E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hetimet ndaj Xhanit

10/02/2005  

Në datën 16 janar 2004, Prokuroria e Tiranës i komunikoi Albert Xhanit akuzën e tjetërsimit të pasurisë. Lidhur me këtë akuzë, Prokuroria mori në pyetje edhe Vehbi Alimuçën, ish-presidentin e firmës piramidale “Vefa Holding”. Ai u mor në pyetje në burgun e Peqinit, ku kryen dënimin 20 vjet burg, dhënë nga gjykata e Tiranës për veprën penale “vjedhje me anë të mashtrimit”. Vetëm pak ditë pasi Xhani u mor i pandehur, organi i akuzës urdhëroi sekuestrimin e të gjitha pronave të tij në qytetin e Përmetit, ndërsa në Tiranë filluan të verifikoheshin asetet e tij të mundshme. Sipas Prokurorisë, dyshohet që Xhani ka përfituar një shumë prej rreth dhjetë milionë dollarësh amerikanë, nëpërmjet kryerjes së veprës penale të tjetërsimit të pasurisë. Kjo vepër penale, sipas organit të akuzës, është kryer gjatë tërheqjes së shumave financiare nga firma piramidale “Vefa Holding”. Sipas dëshmisë së dhënë nga Alimuça, Xhani ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet gjatë tjetërsimit të 14 objekteve të ish- firmës piramidale VEFA. Kallëzimi penal ndaj Albert Xhanit është bërë në Prokurorinë e rrethit Tiranë nga administratorët e ish-firmës piramidale, e cila ka patur si president Vehbi Alimuçën. Sipas denoncimit në mënyrë të jashtëligjshme, Xhani ka përvetësuar pasurinë e ish-firmës piramidale. Nga hetimet e Prokurorisë ka rezultuar se, Albert Xhani ka tërhequr një sasi të konsiderueshme parash tek ish-firma piramidale VEFA. Ai këto para i ka shfrytëzuar për të blerë disa objekte në rrethin e Përmetit. “Albert Xhani me paratë e VEFA-s ka blerë të gjitha ndërmarrjet që ishin funksionale në rrethin e Përmetit”, thuhet në denoncim. Bëhet fjalë për 14 ndërmarrje të ndërtuara në kohën e socializmit”, thanë dje burimet e Prokurorisë së rrethit Tiranë. Paratë, me të cilat janë blerë këto objekte, nuk i janë kthyer më VEFA-s, madje, ka ndodhur e kundërta. Pak kohë pas blerjes, Albert Xhani ia ka shitur ish-firmës piramidale VEFA të gjitha objektet e blera me një çmim më të lartë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›