Hetimi i PDK Ndoka: Si ma vodhën një deputet në Shkodër
Partia Demokristiane publikon provat e manipulimit të votave në Shkodër. Përmes ekspertimit të pamjeve filmike të një grupi ekspertësh, PDK sqaron për opinionin publik se procesverbalet nuk përputhen me votat. "Numërimi me kamera është ndryshe nga procesverbali", shprehet kryetari i PDK-së. Kryetari i kësaj partie, Nard Ndoka, thotë se manipulimet e zgjedhjeve të 28 qershorit i kanë kushtuar PDK një deputet në Shkodër. "Në çdo qendër votimi PD i ka shtuar vetes 30 deri në 70 vota", tha ai. Ish-deputeti Ndoka sqaron se një pjesë e atyre votave që i janë hequr PDK i kanë kaluar PD-së, duke i shtuar vota. Kryetari i PDK-së thotë se për të gjitha shkeljet flagrante, do t‘i drejtohet prokurorisë me një kërkesëpadi, dhe do të mbështesë të gjitha kërkesat e opozitës që kërkon hapjen e kutive. Vëzhgimi i PDK vjen paralelisht me kërkesën e Partisë Socialiste për të hapur kutitë e votimit në tre qarqe.