Bosch: Përgëzoj KQZ-në për administrimin e zgjedhjeve
Zgjedhjet e 28 qershorit 2009 rimarrin certifikatën pozitive nga Prezenca e OSBE-së në Tiranë. I pranishëm në Forumin e Komisionerëve Zgjedhorë, një organ joformal i ideuar së bashku me KQZ-në, kreu i saj, Robert Bosch, ka dhënë vlerësime për procesin e kaluar, duke bërë kështu tërthorazi një ndërhyrje edhe në debatin politik të ditës. “...dëshiroj të përgëzoj kryetarin Ristani, zv/kryetaren Subashi dhe gjithë anëtarët dhe stafin e KQZ-së për përkushtimin dhe përpjekjet e tyre në përgatitjen dhe administrimin e zgjedhjeve parlamentare të 2009-s. Një pjesë e rëndësishme e kësaj pune ishin edhe marrëdhëniet e vendosura midis KQZ-së dhe komisioneve të tjera zgjedhore”, tha Bosch. Përveç se ka riprodhuar raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet e 28 qershorit, gjykimi i tij ka një rëndësi shtesë, për shkak se ai shkon në adresë të KQZ-së. I vendosur në qendër të kritikave të Partisë Socialiste, ky organ merr kështu vlerësime maksimale, çka do të thotë deri diku se edhe pretendimet e selisë rozë për 28 qershorin mbeten vetëm të tilla, pra pretendime. Për më shumë që qëndrimi i dhënë dje nga ambasadori Bosch, fiton një peshë po të mbahet parasysh fakti se përvoja e 2009-s është gjykuar si pozitive dhe si premisë për perspektivën elektorale në Shqipëri. Në një vështrim tjetër është e nevojshme të nënvizohet instalimi i raporteve zyrtare me institucionet e specializuara, duke bërë një hap që hedh pas praktikën e dialogut politik si angazhim prioritar në realizimin e reformës zgjedhore. Mbështetja e dhënë për KQZ-në, si ekip administrues, ka sinjalizuar kështu faktin se për ndërkombëtarët 28 qershori mbetet kapitull i hapur vetëm në kontekstin e një përvoje pozitive.
#