
Mbi të gjitha ju ftoj që të
bashkoheni në punën e rindërtimit të
këtij kombi, bllok pas blloku, tullë pas
tulle, kallo, pas kalloje. Ajo çka nisi 21
muaj më parë në zemrën e dimrit nuk
mund të marrë fund në këtë natë vjeshte.
Kjo fitore në vetvete nuk është ndryshimi
që kërkojmë. Është vetëm shansi
që na jepet ta realizojmë këtë ndryshim.
Ai nuk mund të bëhet nëse do të vazhdojmë
me mënyrat e vjetra. Nuk mund
të ndodhë pa ju, pa një shpirt të ri shërbimi,
një shpirt të ri sakrifice. Le t‘i bëjmë
thirrje shpirtit të ri të patriotizmit, të
përgjegjësisë, ku secili prej nesh zotohet
të punojë më shumë dhe të kujdeset jo
vetëm për vete, por edhe për tjetrin. Të
mos harrojmë se nëse kriza financiare na
ka dhënë deri tani një mësim, ai është:
nuk mund të kemi një Ëall Street të begatë
me një Main Street që vuan. Në këtë
vend ne ngrihemi apo biem si komb, si
një person i vetëm. Le t‘i bëjmë ballë
joshjes që të biem sërisht në qaramanërinë
dhe papjekurinë që ka helmuar
politikën tonë prej shumë kohësh.
Le të mbajmë mend se ka qenë një burrë
nga ky shtet që mbajti flamurin e Partisë
Republikane në Shtëpinë e Bardhë, një
parti e themeluar mbi vlerat e vetëbesimit
dhe lirisë individuale e unitetit kombëtar.
Këto vlera ndahen nga të gjithë
ne dhe ndërsa Partia Demokrate ka fituar
bindshëm sot, ne jemi modestë dhe të
vendosur që të shërojmë dasitë që na
kanë zvarritur ecjen përpara. Sikundër
Lincoln i tha një kombi shumë më të
ndarë se yni sot, ne nuk jemi armiq, por
miq. Edhe pse pasioni mund të jetë
vakur, lidhjet tona të afeksionit nuk duhet
të prishen. Atyre amerikanëve që nuk
ua kam fituar votën, dua t‘u them se ua
dëgjoj zërat dhe ua kam nevojën e ndihmës,
pasi do të jem edhe Presidenti i tyre.
Ndërsa atyre që po na ndjekin sonte
përtej brigjeve tona, nga parlamentet
dhe pallatet, atyre që janë mbledhur përreth
radiove në cepat e humbur të botës,
dua t‘u them se historitë tona janë individuale,
por ndajmë bashkë të njëjtin fat
dhe agimi i ri për qeverisjen e re amerikane
sapo ka lindur. Atyre që i duan të
keqen botës u themi: do t‘ju mposhtim.
Kush kërkon paqe e siguri do ta mbështesim.
Për ata që kanë dyshime për fanarin
e shndritshëm të Amerikës, u themi:
sonte ne provuam edhe njëherë se forca e
vërtetë e kombit tonë nuk vjen nga forca e
armëve, shkalla e pasurisë, por nga fuqia
e idealeve tona: demokracia, liria, mundësia
dhe shpresa e papërkulur. Amerika
mund të ndryshojë! Ky është gjenialiteti
ynë. Bashkimi ynë mund të jetë i përsosur.
Ajo çka kemi arritur deri më tani na jep
shpresë për atë që do të arrijmë nesër. Këto
zgjedhje kanë shënuar shumë episode e
histori që do të tregohen për breza me
radhë, por tani më vjen ndër mend njëra
syresh, e një gruaje që votoi në Atlanta. Ajo
nuk është si miliona të tjerë që qëndruan
në radhët e gjata për të dhënë votën e tyre.
Atë e bën të ndryshme mosha që ka: është
106 vjeçe. Ka lindur vetëm një brez pas
heqjes së skllavërisë, një kohë kur nuk
kishte dalë ende makina në rrugë, apo
avioni në qiell, kur dikush si ajo nuk mund
të shprehej përmes votës për dy arsye: se
ishte grua dhe se e kishte lëkurën me
ngjyrë. Sonte sjell ndër mend gjithë sa kjo
grua ka parë përgjatë shekullit të saj në
Amerikë: dhimbjen dhe shpresën, luftën
dhe progresin, atëherë kur na është thënë
se: nuk mundeshim dhe njerëzit që vazhdonin
të besonin se po mundeshim. Në
atë kohë zërat e grave ishin zëra që nuk
ekzistonin dhe ëndrrat e tyre nuk merreshin
në konsideratë. Por zonja 106-
vjeçare ia doli të jetonte e të shihte se si
ndryshuan gjërat, se si "ne mundëm!" Ajo
ishte aty, në emër të shumë të tjerëve që
nuk mundën t‘ia arrinin kësaj dite, por që
përgjatë historisë u thanë dhe u
përsëritën njerëzve: "Po, ne mundemi".
Këtë vit, në këto zgjedhje, ajo hodhi votën
e saj, sepse pas 106 vitesh Amerika po
ndryshon. Po, ne mundemi. Amerikë,
kemi bërë kaq shumë rrugë, kemi parë
kaq shumë, por edhe kemi aq shumë për
të bërë. Sonte le të pyesim veten: nëse
bijtë tanë do të jetojnë aq gjatë sa ta
kapërcejnë këtë shekull, nëse vajzat e mia
do të jenë aq me fat sa edhe votuesja 106-
vjeçare, çfarë ndryshimi do të shohin? Cili
do të ketë qenë progresi ynë? Ky është
shansi që na jepet për t‘iu përgjigjur asaj
thirrjeje. Ky është momenti ynë. Kjo është
koha jonë, për t‘i rikthyer njerëzit në punë
dhe për t‘u hapur fëmijëve dyert e mundësive,
për të rikthyer begatinë dhe promovuar
kauzën e paqes, për të risjellë ëndrrën
amerikane dhe riafirmuar të
vërtetën thelbësore se ne jemi NJE, se
ndërsa marrim frymë shpresojmë. Dhe
kur të përballemi me cinizmin dhe dyshimet
e atyre që na thonë se "nuk mundemi"
do t‘u përgjigjemi me kredon e përjetshme
që ndodhet në themel të shpirtit
njerëzor: "Po, ne mundemi". Faleminderit,
Zoti ju bekoftë dhe Zoti bekoftë Shtetet
e Bashkuara të Amerikës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›