E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimi i KE: Nuk jane bere transplant organesh ne Shqiperi

21/12/2010  Akuzat për trafik organesh, su vërtetua nga hetimi i 2004-ës

Prokuroria e Përgjithshme:Raporti i Martit një spekulim i pavërtetuar

ELTON QYNO

TIRANE- Prokuroria e Përgjithshme i ka quajtur të pabaza dhe të vjetra akuzat e bëra nga anëtari i Asamblesë Parlamentare në KiE, ish-prokurori Dik Marti, duke pretenduar se ato akuza skanë asnjë bazë vërtetësie. Nëpërmjet një deklarate për shtyp zëdhënësi i Prokurorisë Plator Nesturi është shprehur se pas njohjes së raportit të Martit mbi akuzat për trafik të organeve brenda territorit të Republikës së Shqipërisë të ushtarëve serbë të zënë rob gjatë luftës në Kosovë, Prokuroria shqiptare ka konstatuar se ato janë hipoteza që qarkullojnë prej disa vitesh, por që nuk mbështeten në asnjë fakt vërtetësie. Pavarësisht mungesës së provave, Prokuroria shqiptare shpreh gatishmërinë e saj që të bashkëpunojë me institucionet ndërkombëtare, me qëllim verifikimin e akuzave të bëra publike në raportin e Dik Martit. Organi qendror i akuzës ka sqaruar opinionin publik se fillimisht këto akuza kanë marrë jetë në deklarimet e ish- prokurores Carla del Ponte në librin e saj për një bazë në fshatrat e Burrelit ku pretendohej se kryhej heqja e organeve të ushtarëve serbë për qëllime tregtimi. Këtyre akuzave u ka paraprirë në vitin 2004, një verifikim i një grupi të Prokurorisë së Hagës në bashkëpunim me prokurorë shqiptarë, që ka marrë në evidencë këto të dhëna në shtëpinë e supozuar si bazë për këtë qëllim. Prokuroria shton se në bazë të verifikimit të përbashkët të ekspertëve të Hagës dhe atyre shqiptarë, nuk ka rezultuar se të dhënat e parashtruara të kenë ndonjë bazë vërtetësie, ndaj Prokuroria e Shqipërisë nuk ka gjetur bazë për nisjen e çështjes penale. Ndërkohë për sa i përket informacioneve shtesë të servirura në raportin e Dik Martit se në zonën e Fushë-Krujës janë kryer transplante veshkash, Prokuroria e Përgjithshme shprehet se gjatë këtyre viteve nuk ka pasur asnjë informacion, i cili do shërbente si indicie për hetimin e këtyre akuzave. “Pretendimet e paraqitura së fundmi në raportin e anëtarit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, Dik Marti, mbi ekzistencën e bazave të tilla ku presupozohet se janë kryer transplante, si në Fushë-Krujë a diku gjetkë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, janë të dhëna për të cilat Prokuroria e Shqipërisë nuk ka pasur asnjë dijeni dhe për të cilat nuk është njoftuar apo paraqitur kërkesë për hetim nga asnjë organ hetimor ndërkombëtar”,-thuhet në deklaratën zyrtare. Aktualisht Prokuroria e Shqipërisë garanton besimin e organeve hetimore ndërkombëtare, besim që është forcuar nga profesionalizmi i treguar dhe shkalla e gjerë e bashkëpunimit me to. Nisur nga kjo situatë organi i akuzës e deklaron të pabazë çdo insinuatë, se institucionet shqiptare janë bërë pengesë për hetimin e kësaj çështjeje. Njëkohësisht, Prokuroria e Përgjithshme, në respekt të legjislacionit dhe konventave ndërkombëtare ku Shqipëria është palë, shpreh gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin me institucionet e specializuara ndërkombëtare, me qëllim dhënien fund të spekulimeve të disa individëve të caktuar që pretendojnë se në Shqipëri Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka kryer trafik organesh njerëzore.

Hetimi i vitit 2004 dhe reagimi i fisit Katuçi ndaj përfaqësuesve të KE-së

Prokuroria e Matit: Transplantet, trillime për të na baltosur

Shtëpia pa kushte laboratorike për të kryer transplante të tilla

Prokuroria e Matit së bashku me disa hetues të Hagës kanë hetuar në shkurt të vitit 2004 akuzat e ngritura për trafik organesh në një banesë në fshatin Gurrë të Matit. Nga ky hetim nuk është konstatuar asnjë provë që do të shërbente si indicie për të vazhduar hetimet, pasi familjarët e banesës ku u zhvilluan veprimet hetimore hodhën në mënyrë kategorike pretendimet e ngritura nga përfaqësuesit e Hagës. Dëshmitë e tyre përputheshin edhe me faktet e mbledhura në banesë dhe oborrin e saj. Sipas drejtuesve të kësaj prokurorie, me faktet janë njohur të gjithë të deleguarit e Hagës, të cilët janë bindur se në atë banesë nuk ka pasur asnjë transplant veshkash dhe për pasojë janë larguar pas asnjë lloj dyshimi. Nisur nga këto drejtues të Prokurorisë së Matit, shprehen pak si të çuditur mbi vazhdimin e herë pas hershëm të këtij debati, që në të vërtetë sipas tyre nuk vërtetohet me prova, por thjesht hedh baltë mbi kombin tonë. Prokurorët thonë se për të njëjtat akuza kanë mbërritur vitin e kaluar një grup ekspertësh nga Komisioni Evropian. Realisht këta të fundit nuk kanë kryer hetime pasi janë kthyer mbrapsht, për shkak të rezistencës së banorëve të fisit Katuçi. Edhe pas negociatave të përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë anëtarët e familjes së Abdulla Katuçit, skanë pranuar që në banesën e tyre të kryhen veprime hetimore, duke pretenduar se shtëpia e tyre nuk është përdorur asnjëherë si burg i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Burime pranë kësaj prokurorie shprehen se ndërtesa ku pretendohet se është kryer transplant veshkash nuk mund të plotësojë asnjë element minimal për të qenë një klinikë e tillë. Kjo për faktin se në të nuk ndodhej asnjë aparaturë laboratorike, por dhe se kushtet higjieno-sanitare ishin nën nivelin minimal, për të kryer një operacion transplanti. Plus kësaj, sipas prokurorëve duhet edhe një staf tepër i kualifikuar për të kryer trafikimin e veshkave, fakt ky që nuk vërtetohet në asnjë nga raportet e publikuara për këtë çështje.

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha

Synon dëmtimin e imazhit të Kosovës

Ai hodhi poshtë akuzat e reporterit duke u shprehur se ky është një riciklim i akuzave të ish-prokurores Karla del Ponte. Sipas tij, fakti që ky raport del pas zgjedhjeve në Kosovë dhe në momentin e krijimit të qeverisë që do të negociojë me Serbinë, ka qëllime të qarta për të dëmtuar integrimin e Kosovës. “Komenti im sot është i njëjti koment që kam bërë kur kam qenë ministër i Jashtëm. Bëhet fjalë për pretendime, të cilat asnjëherë nuk u vërtetuan nga asnjë fakt, apo provë. Raporti i Dick Martit bën një riciklim të këtyre pretendimeve pabazuar nga asnjë provë, asnjë fakt”.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi

“Marti anëtar i

klubit antipavarësi

Ai tha se raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty, është anëtar i Klubit Anti-Pavarësi. Thaçi ka thënë se çështjen do ta çojë deri në fund, jo vetëm politikisht, por edhe ligjërisht. Në një intervistë për mediat kosovare, Thaçi i ka cilësuar akuzat e Martit ndaj tij personalisht, por edhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për gjoja trafikim organesh gjatë kohës së luftës, të orkestruara nga një i “klub anti-pavarësisë” dhe se raporti ka qenë i planifikuar për goditjen e shtetit të Kosovës. “Ne kemi ngadhënjyer mbi këto shpifje. Akuza dhe trillime skandaloze edhe më herët dhe do të fitojmë edhe tash”, ka thënë Thaçi.

Presidenti Bamir Topi

“Akuzat e dala

nga moda”

“Presidenti i Republikës së Shqipërisë dënon ashpër të gjitha akuzat e pabazuara në prova konkrete dhe pandehmat e endura me një rrjetë thashethemesh, të cilat duken sikur janë të gatuara në kuzhinën e dalë mode të qarqeve të caktuara ultra-nacionaliste, që për fat të keq vazhdojnë të ekzistojnë në Ballkan në një territor ku kohë pas kohe zbulohen varreza masive të genocidit të pashembullt të forcave serbe të Millosheviçit dhe ku ende strehohen kriminelë lufte të kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës",- thuhet në qëndrimin zyrtar të Presidentit, e cila u lexua nga zëdhënësja e Presidentit.

Zv/kryeministri Ilir Meta

“Raport bazuar në fiksime”

Ai ka deklaruar se raporti i raportuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti, është një fiksim i pabazuar në fakte. “Ky raport është i bazuar mbi fiksime. Akuza të tilla janë bërë në të kaluarën, madje janë bërë edhe investigime që kanë rezultuar tërësisht pa fakte”, ka thënë Meta. Ai i ka bërë këto komente në Beograd ku ndodhet në Kongresin e Partisë Demokratike Serbe, në cilësinë e Kryetarit të Lidhjes Socialiste për Integrim. Meta ka shtuar se e ardhmja e shteteve të Ballkanit është ajo e bashkimit pranë BE-së, ndërkohë sipas tij, raporte të tillë kanë si synim krejt të kundërtën.

Kryetari i PS-së, Edi Rama

“Një sharlatan

që hedh baltë”

Rama vlerësoi se ndjen neveri për Dik Marti si person dhe e cilësoi atë, një sharlatan. “Ne do të unifikojmë qeverinë me përfaqësuesit e PD-së në Këshillin e Evropës, kur të diskutohet në asamble ky raport i mbushur me shpifje dhe me baltë, dhe do të bëjmë detyrën tonë ndaj së vërtetës për të kthyer mbrapsht këto shpifje dhe këtë baltë. Në pikëpamjen tonë, hartuesi i këtij raporti është një sharlatan, i cili i shtohet zogorisë së sharlatanëve që në histori kanë bërë keq, e shumë më keq për të goditur dhe dëmtuar shqiptarët dhe çështjen e tyre”, tha Rama

I zoti i “Shtëpisë së verdhë”

“Marti agjent

i serbëve”

Mersim Katuçi, i zoti i “Shtëpisë së verdhë” vazhdon të kërkojë zbardhjen e të vërtetës nga pala shqiptare, si dhe të dëmshpërblehet për dëmin moral që i është shkaktuar. Ai e konsideroi raportuesin e Këshillit të Evropës, Dik Marti, si një agjent serb, si një person që shpif dhe trillon në kurriz të shqiptarëve. Ai tregoi sesi një vit më parë nuk e lejoi atë të vizitonte shtëpinë e tij në Gurrë dhe ngriti akuzën se Marti ka tentuar të hedhë diku pranë shtëpisë, eshtra të gjetura në vende të tjera. Një tjetër shqetësim është kanë pasur probleme pas solucionit që hetuesit e Hagës kanë hedhur në banesë.

Dik Marti në intervistë për gazetën zvicerane përforcon akuzat e raportit të tij

“Sakuzova Thaçin, organet u hoqën në Shqipëri”

“Nuk është e komplikuar heqja e një veshke, Evropa është përgjegjëse”

PRISHTINË- Edhe dje, anëtari i Dhomës së Ulët të Parlamentit të Zvicrës, Dik Marti, këmbënguli se dispononte fakte dhe kërkoi hetimin e tyre menjëherë. Në një intervistë dhënë gazetës zvicerane “NZZ am Sonntag”, të cilën e ka publikuar dje “Koha Ditore” Marti thotë se “Unë se gjykoj askënd, por as nuk e amnistoj. Unë kam mbledhur fakte dhe kam konstatuar se kurrë nuk ka pasur një hetim të mirëfilltë. Por, unë nuk e paragjykoj epilogun e një hetimi të tillë. Nuk mund të ndërtohet e ardhmja e Kosovës pa u ballafaquar me të kaluarën. Me këtë raport unë veproj, jo kundër Kosovës, por për Kosovën”. I pyetur nëse mund të lëvizte i lirë pas prezantimit të raportit mbi krimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kur po udhëtonte në kantonin e Tiçinos, Dik Marti u përgjigj: “ “Mendoj se po”. Ai as e pohoi, as e kundërshtoi se udhëton i pashoqëruar nga policia. “Ju siguroj se tani jam duke udhëtuar vetëm me një koleg të Parlamentit”, tha ai. Marty shtoi se nuk e priste një jehonë të tillë të raportit të tij “Jo në këtë përmasë. Carla del Ponte, ish-kryeprokurore e Tribunalit të Krimeve të Luftës në Hagë, por edhe gazetarët më parë kanë tërhequr vëmendjen te këto krime. Por, raporti im ndoshta është më gjithëpërfshirës dhe më i detajuar”. Ndërkaq rreth akuzave ndaj ish-komandantit të UÇK-së dhe Kryeministrit aktual, Hashim Thaçi për këto krime, tha se emri i tij përmendet në aq shumë raporte të shërbimeve sekrete dhe policore, prandaj ka qenë e pamundshme që ai të injorohet. Por, ka mohuar që emri i tij apostrofohet si pjesëmarrës në krime. “Unë askund nuk shkruaj se ai personalisht ka qenë pjesëmarrës. Por, ne jemi konsultuar me ekspertë të tregtisë me organe. Kjo nuk është aq e komplikuar. E gjithë kjo ska ndodhur në Kosovë, por në një lokalitet në Shqipëri, afër Tiranës dhe aeroportit. Të transportosh atje një veshkë dhe ta futësh në një frigorifer është më pak e komplikuar se çpo thuhet”. Sipas tij, një problem fondamental ka qenë që NATO-ja në atë kohë, luftën në tokë ia kishte lënë UÇK-së, e cila më parë ishte klasifikuar si grup terrorist. NATO-ja, dhe veçanërisht SHBA-ja, pastaj vendosën të mbështesin Thaçin për të formësuar të ardhmen e Kosovës. “Përgjegjëse është gjithë bashkësia ndërkombëtare. Do të kishte mjaftuar sikur Evropa të kishte thënë jo”, thotë ai.

Ministria e Jashtme u bën thirrje vendeve të prekura që të hetojnë akuzat

Zvicra “hap thesin”, mbron raportin e Martit

Përfaqësuesja shtetërore refuzon çmimin e ambasadës kosovare

GJENEVE- Shteti zviceran është përfshirë në një fushatë përkrahjeje për raportin e Dick Martit, teksa i kërkoi dje Kosovës dhe autoriteteve ndërkombëtare të nisin hetimet lidhur me trafikun e organeve dhe përfshirjen e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi në këtë çështje. Në deklaratën për shtyp thuhet se “Ministria e Jashtme zvicerane i bën thirrje vendeve të prekura, veçanërisht Kosovës të sqarojë akuzat. Autoritetet përkatëse dhe ndërkombëtare duhet të drejtojnë hapat për të mbledhur provat e mundshme. Ministria gjithashtu i bën thirrje EULEX-it ku përfshihen dhe ekspertë zviceranë, si dhe njësisë së hetimeve për krimet e luftës të drejtojnë hetimet mbi këtë çështje". Më tej deklarata e Ministrisë së Jashtëm zvicerane vë në dukje se raporti i Marty përmban “akuza të rënda, të cilat bazohen në dëshmitarë dhe prova të panumërta”. Në mes të këtyre debateve, ministrja e jashtme, Micheline Calmy-Rey ka vendosur të mos pranojë një çmim të akorduar nga ambasada kosovare dhe anëtarë të tjerë të diasporës kosovare në Zvicër. Ceremonia ishte parashikuar të zhvillohej sot ( më 21 dhjetor) për kontributin që ajo ka dhënë në njohjen e pavarësisë së Kosovës. “Duke pasur parasysh botimin e raportit të Marti nuk është koha e duhur për të marrë çmimin “thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme. Mesa duket debati do të transferohet dhe në Këshillin Kombëtar të Zvicrës, që është Dhoma e Epërme e Parlamentit. Christa Markëalder, një politikane e partisë liberale dhe presidente e komisionit të jashtëm e këtij këshilli ka bërë thirrje për hetim në lidhje me deklarimet në raport, se të ardhurat nga trafiku i organeve në Kosovë dhe Shqipëri depozitoheshin në llogaritë e bankave zvicerane. Ajo ka deklaruar për mediat zvicerane në gjuhën gjermane, se “nëse dyshimet vërtetohen, duhet të angazhohet edhe Prokuroria shtetërore”, sepse është në interesin e Zvicrës që të “mbetet qendër e pastër financiare”.

Raporti

Sipas raportuesit të KiE-së, Dick Marty në Shqipëri dhe Kosovë gjatë vitit 1999, serbëve të kapur rob nga forcat e UÇK-së u janë hequr organet, të cilat më pas janë trafikuar. Raporti vë në dukje gjithashtu se Kryeministri i Kosovës ka qenë gjatë kohës së luftës shef i Grupit të Drenicës, që përveçse luftëtarësh, ishte sipas Martit, një grup mafioz që kontrollonte trafikun e drogës dhe atë të organeve.

Ish-kryeprokurori Sollaku

“Kampionët

e gjakut të

bagëtive”

TIRANË- Në një intervistë, dhënë për Top Channel ish-prokurori i përgjithshëm Theodhori Sollaku tha se shteti shqiptar i ka dhënë të gjithë ndihmën e nevojshme gjykatës së Hagës, për të kryer hetimet në Shqipëri. Sollaku shprehet se gjatë një dreke pune me ish-presidentin Meidani dhe prokuroren Del Ponte, kur mbante postin e këshilltarit juridik në Presidencë, është shprehur vullneti i plotë i bashkëpunimit, por edhe gjatë kohës që ai ka drejtuar organin e akuzës shqiptare. “Më bëri një pyetje disi provokative, tha: do kontribuojë Shqipëria nëse gjykata do të ketë nevojë? I shpreha gatishmërinë e shtetit shqiptar. Shqipëria e ka bërë të qartë se bashkëpunimi me Hagën do të jetë në lartësinë e duhur. Dhe kur u bëra kryeprokuror gjeta një letër nga Haga që kërkonte hetime dhe udhëzova kryerjen e hetimeve në Burrel”, deklaron Sollaku. Edhe pse u kryen ekspertiza me mjete moderne për ekzaminime të njollave të gjakut të padukshme, në fund nuk u mor asnjë kampion i tyre nga ekspertët e Hagës, për shkak se rezultonin të bagëtive të therura. “Unë mendoj se në një kohë të dytë, nëse autoritetet serbe do të plotësojnë kërkesën, do të ishte që duke i dhënë rrugë kësaj letërporosie të mbyllet përfundimisht këtë çështje”, shprehet Sollaku.

Punonjësja e huaj në Kosovë shpreh eksperiencën e saj

“Raporti i bazuar në gojëdhëna të ndryshme”

Gjatë një interviste ekskluzive për Top-Channel, dhënë për gazetarin Muhamed Veliu, Anna Di Lelli, e njohur në qarqet ndërkombëtare dhe ato politike në Kosovë është shprehur se “Nuk mund të komentoj me saktësi rreth këtyre akuzave, pasi nuk e kam lexuar raportin. Ato janë thjesht akuza bazuar në thënie të ndryshme, të cilat meritojnë një hetim të plotë në mënyrë që cilido më pas të komentojë rreth tyre. E pyetur nëse kishte dëgjuar rreth të tilla krimeve monstruoze ajo tha se “Jo. Kurrë nuk kam dëgjuar të tilla gjëra. Unë kam mbërritur në Kosovë në vitin 1999 ekzaktësisht në përfundim të luftës. Përpara se të mbërrija atje isha në kampet e refugjatëve në Shqipëri. Kurrë nuk dëgjuar të tilla gjëra, por e para herë që kam dëgjuar ishte në 2004-ën kur për herë të parë akuza të tilla u bënë publike nga Carla del Ponte, e cila hetoi këto akuza, por pa sukses. Është disi e çuditshme që po të njëjtat akuza ringrihen përsëri. Raporti nuk ka paraqet ndonjë provë është thjesht i bazuar në gojëdhëna të ndryshme. Unë mendoj se do të jetë në interes të zotit Thaçi si ish-udhëheqës i UCK-së të kërkojë një hetim të plotë. Unë nuk dua të them që jam 100% e sigurt, por jam shumë e sigurt se asnjë gjë nuk ka për tu vërtetuar”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›