E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimi, dyshime për neglizhenca të tjera të Prokurorisë



Në kushtet kur organi i akuzës ka injoruar për muaj me radhë “elefantin mbi tryezë”, atëherë normalisht lind pyetja se çfarë tjetër mund të jetë injoruar nga hetuesit e kësaj çështjeje? Gazeta “Albania” prej disa javësh ka rreshtuar një sërë përgjigjesh të munguara nga ana e hetimit të Prokurorisë, të cilat fillojnë që me personazhe të dëshmuara nga ish-punonjësit e fabrikës si “drejtues të procesit” e që nuk janë pyetur kurrë, deri te mungesa e përgjigjeve për disa çështje logjike, siç janë; evidentimi i kontove bankare ku u depozituan fitimet e Gërdecit, apo injorimi total që iu bë zotit Patrik Henri, pronar i firmës “Southern Ammunition”, e cila ishte e vetmja kompani që kishte kontratë me shtetin për të operuar në Gërdec. Nën zë prokurorët e çështjes dhe oficerë të Policisë Gjyqësore, të angazhuar në hetim, kanë pranuar se janë gjendur gjurmë të depozitimit të parave nga firmat e përfshira (“Southern Ammunition” dhe Albademil”) në Zyrih të Zvicrës, por fakti që këto firma kanë llogari aty nuk provon aspak se bëhet fjalë për fitimet e siguruara nga shitja e skrapit apo armatimeve të grumbulluara në Gërdec. “Nuk mund të ketë një përgjigje të saktë dhe koncize mbi këtë çështje, pasi nuk janë evidentuar dokumente që të bëjnë një lidhje të drejtpërdrejtë mes kontove bankare të evidentuara dhe faturave të shitjes për municionet e Gërdecit”, - i tha një prej prokurorëve të dosjes gazetës “Albania” pak kohë më parë. Mosgjetja e gjurmëve të depozitimit të parave të fituara nga aktiviteti në Gërdec duket se sjell dhe dështimin në një nga pistat më kryesore të hetimit. A nuk ishte fitimi qëllimi kryesor i aktivitetit? Ndonëse nuk ka kryer asnjë aktivitet hetimor frytdhënës në këtë drejtim, Prokuroria duket se nuk ka denjuar as të përmendë shkaqet e këtyre “mungesave” të konstatuara për një nga pistat më kryesore të hetimit. Duket se prokurorët e çështjes mund të jenë përqendruar më tepër në një hetim të tipit administrativ duke u mjaftuar vetëm me disa letër-porosi të dërguara dhe duke mos ndërmarrë hetime të mëtejshme qoftë dhe me aksione të stimuluara për të gjetur diçka më tepër në lidhje me kanalizimin e këtyre të ardhurave.

Hetimi, nuk u verifikua e vetmja firmë ku Delijorgji ishte direkt pronar

Shoqëria “Përparimi sa” është një ndër kompanitë që Delijorgji ka administruar. Ai ishte ortak në këtë kompani kur ajo u themelua në vitin 1993, së bashku me ortakët e tjerë me shtetësi greke, Spiridhon Simandiris dhe Kostandinos Vllahojanis. Në vitin 1998, dy ortakët grekë ia dhurojnë aksionet e tyre Kristo Delijorgjit, e tashmë Delijorgjët bëhen pronarë të vetëm të firmës “Përparimi sa”. Megjithatë, katër muaj pasi zyrtarizon zotërimin e aksioneve, Delijorgji i shet të tëra, së bashku me 12 aksione të Kristo Delijorgjit te firma “Felmont Trading Limited”. Përfaqësuesit e rinj të firmës janë Aikaterini Donta dhe Kristo Delijorgji. Emri i Mihal Delijorgjit tashmë figuron vetëm si administrator i kësaj firme. “Përparimi sa” ishte firma nënkontraktore e “Elbo”-s, që në tetor të vitit 2004 kishte fituar tenderin për shitjen e skrapit dhe të çelikut që përfitohej nga demontimi i municioneve dhe mjeteve të artilerisë së rëndë, tender i bërë ky nga Ministria e Mbrojtjes. Një vit më vonë, shoqëria ndryshon sërish pronar. Kështu, në bazë të prokurave që mbajnë datat 2 shkurt të vitit 2006, rezulton se “Felmont Trading” përfaqësohej nga Giorgia Solonos, Hristos Pasalidhis dhe Aikaterini Donta. Po të njëjtët emra janë dhe që drejtojnë dhe përfaqësojnë edhe firmën “Feltex Holdings Limited”, që në maj të 2006-s blenë aksionet e zotëruara nga “Felmont Trading Limited”. Në korrik të vitit 2005 krijohet në Tiranë shoqëria “Park Construction sa”. Delijorgji rezulton si administrator i kësaj shoqërie aksionere. Pronarë të saj janë “Mandalay Group Holdings”, me qendër në ishujt anglezë të Virxhinias dhe “Brammer Ventrus co”, me qendër në Liberi, me 49 për qind të aksioneve, por që përfaqësohet nga Delijorgji. Firma e ndërtimit duket si një ndër nismat e radhës së tij për t’u përballur edhe më biznesin e ndërtimeve. Shoqëria, që ka dhe 51 për qind të aksioneve të firmës së ndërtimit, përfaqësohet nga Aikaterini Donta, e cila përfaqësonte dhe aksionet më të mëdha të shoqërisë “Përparimi sa”. Te firma “Park Construction”, një nga aksionerët është dhe një biznesmen anglez me prona në Liberi, i quajtur A. Abedje. Ai u bë aksionar i kësaj firme nëpërmjet aksioneve që zotëron shoqëria e tij liberiane “Brammer Ventures”. Kjo e fundit rezulton se është një sipërmarrje multimiliardere, që disponon anije gjigante të projektuara për transportin transoqeanik të sasive të konsiderueshme të skrapit dhe të metaleve.

16 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›