E Diel, 1 Nëntor 2026

Bode: Kredia 250 milionë euro me interesa të larta për shkak të krizës

Autori i Lajmit: red.
Ministri i Financave Ridvan Bode i ka justifikuar interesat shumë të larta, (11 për qind) të kredisë, po ashtu me vlerë shumë të lartë, prej 250 milionë eurosh me faktin se jemi në kohë krize dhe leku është shtrenjtuar.
Kështu është mbrojtur dje Bode, ndaj sulmit të medias për një kredi shumë të madhe, më e madhja e marrë ndonjëherë dhe me interesa po aq të larta sa të kredisë konsumatore. Por, ai nuk ka ngurruar ta konsiderojë sukses marrjen e kësaj kredie, e cila do të shkojë për ndërtimin e pjesës së mbetur Rrëshen-Kalimash. Sipas Bodes, niveli i kredisë reflekton interesat e tregut dhe si i tillë në treg nuk mund të thuhet kurrë që u mor shtrenjt apo lirë, sepse çmimet përcaktohen nga tregu. "Ne dy vite më parë kemi marrë kredi me 5.2 % interes nga të njëjtët operatorë, Alpha Bank dhe NBG. Sot kriza financiare ka detyruar të tjera rregulla dhe standarde, pasi tregu financiar nuk ka para për të dhënë dhe ju e dini që paraja është një mall dhe si i tillë i nënshtrohet rregullit absolut të kërkesës dhe ofertës", sqaroi Bode. Kreu i Financave Publike, sqaroi se ka shumë vende të tjera të rajonit tonë, vende në tranzicion, të cilët kanë kërkuar kredi edhe me 20 % apo 23 % dhe nuk kanë mundur dot të kontraktojnë, për arsye se ekonomitë respektive nuk japin besueshmëri tek bankat për të dhënë kredi.
Deklarata e Bodes
"Sigurisht që marrja e një kredie ndërkombëtare nga bankat evropiane dhe bankat e vendeve të tjera, përbën një sukses për ekonominë shqiptare", iu përgjigj Bode interesit të medias. Sipas tij, qeveria shqiptare mundësoi përmes raporteve dhe besueshmërisë që ka shfaqur me partnerë të tillë seriozë ndërkombëtarë si Deutsche Bank dhe Alpha Bank, që drejtuan procesin e kontraktimit të kësaj kredie, që të financojë në këtë vit të krizës financiare ndërkombëtare dhe krizës globale ekonominë shqiptarë, të importojë e të injektojë në ekonominë shqiptare një shumë prej rreth 250 milionë eurosh si kufirin maksimal. Duke shpjeguar edhe termat e kredisë, Bode tha se, kjo kredi do merret në dy transhe. "Interesi i kredisë është variabël, dhe përbëhet nga indeksi Euribor plus marzhi prej 9.65%", deklaroi ai.
Injektimi i euros
Bode theksoi se e rëndësishme është që ne injektojmë në ekonominë shqiptare, në mbështetje të stabilitetit monetar të vendit euro-n e cila është monedhë e fortë dhe garanton stabilitetin e kursit të këmbimit që për një ekonomi si Shqipëria e lidhur fort me tregtinë ndërkombëtare do të thotë stabilitet në çmime dhe mirëqenie. Në këtë drejtim Bode shtoi se kredia është diskutuar edhe me FMN –në dhe me BB –në. "Sugjerimi i tyre ka qenë që e rëndësishme sot është që ju në qoftë se do të arrini të merrni kredi në tregun ndërkombëtar përbën një sukses shumë të madh, pasi nuk ka rëndësi norma e interesit me të cilën do e merrni për faktin se sot nuk ofrohen para", deklaroi ministri Bode.

Ky lajm është publikuar: 07/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›