E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimi, dyshim për krim me stadiumin e Juves

TORINO-Prokuroria e Torinos ka nisur një hetim për stadiumin e ri të Juventusit, që dyshohet se nuk është i sigurt. Sot, organi i akuzës ka qenë në selinë e klubit bardhezi në rrugën “Galileo Ferraris”, ku ka sekuestruar 32 dokumenta që lidhen me materialet e përdorura për ndërtimin e tij. Hetimi do të hedhë dritë mbi çelikun e përdorur për ndërtimin e impiantit supermodern në Torino. Juventusi nuk është nën hetim për këtë, por është palë e dëmtuar. Operacioni i Prokurorisë është duke vazhduar njëkohësisht në zonën e Piemontes, Venetos dhe Friulit. Organi i akuzës ka ushtruar kontrolle në një provincë të Torinos, në një të Udines dhe në provincë të Padovas. Dyshimi i Prokurorisë është për një krim me qëllim shembjen e qëllimshme, për shkak të përdorjes së çelikut jashtë parametrave. Nën hetim janë tre persona: Xhovani Kuiriko, drejtues i Zyrës Teknine në Komunën e Torinos si edhe inxhinierët Françesko Osola dhe Paolo Erbeta, që kanë qenë drejtuesit e punimeve. Pas këtyre lajmeve, pasditen e se enjtes është zhvilluar një takim në Prefekturën e Torinos, ku ishin Andrea Anjeli, Bepe Marota e Mikele Briamonte për Juventusin, kryetari i bashkisë së Torinos Piero Fasino dhe prefekti Alberto Di Paçe. Klubi bardhezi ka furnizuar prova të mjaftueshme për të konfirmuar soliditetin struktural të impiantit të ri dhe për të evituar mbylljen e stadiumit. “Aktiviteti i stadiumit të ri të Juventusit do të vazhdojë”, ishte mesazhi i përbashkët në fund të mbledhjes. “Jemi të informuar për hetimin e Prokurorisë, ku ne jemi palë e dëmtuar. Por, Juventusi shpreh bindjen e tij për sigurinë strukturale të stadiumit dhe ka furnizuar organet kompetente me dokumentat e nevojshme”, bëhet e ditur në komunikatën e klubit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›