Marti Ahtisari fiton çmimin Nobel të Paqes
Përpiluesi i paketës së statusit të Kosovës, Marti Ahtisari, është vlerësuar me çmimin Nobel të Paqes për kontributin e tij në zgjidhjen e saktë të konflikteve në Ballkan dhe në rajone të tjera të trazuara në botë. “Përfundimisht kam shpresuar se do të fitoj, sepse kjo është mirënjohja më e madhe që një personi të profesionit im mund t’i bëhet. Nuk besoj se është lënë më diçka pa u bërë, meqë javën e kaluar e fitova Çmimin e UNESCO-s për Paqe”, tha Ahtisari pas marrjes së çmimit. Komiteti i çmimit Nobel tha se, Ahtisari ishte një ndërmjetësues i shkëlqyer, i cili për mbi tri dekada ka ndihmuar në zgjidhjen e konflikteve në shumë pjesë të botës, si në Açeh dhe në Kosovë apo dhe në arritjen e pavarësisë në Namibi. Z. Ahtisari fiton 1.4 milionë dollarë të këtij çmimi, për të cilin konkurruan afro 200 kandidatë. Liderët botërorë e kanë përgëzuar Marti Ahtisarin për marrjen e çmimit Nobel për Paqe. Kreu i diplomacisë evropiane, Havier Solana, tha se Ahtisari e meriton plotësisht këtë çmim, meqë gjatë karrierës së tij, përkushtimi për promovimin e paqes ndërkombëtare, drejtësisë dhe pajtimit ka qenë i palëkundur. Ministri i Jashtëm i Francës, Bernard Kushner, ka lavdëruar Ahtisarin për kurajë dhe përkushtim të vendosur në Namibi, Kosovë, Açeh të Indonezisë dhe vatra të tjera të krizës. Edhe ish-sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, tha se askush nuk e ka merituar më shumë sesa Marti Ahtisari çmimin Nobel për Paqe, meqë “Ahtisari është njeriu që ndërmjetësoi për arritjen e paqes në tri kontinentet”. Vendimin e kanë përshëndetur edhe autoritetet kosovare, duke vlerësuar se zoti Ahtisari ka bërë punë të madhe në zgjidhjen e konflikteve në botë, përfshirë këtu dhe Kosovën. Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, përshëndeti marrjen e çmimit “Nobel” nga presidenti Ahtisari, për merita për përpjekjen në shuarjen e konflikteve në botë. Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, tha se “Franca e sheh çmimin Nobel në veçanti si një mirënjohje se propozimi i Ahtisarit ishte i duhuri”. Sekretari i Komitetit Norvegjez të Nobelit, Geir Lundestad, ka thënë se nuk ka pasur dhe nuk ka alternativë për pavarësinë e Kosovës. “Shpresoj se kjo zgjidhje do të zgjasë”, tha Lundestad. Kjo deklaratë ka provokuar reagimin e serbëve. Ish-kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica, tha se fakti që Ahtisari ka marrë çmimin Nobel për Paqe flet se “mentorët e krijimit të shtetit të gënjeshtërt të Kosovës po bëjnë presion në të gjitha fushat”. Politikanë dhe analistë në Serbi e vlerësuan zgjedhjen e Ahtisarit si justifikimin e Perëndimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Serbia është mbështetur edhe nga Rusia. “Më vjen trup për njerëzit në Komitetin e Nobelit”, tha ambasadori rus, Dimitri Rogozin.