E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimi i Mets, ne pritje te përgjigjes nga SHBA

17/01/2011  Kërkesa e Prokurorisë. Për përgjimin do mundësohet sigurimi i provës në gjykatë

Parashikimi i nenit 317, mbi provat e administruara nga Prokuroria. Rastet precedente

TIRANE- Nxjerrja e vërtetësisë së video-skandalit Prifti-Meta është kthyer në një nga veprimet primare të prokurorëve të njësisë antikorrupsion, të cilët pas marrjes së përgjigjes mbi vërtetësinë e saj, duket se kanë planifikuar sigurimin si provë të kasetës në gjykatë. Mësohet se ky veprim do finalizohet atëherë kur organi i akuzës të ketë në dorë vërtetësinë e videos, si dhe prova të tjera që kanë nxjerrë nga biseda që përmban kaseta. Përgjatë dy ditëve të fundjavës (e shtuna dhe e diela) që konsiderohen pushim, prokurorët e Task-Forcës kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme me stafin e ambasadës amerikane, për të sjellë në Tiranë njerëz të specializuar në këqyrjen e kasetave në versionin video dhe audio. Gjithashtu gjatë ditës së shtunë janë sekuestruar një sërë dokumentesh, si dhe në të njëjtën kohë hetuesit e dosjes “Prifti-Meta” janë konsultuar me drejtorët e Prokurorisë së Përgjithshme, lidhur me hapat ligjore që do të merren në ditët në vazhdim për llogari të procedimit penal të regjistruar për akuzat e “korrupsionit aktiv dhe pasiv” dhe “shpërdorimit të detyrës”. Burime pranë Prokurorisë së kryeqytetit thanë për gazetën “Metropol” se aktualisht po i kushtohet më shumë vëmendje kasetës prej 13 minuta e 30 sekonda të depozituar bruto nga ish-ministri i Ekonomisë Dritan Prifti.

Sigurimi i provës

Pavarësisht se autori i kësaj kasete ka konfirmuar origjinalitetin e saj, prokurorët shprehen se është e nevojshme nxjerrja e një përgjigje shkencore, e cila më pas do i hapte rrugën hapave të tjera që Prokuroria ka planifikuar të marrë në vazhdim. Burimet thanë se këto hapa varen vetëm nga përgjigjja, ku në rast se ajo tregon vërtetësinë e bisedës dhe pamjeve, atëherë organi i akuzës pas disa verifikimeve të kryera, pyetjen e dy protagonistëve dhe personave të përmendur, si dhe kërkimin e provave shtesë, do i drejtohet gjykatës me një kërkesë për sigurim prove. Neni 317 i Kodit të Procedurës Penale e parashikon një veprim të tillë, i cili autorizon Prokurorinë të kërkojë përballë gjykatës brenda afateve të përfundimit të hetimit sigurimin e provës që mund të jetë një send, dëshmi, person apo dhe vend ngjarje. “Prova e vetme që kemi dhe mbi bazën e së cilës kemi nisur këtë hetim është kaseta. Do të përpiqemi që të punojmë shumë mirë mbi të, duke kryer fillimisht transkriptimin e plotë të bisedës mes dy ish-ministrave dhe më pas ekspertimin nga specialistët amerikanë, që pritet të ndodhë shumë shpejt”,- thanë burime pranë grupit të hetimit. Aktualisht hetimi i njësisë antikorrupsiuon në Prokurorinë e Tiranës është në stadin fillestar. Në ditët në vazhdim pritet të thirren dhjetëra persona për tu pyetur për llogari të këtij procedimi, përfshirë këtu dhe ish-ministrin dhe zv/kryeministrin Ilir Meta.

Praktikimi i nenit 317

Praktikimi i nenit 317 të Kodit të Procedurës Penale është një rrugë tepër e përdorur nga Prokuroria në rastet kur përgjimi është kryer nga persona privatë, pra pa një vendim gjykatë. Nisur nga këto kushte akuza në disa raste i është drejtuar gjykatës për të çmuar provën. Togat e zeza në disa çështje kanë rrëzuar kërkesën e Prokurorisë, ndërsa në disa të tjera kanë pranuar. Kështu precedenti nis me çështjen e “Albatros”-it, ku ish-drejtori i Aviacionit Civil sot Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, u shpall i pafajshëm nga gjykata, për shkak se kjo e fundit e kishte çmuar si të paligjshëm përgjimin e tij nga disa persona. Po i njëjti vendim u dha edhe për Edmond Rusmailin, vëllai i Ilir Rusmailit, i cili u përgjua nga Zija Teferiçi. Ndërkohë që në dy raste të tjera të së njëjtës natyrë, si ai i prokurorit të Kavajës Musa Mulkurti dhe gjyqtarit të Elbasanit Qani Hasa, gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën për sigurim prove, duke bërë që çështja në ngarkim të tyre të përfundojë në gjykatë. Aktualisht dhe dosja hetimore Prifti-Meta duket se po ecën mbi hapat e këtyre dy precedentëve të fundit, ku gjykata kishte njohur si provë materiale kasetat e përgjuar në mënyrë private.

Neni 317 Kodi i Procedurës Penale

Kërkesa për sigurimin e provës

1. Kërkesa për sigurimin e provës paraqitet brenda afateve për përfundimin e hetimeve dhe përmban:

a) provën që duhet marrë dhe rëndësinë e saj për vendimin gjyqësor

b) personat ndaj të cilëve procedohet për faktet objekt prove

c) rrethanat që nuk lejojnë që marrja e provës të shtyhet për në shqyrtimin gjyqësor

2. Kërkesa e bërë nga prokurori tregon edhe mbrojtësit e personave të interesuar në bazë të paragrafit 1, shkronja “b”, personin e dëmtuar dhe mbrojtësin e tij

3. Dispozitat e paragrafit 1 dhe 2 respektohen me pasojë mospranimi

4. Prokurori mund të vendosë zgjatjen e hetimeve paraprake për qëllimet e sigurimit të provës

Meta në Prokurori

Ministri i vetëdorëhequr nga detyra Ilir Meta pritet që së shpejti të paraqitet në Prokurorinë e Tiranës për të dhënë sqarime lidhur me video-përgjimin e publikuar në media. Burimet thanë se po punojnë për sekuestrimin dhe verifikimin e disa dokumenteve dhe më pas do ftojnë për të dëshmuar ish-ministrin e Ekonomisë, i cili akuzohet për afera korruptive nga ortaku i tij Dritan Prifti. Dëshmia e Metës pritet të ballafaqohet me atë të Dritan Prifti. Mësohet se Meta do thirren në cilësinë e personit që ka dijeni mbi ngjarjen, ndërkohë që pas dëgjimit të ish-ministrit radha për të dëshmuar do i vijë biznesmenëve të përfolur në videon e skandalit. Hetimi i çështjes së skandalit Meta-Prifti, mbi bazën e një përgjimi të paautorizuar nga gjykata, duke se vështirëson paksa Prokurorinë për administrimin e provave materiale sipas ligjeve në fuqi. Për këtë rast burimet thanë se do ndiqet precedenti i rastit të prokurorit të Kavajës Musa Mulkurti, i cili u përgjua nga një qytetar. Këtë rast gjykata e ka njohur si provë dhe çështja penale aktualisht është në proces gjykimi.

Refleksion. Mes përmes lindorëve dhe mesazhit politik

Efekti i hijes së bllokut të zi

Këtyre kohërave të egra politika po u ngjet çdo ditë e më tepër “hienave-shqyerës -luanësh”, teksa fija e moralit që u shthur kuturu ndër miliona euro, ende spo mblidhet gjëkundi. Gjithçka ofron kjo rrëpirë katapultash përkthehet me frazat “Bëja gropën shokut”, “nxirri fytyrën e vërtetë”, “sulmo si bishë për të ruajtur kolltukun se ta morën”, “ngjaji pakëz xhaxhi diktatorit e diktoji ti atij udhët”, e mijëra fjalë të bashkuara a të ndara që në fund pleksen me terrin e pistë dhe llumin e thartë, ku ky popull arbëror po zhytet këtë dekadë të re myshqesh perverse. Reflektuar në pasqyrën e të thjeshtit shqiptar, aktualiteti i sotëm politik do të merrte format e dy shprehjeve të njohura “Mbaje gjarprin në shtëpi e në fund të kafshon” dhe “ata (politikanët) janë vetëm për të mbushur xhepat e tyre”. Hija e rëndë e atij blloku të zi nderesh ende trazon shpirtrat e njëherë në katër vjet votuesve, siç dridhen duart me kallo të mijërave prej tyre apo gishtat e lëmuar të të mbeturve. Mesazhet e nëndheshme të politikës përveçse ta shpifin e të neveritin ambientin ku jeton, kanë edhe efektin magjibërës të çlirimit të fantazisë, të veshmarrjes së stilit kafshues e për rrjedhojë formojnë formulën e mbrojtjes nga ky virus. HEC-e, TEC-e, ujëra, euro, pazare, video, përgjime, kaseta, Gimka, çimka, shoku, shoku i shokut, djali, vajza, kolegu, shkarkime, kërcënime, emërime, kundërshtarë politikë dhe projektet e konceptuara si të mjela që në nisje kompletojnë korin e larmishëm të kësaj vale të gjatë tranzicioni. Për të ftohur gjakrat së pari u vendos për dorëheqje, teksa hyrja në lojë e FBI-së synon të ekuilibrojë balancat e shfryrjes së mllefeve, për tu dhënë kuptimin e akuzës reale apo shpifjes së ulët. Të bindur, të vënë nën zgjedhë, kanë nisur politikanët shqiptarë të ecin pa u lodhur drejt zgjedhjeve. Beteja kërkon kurban. Ca thonë që ka më. Kanë kapur atë me ashtu. Të tjerët mendojnë që mbaroi me kaq. Një lëmsh i vërtetë frikërash. Një tmerr i pjellë nga kjo demokraci lavire që brendinë e bosëve komunistë, kokëshkëmbë, kokëgdhënj e të pandreqshëm e mbulon me guaskën e personalitetit të adhuruar nga masa. Ah…kjo masë e mjerë lindorësh që ndrit sytë përtej kufijve perëndimorë…

M.Mullai

Ambasada konfirmon kërkesën e Prokurorisë shqiptare

SHBA: Do vendosim për ekspertin

TIRANË- Ditën e djeshme ambasada amerikane në Tiranë konfirmoi se kishte marrë një kërkesë nga Prokuroria shqiptare për sjelljen e ekspertëve amerikanë që do të verifikojnë vërtetësinë e video-përgjimit Meta-Prifti. Në një deklaratë për media, ambasada e SHBA-së në Tiranë ka pohuar se ditën e premte organi i akuzës i ka dërguar ambasadës një kërkesë për ekspertë, të cilët do të kryejnë ekspertizën e videos. Në deklaratë thuhet se kërkesa e Prokurorisë shqiptare është duke u shqyrtuar dhe më pas do të vendoset nëse në Shqipëri do të vijnë ekspertë amerikanë për të vërtetuar autenticitetin e videos. Gjithashtu, Prokuroria shqiptare do të mirëpresë edhe një ekspert të Britanisë së Madhe, i cili pritet ti bashkohet grupit të punës, ku mes tyre do të jetë edhe një shqiptar. Pika kyçe ku do të përqendrohet kjo ekspertizë specifike mbetet audioja, pasi pamjet vizive janë më të qarta në videon që u paraqit në “Fiks Fare”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›