Qytetarja akuzon gjyqtarin Agim Bendo
Një qytetare ka akuzuar dje gjyqtarin Agim Bendo për një çështje të gjykuar prej tij. Sipas “Top Channel”, Ana Preka, e cila jeton prej 17 vjetësh në Greqi, tregon për përplasjen e saj me gjyqësorin. Preka deklaroi se gjithçka nisi nga një proces gjyqësor me ish-administratorin e bizneseve të saj në Tiranë, i cili i shiti një shtetasi, pa pasur të drejtën juridike të njohur nga shoqëria “Albania Interlines”, rreth 18 mijë metra katrorë tokë, pronë të saj, që ndodhet në periferi të kryeqytetit.
Ndërsa prokuroria nisi hetimet dhe dërgoi në Gjykatën e Tiranës dosjen penale për akuzën e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” ndaj ish-administratorit Kristodhulu Filopulus, ajo pretendon se paralelisht bëri edhe një padi civile për të kërkuar pavlefshmërinë e kontratës së shitjes së tokës. Preka deklaroi se gjyqtarë në procesin civil qëlluan të ishin Agim Bendo, Fida Osmani, gjyqtarja që lexoi peticionin tri ditë më parë, dhe Kace Agolli, firmëtare e tij. Sipas qytetares, kjo treshe gjyqtarësh rrëzoi kërkesën e palës paditëse, me argumentimin se administratori kishte të drejtë të kryente shitje prone.
“Kur të gjitha ishin të pastra, se administratori ynë i mëparshëm kishte bërë vjedhje të hapur, e sqarova gjyqtarin që ishte bërë revokim prokure dhe që administratori nuk kishte të drejtë për shitjen. Përgjigjja e tij ishte: ‘Kush paguan, fiton’. Që herën e parë të njohjes, tendencat e tij dukeshin. Më bëri përshtypje se jashtë vendit seancat janë ndryshe, respekti e të gjitha janë ndryshe, ndërsa kur shkuam në zyrën e këtij gjyqtari, ai po priste thonjtë”, tha për “Top Channel” Preka. Menjëherë pas këtij vendimi, Ana Preka u ankua në disa institucione. “I kam çuar letër ministrit të atëhershëm të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i shkrova letër Kryeministrit, por nuk kam marrë asnjë përgjigje”, u shpreh Preka.
Aktualisht në Gjykatën Penale të Tiranës, gjyqtari Gerti Hoxha po vazhdon gjyqin për akuzën e vjedhjes, duke shpërdoruar detyrën ndaj Kristodhulos Filopulos, për të cilin ky gjykatës ka dërguar drejt Greqisë një letër-porosi që autoritetet vendase t’i komunikojnë faktin se është i pandehur për shitjen e tokës pa të drejtë, përfitimet financiare të së cilës nuk i ka derdhur në arkën e kompanisë.
#