Musha me aplikim nuk është shkrimi, por firma e Irenës

10/02/2005 Pas deklarimeve të Brunos, hetim edhe për paratë e humbura të Agim Mushës
TIRANË –Agim Musha, bashkëshorti i të zhdukurës Irena Seli, është paraqitur dje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku ka dhënë sqarimet e tij për dokumentet e publikuara së fundi në shtyp, lidhur me ngjarjen e 16 dhjetorit të vitit 2004. Burimet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, thanë se pas deklaratës së Agim Mushës, se Irena mund të ndodhet në Shqipëri, hetuesit kanë kërkuar sqarime për këtë moment. Pak ditë më parë, në shtyp, Agim Musha ka deklaruar dyshimet e tij se Irena Seli mund të ndodhet në Shqipëri. Kjo pas publikimit të një aplikimi familjar për llotarinë amerikane. Sipas familjes së Irenës, aplikimi ishte plotësuar nga Irena, e cila kishte hedhur në formular shkrimin e saj. Ky dokument u paraqit nga vëllai i Irenës, për krahasim me letrën tjetër, e cila lidhet me “pakon e dashurisë” për të cilën Agim Musha dhe Irena Seli kanë patur një grindje në traget, ditën që vinin nga Gjermania.
Hetimi
Edhe pse janë njohur me deklarimet e tij për shtypin, hetuesit kanë kërkuar të marrin zyrtarisht mendimet e Mushës dhe dyshimet e tij, për vendndodhjen e të shoqes. Musha ka deklaruar se në dokumentin e aplikimit për llotarinë amerikane, nuk ndodhet shkrimi i Irena Selit, por vetëm firma e saj. Musha, gjithashtu është shprehur se, ai dokument nuk është plotësuar në vitin 2002, por dyshon se është i kohëve të fundit. Ky fakt dhe firma e Irenës e njohur prej tij në dokument, e kanë bërë të dyshojë Agim Mushën se e shoqja mund të ndodhet në Shqipëri, edhe gati dy muaj pas zhdukjes. Musha ka dalë dje nga Prokuroria rreth mesditës. Prokuroria nuk dha shumë detaje lidhur me dëshminë e tij.
Hetimet për paratë
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka filluar verifikimet edhe jashtë vendit, lidhur me pretendimet e Agim Mushës dhe djalit të tij Brunos, për humbjen e një sasie parash. Në deklarimet e tij për mediat dhe Prokurorinë, Bruno ka thënë se babait të tij, pas humbjes së Irenës, i kanë humbur një sasi eurosh dhe dollarësh. Nisur nga ky fakt, hetuesit kanë qenë të detyruar të fillojnë verifikimet, duke besuar se nëse paratë janë tërhequr vërtet, atëherë mund të zbulojnë vendin ku ndodhet Irena. Prokuroria tha se nga ana e saj, ende nuk është konfirmuar humbja e parave apo tërheqja e tyre nga ndonjë llogari bankare në emër të Agim Mushës. Ky është objekti më i ri i hetimeve për zhdukjen e Irena Selit. Prokuroria e Krimeve të Rënda, është duke kryer verifikime ndërkombëtare nisur nga disa rrethana të reja, të cilët hetuesit nuk duan t'i quajnë prova, pasi nuk vlerësohen si të tilla. Irena Seli, 39 vjeçe, e shoqja e Agim Mushës, pronarit të kompleksit “Bruno” në Tiranë, është zhdukur në datën 16 dhjetor 2004, pas një udhëtimi nga porti i Triestes me traget bashkë me bashkëshortin e saj.
Daja i të zhdukurës, Shefqet Dervishi, rendit pikëpyetjet e ngjarjes dy muaj pas
“Dyshimet e mia për zhdukjen e Irenës”
TIRANË –Shefqet Dervishi, daja i të zhdukurës Irena Seli, ka renditur disa prej dyshimeve të tij për zhdukjen e mbesës 39-vjeçare. Ai thotë se nuk dëshiron të akuzojë, thjesht ka konstatuar dhe dyshon. Sipas tij, dyshimi i parë lidhet me një bisedë të Agim Mushës në familjen e tij. “Ai ka thënë se, kur Irena ka humbur në Durrës, e ka marrë në telefon dhe ajo nuk është përgjigjur”. Kjo, sipas Shefqet Dervishit është e dyshimtë, pasi Irena ditën e ardhjes nga Gjermania, nuk ka patur telefon me vete. Shefqet Dervishi thotë se janë shumë të dyshimta orët nga mbërritja në Durrës e tragetit “Venezia” në orën 14.00 me të cilin ka udhëtuar mbesa e tij deri në orën 19.00, kur Agim Musha ka mbërritur në Tiranë. Dyshimi tjetër i Shefqet Dervishit është sherri në traget. “Agimi, fillimisht e ka pohuar këtë fakt, ndërsa kohët e fundit ka filluar ta mohojë”, thotë Dervishi, daja i gruas së zhdukur. Dyshimi tjetër i tij është letra e pakos së dashurisë. Sipas Shefqetit, Agim Musha ka deklaruar për rreth një muaj se e kishte letrën e shkruar nga Irena për “të dashurin”, ndërsa ditët e fundit, Shefqeti thotë se ka lexuar në një gazetë, kur Agimi ka thënë se letrën e kishte grisur motra e tij, Drita. Dyshimi tjetër i Shefqet Dervishit, lidhur me zhdukjen e mbesës, janë sinjalet telefonike nga Amerika. Sipas tij, nëse Agim Musha ka patur sinjale nga Irena dhe këto sinjale kanë ardhur nga Amerika, atëherë Musha duhet t'i thotë numrat nga të cilët i ka marrë sinjalet, në ndihmë të gjetjes së Irenës. Shefqet Dervishi thotë se, Agim Musha, para largimit për në Gjermani, ka bërë kallëzim në Durrës për zhdukjen e Irenës, por menjëherë pas kësaj, në datën 2 janar është larguar në Gjermani, edhe pse kishte prerë biletën për në datën 5 janar. Shefqet Dervishi, thotë se një udhëtim më parë, në traget me Agimin, para ardhjes nga Gjermania në datën 16 dhjetor 2004, Irena dhe Agimi kanë patur një konflikt të ashpër mes tyre dhe prej asaj kohe mbesa e tij kishte vendosur të mos udhëtonte me traget, por çuditërisht ajo ka udhëtuar prapë.
Kronologjia
15 dhjetor 2004
Irena Seli dhe burrri i saj, Agim Musho pronar i kompleskit “Bruno”, nisen në një udhëtim nga Gjermania për në Shqipëri. Ata udhëtojnë me makinën e tyre deri në Itali, ndërsa marrin tragetin nga porti i Triestes për në Durrës.
16 dhjetor 2004
Personeli i portit të Durrësit, vulos pasaportat e dy bashkëshortëve të cilat mbërrijnë në Durrës. Agim Musho thotë se gruaja është larguar në këtë moment, pasi e kishte lënë tek makina. Familja e Irenës, thotë se ajo nuk ka mbërritur në Durrës.
20 dhjetor 2004
Pas publikimit të ngjarjes, Agim Musho paraqitet në komisariatin e policisë numër 2 të Tiranës dhe denoncon zhdukjen e gruas, katër ditë pas ngjarjes. Policia fillon veprimet e para të hetimit, pyetet paraprakisht Agim Musho për rrethanat e ngjarjes.
23 dhjetor 2004
Pasi mësojnë se bashkëshorti i Irenës ishte larguar në Gjermani, familja e të zhdukurës shkon në Durrës dhe bën kallëzim penal për ngjajen. Hetuesit e policisë marrin deklarimet e personave të afërt. Ata thonë se Irena kishte hipur në tragetin që është nisur nga Trieste, pasi kishte folur me motrën e saj në Gjermani.
16 janar 2005
Agim Musho nga Gjermania, thotë se zhdukja e Irena selit, ka qenë një ngjarje dhe një inskenim i planifikuar prej saj. Musho e akuzon ish-gruan e tij për lidhje intime me një punonjës të policisë.
18 janar 2005
Merren në pyetje në prokurorinë e Tiranës, vëllai dhe daja i Irenës. Ata shprehin dyshimet e para për vrasje, ndaj Agim Mushos ndërsa thonë se ai është larguar në Gjermani, pa mësuar asgjë për të shoqen.
19 janar 2005
Dosja penale për zhdukjen e Irena Selit, i kalon për hetim Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Hetuesit e këtij institucioni thonë se dosja ka vetëm tre prova dhe se verifikimet e ngjarjes janë neglizhuar.
2 sdhkurt 2005
Kthehet nga Gjermania Agim Musha bashkë me djlin e tij Brunon. Në orët e mesnatës, Prokuroria e Krimeve të rënda i ka marrë në pyetje babë e bir, për shtatë orë duke kërkuar sqarime lidhu me zhdukjen e Irena Selit.
7 shkurt 2005
Gazeta “Metropol” publikon letrën e “pakos së dashurisë” dhe formularin e aplikimit të familjes Musha, për llotarinë amerikane. Një ditë më pas, Agim musha shpreh dyshimet e tij, se Irena ndodhet në Shqipëri.
9 shkurt 2005
Prokuroria e Krimeve të Rënda, mer në pyetje Agim Mushën, lidhur me dokumentat e publikuara në shtyp. Musha jep sqarimet e tij për dyshimin se Irena është në Shqipëri. Prokuroria fillon hetimin për paratë e humbura.