E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi, në limitet kohore për dekretet e Topit

Debatet për rregulloren rrezikojnë kalimin e afatit ligjor, votimin e kandidatëve për Gjykatën e Lartë

Kundërshtitë e mazhoranës dhe opozitës për sa i përket ndryshimit të rregullores së Parlamentit mund të sjellin edhe kalimin e afatit të vendosur në këtë dokument për sa i përket votimit të dekreteve të Presidentit Bamir Topi për tre anëtarët e Gjykatës së Lartë. Ndonëse mazhoranca kishte vendosur që këta anëtarë të fillonin sot seancat dëgjimore në Komisionin e Ligjeve, mosgjetja e një konsensusi për amendimin e Rregullores së Kuvendit, ku parashikohet edhe votimi i hapur për dekretet e Presidentit Topi pritet t’i shtyjë seancat dëgjimore të parashikuara për fillimin e kësaj jave. Por sipas nenit 111 të Rregullores, Parlamenti duhet të japë pëlqimin e tij ose jo për këto kandidatura brenda tri javëve nga momenti që ato janë depozituar si dekrete të Presidentit në Parlament. Duke bërë një përllogaritje të thjeshtë, zyra juridike e Presidencës i ka depozituar tre dekretet e Topit për anëtarët e Gjykatës së Lartë më 1 qershor dhe afati për dhënien e pëlqimit për to i bie të jetë dita e nesërme, 22 qershori. Por fakti që mes dy palëve kryesore të opozitës nuk është gjetur ende një kompromis mbi mënyrën sesi këto dekrete do të votohen në Kuvend, pritet ta vonojë edhe procesin e marrjes në pyetje të kandidaturave të Presidentit Topi nga ana e Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Por sot pritet edhe mbledhja e këshillit parlamentar të rregullores, në të cilin mund të vendoset pa pëlqimin e opozitës për votimin e dekreteve presidenciale në mënyrë të hapur dhe në këtë mënyrë i hapet rruga edhe dëgjimit të kandidaturave për Gjykatën e Lartë. Presidenti Bamir Topi dekretoi në 25 maj edhe tre emra për anëtarë të Gjykatës së Lartë, ku mes kandidatëve spikat Medi Bici, të cilin Presidenti e ripropozon pavarësisht rrëzimit në Kuvend nga mazhoranca e djathtë dy vjet më parë. Gjyqtarët Vexhi Muçmata dhe Sokol çomo janë edhe dy kandidatët e tjerë që kreu i shtetit i propozon Parlamentit për miratim. Ndërkaq, për anëtar të Gjykatës së Lartë mbetet dhe një vend vakant, që kërkon një emër nga Presidenti. Rreth një muaj më parë, Presidenti Topi dekretoi tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, prej të cilëve Kuvendi rrëzoi vetëm një, Vangjel Kostën. Rrëzimi i dekretit të Kostës shkaktoi edhe një reagim të faktorit ndërkombëtar, ku u spikat deklarata e ambasadorit amerikan në Tiranë, Withers, i cili theksoi se rrëzimi i kësaj kandidature ishte i çuditshëm dhe mazhoranca nuk kishte bërë transparencën e duhur në këtë rast.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›