E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tabulatet, gazetarët: Vendim i paligjshëm

SHKRUAN: Leonard Bakillari 02-02-2011 13:15

Andi Bushati, Iris Luarasi, Blendi Fevziu e Lufti Dervishi e cilësojnë të gabuar kërkesën e Komisionit për tabulatet e katër gazetarëve. Protestojnë edhe shoqatat e gazetarëve në vend

Kërkesa e Komisionit hetimor për zbardhjen e tabulateve të katër gazetarëve të njohur: Andi Bushati, Sokol Balla, Filip Çakuli e Mero Baze është cilësuar i paligjshëm nga gazetarë e opinionistë. “Është thjesht një lojë për të qeshur, por edhe e shëmtuar dhe për t’iu shmangur një pyetjeje thelbësore. Për ta kaluar çështjen te tabulatet e kujt duhen parë, nga bisedat serioze deri te bisedat intime, por për të fshehur një gjë shumë serioze, një pyetje që sot e bëjnë të gjithë shqiptarët: Kush vrau dhe kush urdhëroi për të vrarë? Çdo shashkë tymuese që hidhet përtej kësaj pyetjeje, qofshin me tabulatet tona, qofshin me pjesëmarrjen tonë në grushtin e shtetit, qoftë edhe një komplot si ai që kemi 30 vjet pa dëgjuar, me president, me prokurorë dhe me shërbim sekret, që qenkan vënë papritmas kundër një njeriut të vetëm, mua më vjen vetëm për të qeshur”, - tha dje Bushati. Ai shtoi se nuk do të ndihej fajtor edhe nëse do të kishte komunikuar, apo do të kishte shkuar për të intervistuar Bin Ladenin, pasi do ishte duke bërë detyrën e tij. Pedagogia e gazetarisë, Iris Luarasi shtron pyetjen sesa do të ndikojnë këto tabulate të gazetarëve në zbardhjen e ngjarjes së 21 Janarit? “Nuk është media që po luan një faktor të madh në këtë histori. Unë mendoj se politika po luan shumë keq në këtë histori, sepse debatet janë zhvendosur nga Parlamenti, nëpër studiot televizive, por ky nuk është problemi i gazetarëve, për ata është një fat shumë i madh që këto gjëra të ndodhin në studiot e tyre televizive. Ky është një problem i politikës shqiptare, që e ka zhvendosur debatin në këtë nivel. Por nga ana tjetër kjo nuk i jep asnjë lloj të drejte politikës që bashkë me politikanët, të hetojë edhe gazetarët. Ne kemi një ligj që thotë se media është e lirë, kemi një ligj që flet për ruajtjen dhe privaticitetin e të dhënave private dhe padyshim që kjo do të jetë një nga kazuset më të forta dhe do të ndikojë në mënyrë të jashtëzakonshme edhe në indeksin e Shqipërisë përsa i përket të drejtave të gazetarëve”, - tha Luarasi. Mosdije të komisionit, e ka cilësuar gazetari Blendi Fevziu kërkesën për tabulatet e gazetarëve. “Një gazetar është në të drejtën e tij të marrë pjesë në çdo ngjarje, të jetë në zonat më të nxehta, në momentet më delikate. Një gazetar mund të komunikojë dhe mund të ketë raporte komunikimi me çdo person në botë, qoftë ai edhe keqbërës, qoftë dhe një vrasës, qoftë dhe një terrorist. Këto tabulate nuk do të thoshin asgjë, sepse edhe sikur t’i merrje këto tabulate, do vërtetoje që këta gazetarë kanë folur me persona të ndryshëm. Kjo është krejtësisht normale dhe në këtë aspekt e quaj se ka një tejkalim të të drejtës së gazetarit dhe një mosdije të këtij komisioni për profesionin e gazetarit që është specifik. - theksoi Fevziu. Lufti Dervishi shprehet se pushteti i katërt nuk duhet të preket nga institucionet zyrtare, pasi ai është i pavarur. “Fjala e parë është që është një veprim i gabuar. Nuk mundet që të kërkohen gazetarët për disa arsye. Së pari, është konflikt interesi. Vetë Komisioni hetimor do të jetë objekt i vëzhgimit dhe i shqyrtimit të imtësishëm, kritik të vetë gazetarëve. Së dyti, ka të bëjë me parimet e shenjta të gazetarisë, që kanë të bëjnë me burimet e informacionit. Gazetari nuk ka sepse të japë burimin e informacionit, sepse ato janë baza dhe themeli i besueshmërisë që ka gazetari në punën e tij”, - tha Dervishi. Pas këtij vendimi, katër shoqatat e gazetarëve janë shprehur të shqetësuar nga kërcënimi publik që kryeministri Sali Berisha dhe disa zyrtarë të tij kanë bërë ndaj gazetarëve të njohur të medias shqiptare. Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë, Forumi Shqiptar për Mediat e Lira dhe Unioni i Gazetarëve kanë dënuar këtë vendim dhe kanë kërkuar nga Komisioni të tërheqë kërkesën e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›