E Diel, 1 Nëntor 2026

Merr frymë Kosova, e dyshuara për grip derrash vuante nga pneumonia

Autori i Lajmit: red.
V. D. nga Stublla e Vitisë, e cila vdiq dje në Qendrën Klinike Universitare (QKU) të Prishtinës, nuk ishte e infektuar nga gripi i derrave, sipas analizave të para të kryera në Kosovë. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, besohet se ajo vuante nga pneumonia (ndezja e mushkërive). Sidoqoftë fjalën përfundimtare do ta thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), e cila do të kryejë analizat kryesore. Dy analiza të kryera në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHP) kanë treguar se vdekja nuk është shkaktuar nga H1N1, tha Naser Ramadani, drejtor i këtij instituti, në një konferencë për gazetarë. Megjithatë, ai tha se një mostër e analizave e kanë dërguar në Londër të Britanisë së Madhe, për të vërtetuar përfundimisht dyshimet. Analizat pritet të kryhen brenda 2-3 ditësh. Pacientja, një 27-vjeçare nga Stublla e Vitisë, thuhet se para një jave kishte ardhur nga Zvicra në vendlindjen e saj në Kosovë.

Ky lajm është publikuar: 07/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›