Tiranë, grabitet dyqani i armëve të gjahut
TIRANE – Grabitet dyqani i armëve në qendër të kryeqytetit, tek bulevardi “Zogu i Parë”, pranë nënstacionit elektrik. Autorët e krimit kanë vjedhur katër armë gjahu, dy prej tyre gjysmautomatike të markës “Benelli”, të llojit shotgan, si dhe dy të tjera pushkë gjahu. Ngjarja mësohet se ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm pak pas mesnate, ndërsa vjedhja e dyqanit është konstatuar mëngjesin e djeshëm nga pronari dhe një shitës. Grabitja është bërë e ditur për gazetën “Panorama”, nga burime të policisë së kryeqytetit, të cilët kanë pohuar se vjedhja e dyqanit të armëve dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 01:00, pas mesnate duke u gdhirë dita e djeshme. Të paktën dy persona mendohet se kanë thyer me gurë derën jashtme prej xhami të dyqanit dhe më pas kanë hyrë në ambientet e brendshme. Grabitësit kanë thyer një prej dy armaturave, pikërisht atë në krahun perëndimor të objektit. Më pas ata kanë mundur të marrin katër armët, dy të prodhimit turk dhe dy italiane. Të dy autorët përfundimisht kanë marrë me vete vetëm dy të tilla, pasi dy nga armët e grabitura janë hedhur rreth 200 metra poshtë dyqanit. Kur pronari i shitores ka konstatuar grabitjen mëngjesin e djeshëm ka lajmëruar menjëherë policinë. Ekspertët dhe hetuesit kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe në pak kohë, kanë mundur të identifikojnë autorët e vjedhjes përmes gjurmëve të gishtave. d.b