E Diel, 1 Nëntor 2026

Theksohet rëndësia e misionit të EULEX

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, priti dje në një takim të veçantë zotin Behgjet Pacolli, kryetar i Partisë Aleanca për Kosovën e Re, takim i cili u përqendrua në shkëmbimin e mendimeve lidhur me zhvillimet në Kosovë dhe lobingun për njohje të reja të pavarësisë së Kosovës. "Rikonfirmoj rëndësinë e madhe që ka forcimi i bashkëpunimit të të gjitha institucioneve të Kosovës dhe të politikës në Kosovë me BE dhe SHBA", u shpreh Meta. Ai vlerësoi rëndësinë që ka misioni i EULEX dhe funksionalizimi i tij në respekt të Kushtetutës së Kosovës dhe në zbatim të Planit të Ahtisarit. "Përmes funksionimit të tij, EULEX do të ndihmojë edhe në përafrimin e standardeve europiane për sa u takon institucioneve të reja të Kosovës dhe në veçanti, në drejtim të funksionimit të një shteti ligjor, sikurse janë të gjitha vendet e tjera europiane", theksoi Meta. "E di se 80 për qind e punës së Kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka qenë e koncentruar ekskluzivisht për Kosovën për njohjet e reja për Kosovën", tha Pacolli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›