E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fino: Më të ekspozuar ndaj korrupsioni. Halimi: Problemi qëndron tek Edi Rama

Qëndrimet PS-PD, mendime të ndryshme për komisionerët e përhershëm

Ideja e komisionerëve të përhershëm në Komisionet e Zonës së Administrimit Zgjedhor (KZAZ) sjell opinionet e para nga Partia Socialiste. Deputeti i njohur i saj, Bashkim Fino, deklaroi dje për gazetën “Shqip”, se sugjerimi në fjalë - i formalizuar dje në aktivitetin Forumi i Komisionerëve Zgjedhorë, organizuar nga KQZ-ja dhe Prezenca e OSBE-së në Tiranë, është minimalisht i padobishëm. “Nuk më duket normale që komisionerët e niveleve të dyta të jenë të përhershëm. Mendoj se nuk ka ardhur e keqja nga niveli i komisionerëve të nivelit të dytë, pasi mendoj se partitë politike në KZAZ kanë caktuar përherë njerëz që e njohin Kodin Zgjedhor, njerëz me integritet dhe të kualifikuar”, tha Fino. Edhe pse personal, mendimi i tij vjen si pjesë e opinioneve që dominojnë sot selinë rozë rreth çështjeve elektorale. Për më shumë që për opozitën, problemi i caktimit të komisionerëve të njëjtë është edhe etik, po të mbahet parasysh kauza e saj për transparencë, që automatikisht ngre dyshime edhe mbi disa administratorë të zgjedhjeve. Ndërkohë, Fino ka dhënë edhe një argument tjetër përse caktimi i komisionerëve të përhershëm përbën një praktikë jo shumë të pranueshme. “Nga ana tjetër, përcaktimi i komisionerëve të përhershëm, mendoj se krijon një problem tjetër; pa dashur të fyej askënd dhe duke folur në parim, mendoj se duke qenë të tillë, pra të përhershëm dhe publikisht të njohur, ata janë më shumë të ekspozuar ndaj korrupsionit”, deklaroi ish-kryeministri shqiptar, duke ofruar kështu oponencën e parë ndaj nismës së KQZ-së dhe OSBE-së. Krejt ndryshe dhe në pikëvështrim tjetër, vijnë opinionet e përfaqësuesve demokrate. I pyetur dje nga “Shqip”, rreth kësaj çështjeje, deputeti Eduard Halimi është shprehur i hapur për çdo përmirësim të Kodit Zgjedhor, duke nënvizuar këtu nevojën e konsensusit me opozitën. Ai nuk ka lënë pa prekur edhe aspektin politik, teksa e ka transferuar ironikisht diskutimin në qëndrimin që kreu socialist Edi Rama ka mbajtur që në fillim në lidhje me problemin e komisionerëve më 28 qershor 2009. “Unë besoj se PD-ja ka gjithë vullnetin e duhur për të pranuar çdo propozim që vjen për të përmirësuar procesin zgjedhor... Problemi qëndron tek Edi Rama, i cili ka akuzuar 20 mijë komisionerët e vet si të shitur dhe tradhtarë. A do të pranojë Edi Rama që të vendosë përsëri të njëjtët komisionerë në komisione? Po sikur ata përsëri të certifikojnë rezultatin dhe PS-ja të humbë, a do të thonë sërish se komisionerët e tij u shitën dhe se ne ua paskemi vjedhur votat? Ndaj dhe them se PD-ja që ka falënderuar komisionerët e saj për punën e palodhur, nuk ka asnjë hezitim që ata të trajnohen, por çështja e ndërtimit të komisioneve, apo grupeve të numërimit, duhet të jetë një çështje ku të merret mendimi i opozitës”, u shpreh Halimi.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›