E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimet për korrupsion, Limaj: Nuk do të jap dorëheqjen

Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit në Kosovë, Fatmir Limaj, përsëriti se nuk do të japë dorëheqjen, për shkak të hetimeve për korrupsion, që po zhvillohen në ministrinë që ai drejton nga ana e EULEX-it.
Limaj tha se është i gatshëm që të përballet me çfarëdo hetimi kundrejt tij, por sugjeroi që me këto hetime të merren prokurorët e Kosovës. Në një konferencë për gazetarët, ku paraqiti raportin e Zyrës së Auditit të Përgjithshëm, ministri Limaj tha se do të vazhdojë të punojë për të mirën e këtij vendi dhe se gjyqtarët më të mirë të punës së tij, siç tha ai, do të jenë qytetarët e Kosovës.

Ministri Limaj theksoi se raporti i Auditit të Përgjithshëm në këtë ministri, për vitin 2009, nuk ka gjetur thuajse asnjë parregullsi financiare.

"Në një vend tjetër, do të duhej që ministria, e cila ka punuar në këtë mënyrë, të merrte mirënjohje", u shpreh ai.

Dy muaj më parë, EULEX-i bastisi zyrat e Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit nën dyshimet për korrupsion.

Kryeprokurori i EULEX-it, Johanes Van Wreesvijk, ka pohuar se bëhet fjalë për hetime në tenderët për ndërtimin e rrugëve, ndërsa keqpërdorimet, sipas tij, kapin shumën prej disa miliona eurove. Deri më tani, askush nuk është arrestuar në lidhje me këto dyshime.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›