E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha pranoi vjedhjen e zgjedhjeve

21/12/2010  Kërkesa për hetimin e zgjedhjeve, kreu socialist kritika dhe akuza kundërshtarit të tij politik

“Sot Saliu ka provuar se i ka vjedhur zgjedhjet dhe se do që ti vjedhë ato përsëri”

Kërkesa për hetimin parlamentar të zgjedhjeve të 28 qershorit rindez debatet e ashpra mes dy partive kryesore në vend. Mosmarrëveshjet në Komisionin e Ligjeve për deputetëve të PS-së dhe PD-së lidhur me një çështje të tillë kanë bërë që të shtyhet data për gjetjen e gjuhës së përbashkët mes palëve. Menjëherë pas përfundimit të punimeve në këtë komisionin erdhi dhe reagimi i ashpër i kreut të PS-së Edi Rama, i cili gjatë një deklarate për shtyp lëshoi një sërë akuzash e kritikash për kundërshtarin e tij politik. Në vlerësimin e tij, me veprimet e fundit të mazhorancës tregohet qartë se zgjedhjet janë vjedhur. Po kështu, duke insistuar në realizimin e kërkesës së kampit opozitar për hetim të procesit zgjedhor, Rama i bëri apel shumicës parlamentare që të reflektojë dhe ti hapë rrugë transparencës, duke e miratuar atë në seancën parlamentare të së enjtes, që është e fundit për këtë vit. “Berisha ka refuzuar të zgjidhë krizën duke u mbështetur mbi një tërësi argumentesh që sjanë argumente dhe shpifjesh e fyerjesh, që nuk e ndihmojnë zgjidhjen e krizës, e as nuk i bëjnë nder Shqipërisë për kryeministrin që ka. Sot Saliu ka provuar se i ka vjedhur zgjedhjet dhe se do që ti vjedhë ato përsëri. Ka provuar se pse Shqipëria ka mbetur pas dyerve të BE-së, ka treguar se kush e ka fajin për të gjitha ato shkaqe të mirërenditura në opinion e Komisionit Europian”, - vuri në dukje kryetari i PS-së gjatë fjalës së tij lidhur me një çështje të tillë. Po kështu, duke mos kursyer gjuhën e akuzave ndaj kreut të mazhorancës, Rama vlerësoi se “mes standardeve europiane të jetës së shqiptarëve dhe oborrit të pushtetit të votave të vjedhura dhe të korrupsionit për të përmirësuar jetët e oborrtarëve Saliu e ka bërë zgjedhjen e tij: ka zgjedhur këtë të dytën. Mes së ardhmes europiane dhe së shkuarës, që vazhdon të na mbajë peng që të gjithëve si individë dhe si shoqëri, Sali Berisha e ka bërë zgjedhjen e tij: ka zgjedhur të shkuarën”.

Apeli

Ka ende disa ditë kohë dhe të enjten Kuvendi diskuton këtë çështje bashkë me mocionin për debat, të kërkuar prej nesh për ti dhënë një mundësi të re Shqipërisë në rrugës e integrimit, duke adresuar mot a mot të gjitha ato që çështje që në opinionin e KE-së trajtohen si probleme që kanë penguar hapjen e dyerve të BE-së për Shqipërinë. Ne jemi të detyruar të vazhdojmë të kërkojmë rrugën e arsyes për të ardhmen e vendit, për të mirën e të gjithë shqiptarëve, duke pasur në krah të saj pikërisht vetë qytetarët e vendit.

Qëndrimi

Sot kriza është thelluar. Për të gjitha ata që kanë ndjekur punimet e Komisionit të Ligjeve është më se e qartë se Saliu ska pranuar as ato që ka pranuar deri sot, duke refuzuar atë çka është e shkruar e zeza mbi të bardhë në rezolutën e PE-së, duke refuzuar atë çka është e shkruar e zeza mbi të bardhë në opinionin e KE-së. Duke refuzuar atë çka është e shkruar në propozimin e opozitës për ti hapur rrugë hetimit të zgjedhjeve, duke garantuar transparencën dhe zgjidhur një krizë politike që sot Saliu ka dëshmuar se nuk do që ta zgjidhë.

Mesazhi

Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë. Ne jemi në krah të njerëzve. Ne jemi në shërbim të interesave të vendit, ne jemi në ndjekje të ëndrrës së Shqipërisë si gjithë Europa. Duam ta ndërtojmë Europën këtu dhe duam që Shqipëria të ulet në tryezën e familjes europiane siç ulen qytetarët shqiptarët si individë në tryezën e familjeve të tyre në emigracion. Saliu i ka lënë në baltë shqiptarët, ka lënë në baltë Shqipërinë, ka dështuar dhe mban fajin e madh qoftë për transparencën e zgjedhjeve, qoftë për mbylljen e kutive, qoftë për mbylljen e derës së BE-së.

Kërkesa e PS

Partia Socialiste në kërkesën e rishkruar për hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit krëkonte që “të ngrihet Komisioni Hetimor i Kuvendit për shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetësh për të realizuar transparencën e procesit të zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura më 28 qershor të vitit 2009. Komisioni Hetimor i Kuvendit të përbëhet nga 15 anëtarë dhe kryetari ti përkasë Grupit Parlamentar të PS-së”.

Objekti i hetimit

“Hetimi i dyshimeve publike të bazuara, të ngritura nga partitë politike si dhe vëzhguesit vendas e ndërkombëtarë (raproti i OSBE-ODHIR-it), për zbatimin e legjislacionit në lidhje me procesin zgjedhor. Hetimi i dyshimeve të ngritura nga partitë politike si dhe vëzhguesit vendas e ndërkombëtarë për proces të parregullt votimi në qendrat e votimit, kryesisht lidhur me zbatimin e ligjit nga komisionet e qendrave të votimit”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›