Serbia e pret me nervozizëm njohjen e Kosovës nga fqinjët
Serbia e ka pritur me nervozizëm njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Shkupi dhe Podgorica. “Vendimi i Malit të Zi dhe Maqedonisë për të njohur pavarësinë e Kosovës është thellësisht i gabuar dhe në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar”, tha presidenti serb, Boris Tadiç. Ai shtoi se lëvizja e tyre do të lëkundte stabilitetin rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore. Menjëherë pas vendimit zyrtar të njohjes, zyrtarët serbë kanë përzënë nga Beogradi ambasadorët e Maqedonisë dhe Malit të Zi. Ndërsa ambasadori serb në Shkup ka dorëzuar një notë proteste në Ministrinë e Jashtme të Shkupit, duke i kërkuar Maqedonisë të rivlerësojë vendimin e saj për njohjen e pavarësisë. Nuk është bërë ende e ditur nëse ambasadorët serbë do të largohen nga Shkupi dhe Podgorica, apo Serbia do të marrë të tjera masa kundër këtyre vendeve. Njohja e pavarësisë nga Maqedonia dhe Mali i Zi ndodhi vetëm një ditë pasi Serbia u gëzua nga fitorja diplomatike në OKB, për të dërguar çështjen e shpalljes e pavarësisë në Hagë, me shpresën se një vendim i tillë do të frenonte valën e njohjes së pavarësisë. Deri tani Kosova është njohur nga 50 vende.