E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqatat e gazetarëve: Shkarkime arbitrare të drejtuesve të Vizion Plus

Tri shoqata kërkojnë nga WAZ të respektojë kontratat

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë
Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë
Forumi Shqiptar për Mediat e Lira

Ne organizatat e gazetarëve shqiptarë jemi të shqetësuar nga vendimi i ditëve të fundit të bordit të pronarëve të televizionit “Vizion Plus”, për ndërprerjen pa shpjegime të kontratës së drejtorit të Informacionit, Arban Hasani, si dhe mbylljen e emisionit shumë popullor në vend, “Faktor Plus”.

Ky vendim ishte paralajmëruar jo zyrtarisht muaj më parë dhe në një korrespodencë mes drejtorit të Informacionit, Arban Hasani, drejtorit të “Faktor Plus”, Mero Baze, me anëtarët e Bordit të Pronarëve të “Vizion Plus” si dhe autoritetet e OSBE-së në Tiranë dhe Vjenë.

Në atë korrespondencë që ne e kemi në dispozicion, shprehej shqetësimi mbi përpjekjet për të vënë nën kontroll politikën editoriale të këtij televizioni nga qeveria përmes ndërprerjes së programit “Faktor Plus” dhe ndryshimit të drejtorit të Lajmeve.
Bordi i Pronarëve është treguar shumë jo transparent, pasi në datën 12 maj i ka mohuar këto zëra në një korrespondencë me këta dy gazetarë, dhe në datën 25 Maj u ka komunikuar zyrtarisht ndërprerjen e kontratës.

Duam të theksojmë faktin se grupi WAZ, i cili ka shumicën e aksioneve në këtë kompani televizive, ka nënshkruar me Komisioneren e Lirisë së Medias në OSBE një Memorandum, i cili detyron këtë kompani që të zbatojë “Parimet për garantimin e pavarësisë editoriale”. Në një nga pikat e këtij Memorandumi thuhet se ”Nëse rastet e shkarkimit të drejtorëve të Lajmeve janë kontroversiale, ato duhen paraqitur para Përfaqësuesit për Lirinë e Mediave, i cili mundet që me kërkesë të njërës prej palëve të përfshira të veprojë si arbitrues, veprim i cili do të kufizohet vetëm në çështjet gazetareske. Ai apo ajo (pra, përfaqësuesi i OSBE-së) do të deklarohet pro apo kundër shkarkimit, bazuar në parimet gazetareske të referuara në mandat”.

Shkarkimi i Drejtorit të Lajmeve të Vizion Plus, është arbitrar pasi në letrën zyrtare nuk jepet asnjë arsyetim përse ai është shkarkuar. Në Muajin Nëntor të vitit të kaluar, Bordi i pronarëve ka miratuar një raport shumë pozitiv për punën e këtij Departamenti dhe se shikueshmëria e lajmeve të këtij televizioni është rritur nën drejtimin e gazetarit Arban Hasani.

E njëjta situatë është dhe me emisionin investigativ politik, “Faktori Plus”. Ai nisi dy vite më parë në këtë televizion dhe është një nga emisionet e rëndësishme për publikun shqiptar. Emisioni ka shikueshmëri shumë të mirë dhe të ardhura financiare që nuk justifikojnë mbylljen e tij, pa asnjë koment.

Drejtuesi i këtij emisioni, Mero Baze, u tha organizatave tona se vendimi për të mbyllur është marrë pas presioneve të qeverisë mbi Bordin e Pronarëve, duke shfrytëzuar lidhjet personale të një anëtari të Bordit me kryeministrin Berisha. Zoti Baze tha se situata është bërë më e papranueshme me emërimin e një drejtori të Përgjithshëm, i cili ka qenë pjesë e administratës së censurës së Medias gjatë gjendjes së Jashtëzakonshme, në vitin 1997 në Shqipëri, në Prefekturën e Tiranës. Ai tha se drejtuesit e rinj kanë një mungesë të qartë respekti për profesionin e gazetarit dhe një rendje pas pazareve financiare me qeverinë nga pronarët e këtij televizioni.

“Ky është shembulli i qartë përse kryeministri Berisha bën presion mbi pronarët e medias në Shqipëri,- tha zoti Baze. Ai kërkon të nënshtrojë gazetarët që punojnë për ta dhe që janë kritik me qeverinë”. Zoti Baze ka një histori të vështirë si gazetar kritik me pushtetin, përfshi kryeministrin Sali Berisha. Makina e tij është djegur para shtëpisë dy vjet më parë, shtypshkronja e gazetës së tij është rrethuar me policë dhe mbahet ende e rrethuar pas më shumë se një viti e gjysmë, duke shkatërruar gjithçka nga investimi, gazeta e tij “TemA” u mbyll nën presionet e gjobave të pashembullta financiare dhe shumë presione, deri në sulme fizike, janë drejtuar ndaj tij nga biznesmenë të lidhur me kryeministrin Berisha. Mbyllja e emisionit “Faktor Plus” shihet si një akt i radhës i pushtetit politik ndaj Lirisë së Medias në Shqipëri.

Ne organizatat e gazetarëve shqiptarë, e shikojmë këtë zhvillim si shumë shqetësues dhe i bëjmë thirrje Komisionerit të Lirisë së Medias në Vjenë, të respektojë Memorandumin që ka nënshkruar me kompaninë WAZ për respektimin e lirisë editoriale. Po ashtu, i bëjmë thirrje zyrtarëve të Bashkimit Evropian që monitorojnë lirinë e medias në Shqipëri, të mbajnë shënim për këtë regres që po pëson liria e shtypit në vend për shkak të presionit politik të qeverisë dhe kompromiseve të pronarëve të medias me të.

U bëjmë thirrje gazetarëve autoritarë në vend ta bëjnë këtë rast pjesë të debatit publik, për t’i shërbyer kështu krijimit të një klime lirie për median shqiptare dhe gazetarët e saj.

1 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›