Hetimet shtojnë numrin e viktimave të Zhangës
Anastasios Panagaqi, 62 vjeç, dyshohet se është një nga viktimat e ekzekutuara nga dora e Evangjeli Zhangës. Kjo është e reja që vjen nga procesi hetimor i ditës së djeshme, që po zhvillohet ndaj “gruas merimangë”. Deri më tani ka rezultuar se shkaku i vdekjes së 62-vjeçarit është regjistruar të jetë pneumonia dhe ai ka vdekur në spitalin e Tripolit, një qytet në veri të Greqisë. Ndërsa pas arrestimit të Evangjeli Zhangës janë shtuar shpresat e mjaft familjeve për të dalë e vërteta e zhdukjes së njerëzve të tyre në rrethana misterioze. Në listën e njerëzve të ekzekutuar prej saj është vënë prej ditës së djeshme edhe 62-vjeçari Anastasios Panagaqi. Prokuroria e Tripolit është duke hetuar nëse ai ka vdekur vërtet si pasojë e komplikacioneve nga pneumonia, apo është vrarë më 21 shtator 2009. Ata kanë hedhur dyshime dhe po hetojnë nëse mjekët e spitalit të Tripolit apo personeli i mesëm mjekësor ka regjistruar fiktivisht të vdekur 62-vjeçarin, kundrejt ndonjë pagese të majme që është bërë ndaj tyre. Këto dyshime u publikuan dje në edicionet informative të mjaft prej kanaleve kryesore televizive greke, në sfondin e hetimit të “gruas merimangë”, që “gjuante” burra pleq e biznesmenë.
#